Gazetarë e aktivistë dënojnë sjelljen e BIA-s ndaj gazetarit Adriatik Kelmendi

Lajme

Gazetarë e aktivistë dënojnë sjelljen e BIA-s ndaj gazetarit Adriatik Kelmendi

Më: 22 dhjetor 2021 Në ora: 20:12
Adriatik Kelmendi

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, aktivistë e politikanë kanë reaguar të mërkurën (22 dhjetor) ndaj lajmit se gazetari dhe drejtori i televizionit kosovar “Klan Kosova”, Adriatik Kelmendi u mor në pytje nga Agjencia Informative e Sigurisë në Serbi (BIA).

Siç është bërë e ditur, gazetari Kelmendi u mor në pyetje me mbërritjen e tij në aeroportin "Nikola Tesla" më 17 dhjetor 2021 dhe në nisjen e tij më 19 dhjetor 2021, pas pjesëmarrjes në Forumin e 14-të për Drejtësinë Tranzicionale në vendet post-jugosllave, i cili u mbajt në Beograd.

AGK ka bërë të ditur se sipas Kelmendit, “ai është përballur me një sjellje të tillë të autoriteteve serbe secilën herë që i ka rënë të udhëtojë në Serbi, tash e një kohë”.

“AGK-ja e konsideron të papranueshme një sjellje të tillë ndaj një gazetari dhe aktivisti për pajtim rajonal. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e fton Bashkimin Evropian që të reagojë për këtë sjellje që e minon mendimin e lirë dhe procesin e pajtimit në rajon”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Ndaj kësaj ngjarje ka reaguar edhe Rrjeti i pajtimit KOMRA me në krye aktivisten serbe për të Drejtat e Njeriut, Natasha Kandiq.

KOMRA i ka bërë thirrje BIA-s në Serbi që “t’i ndërpresë punët dhe veprat, të cilat rrezikojnë lirinë e shprehjes politike, lirinë e qarkullimit dhe aktivizmin në fushën e ballafaqimit rajonal me të kaluarën dhe me pajtimin”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në anën tjetër, në një reagim ka krahasuar sjelljen e BIA-s ndaj Kelmendit me të ashtuquajturat “biseda informative” që bëheshin në kohën e regjimit të Slobodan Millosheviqit.

Gazetari Kelmendi moderoi Forumin e 14-të për Drejtësi Tranzicionale që u mbajt në Beograd./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat