Zbulohet identiteti i shoferit rus

Lajme

Zbulohet identiteti i shoferit rus

Më: 2 nëntor 2021 Në ora: 12:18
Viktor Lediaev

Viktor Lediaev është shoferi i Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Kosovë, dy diplomatët e së cilës u shpallën “non-grata” nga institucionet shtetërore të Kosovës javën e kaluar.

Media nga burime brenda institucioneve të sigurisë, ka mësuar se Lediaev është punonjës i Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Kosovë. Nuk është diplomat.

Televizioni shqiptar “Top-Channel”, raportoi të hënën – duke u bazuar në një fotografi të Viktor Lediaevit në qendër të Prishtinës – se personi në fotografi është njëri nga dy diplomatët rusë që u shpallën të padëshiruar në Kosovë.

Mirëpo, lajmi u demantua të martën nga Zyra e Presidentit të Kosovës dhe Policia e Kosovës.

Blerim Vela, shefi i Stafit të presidentes Vjosa Osmani, ka thënë se personi për të cilin po raportohet është vozitësi i Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Kosovë.

Ndërkaq, policia tha sot se Lediaev është i njohur për institucionet e sigurisë në Kosovë, si punonjës në zyrën ruse në Kosovë.

“Dy personat Alexey Krivosheev dhe Denis Vengerskii shtetas rus, janë shpallur non-grata nga institucionet shtetërore të Kosovës me datë 22.10.2021, dhe bazuar në informacionet zyrtare të Policisë së Kosovës të evidentuara në sistemin kufitar, të njëjtit me datë 23.10.2021 (në ora 14:46 dhe 14:50), përmes pikës kufitare në Merdare kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës."

Më 22 tetor, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës shpalli persona të padëshiruar dy zyrtarë rus nga Zyra Ndërlidhëse e Federatës Ruse, që punojnë në Kosovë.

Lajmin e kishte bërë të ditur presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e cila më herët kishte thënë se i kishte kërkuar Ministrisë së Jashtme t’i shpallte këta persona si të padëshiruar për shkak të asaj që u cilësua: “veprimtari e dëmshme nga ana e tyre, e që ka cënuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat