Skender Hyseni e quan Kurtin manipulues dhe mashtrues

Lajme

Skender Hyseni e quan Kurtin manipulues dhe mashtrues

Nga: M.L. Më: 6 gusht 2021 Në ora: 16:38
Skender Hyseni

Në një shkrim të titulluar “Kosova dhe politika e saj e rrezikshme e vetizolimit”, Skënder Hyseni, ish ministër i Punëve të Jashtme, ka reaguar pasi Kuvendi i Kosovës nuk e miratoi rezolutën e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit.

“Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan që të miratojnë një rezolutë për zbatimin e Marrëveshjes së arritur më 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë. Lidhja Demokratike bëri mirë që propozoi këtë rezolutë. Të gjithë deputetët e opozitës që votuan për miratimin e saj demonstruan përgjegjësi dhe konsistencë në interes të vendit, pa kalkulime”, u shpreh Hyseni në Facebook.

Ndërkaq, sipas tij refuzimi i kësaj rezolute nga deputetët e VV-së shpërfaq hapur etablimin dhe konsolidimin e politikës së vetizolimit të Kryeministrit Albin Kurti dhe VV-së.

“Duket se Kurti dhe VV vet-mjaftohen me pak pushtet në ‘mahallë’ e nuk lodhen fort për interesat afatgjata të vendit. Asgjë më e rrezikshme për Kosovën në stadin e saj aktual të konsolidimit si shtet. Mesazhet krekosëse që Kurti po dërgon qoftë edhe duke refuzuar miratimin e një resolute edhe ashtu jodetyruese për qeverinë, janë të rrezikshme dhe me pasoja. Akti I sotëm politik i Kurtit është shumë më shumë sesa vetem një refuzim”, potencoi ai.

Për Hysenin, sot është më e qartë se ndonjëherë më parë që Kurti është një manipulues dhe mashtrues gjenial, i cili interesin personal dhe atë të vartësve të tij e vë para çdo interesi qytetar e nacional.

“Ai e di që ajo masë që i shkon mbrapa verbërisht, nuk preokupohet hiq nëse Kurti bënë apo nuk bënë politika në interes të vendit. Këtë, Kurti e ka lexuar saktë. Dhe pikërisht këtu konsiston ai gjenialiteti i tij prej manipuluesi dhe mashtruesi. Kostoja e kësaj politike mund te jet rrënuese per vendin dhe të ardhmen tonë kolektive”, u shpreh ish ministri i Jashtëm.

Ai tha se mos-votimi i rezolutës për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit është mos vlerësim, mosmirënjohje dhe sfidim direkt rolit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në punët e Kosovës në të gjitha rrafshet.

“Kjo godet rëndë partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Politikat izolacioniste assesi nuk janë interes i Kosovës. Ikja nga tryezat nuk të siguron forum ku do te luftosh dhe mbrosh interest e vendit. Ikja është kapitulim dhe dështim. E kjo do te shihet shpejt por fatkeqësisht me një kosto, mbase të lartë për Kosovën?!”, përfundoi Hyseni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat