Rrëfimi i studentes ukrainase që s’u largua nga Ukraina

Lajme

Rrëfimi i studentes ukrainase që s’u largua nga Ukraina

Më: 16 mars 2022 Në ora: 10:24
Olessia Mazera

“Ka momente kur ndihem bosh dhe e frikësuar, por besoj që ditë më të mira do të vijnë për Ukrainën”. Olessia Mazera, studentja e shpërngulur nga lufta në Ukrainë ka rrëfyer se çfarë po ndodh në vendin e saj pas pushtimit rus dhe momentet e tmerrit kur shtëpia e tyre në Kharkiv u godit nga bombardimet ruse dhe më pas largimi përmes flakëve dhe tymit drejt Lvivit.

“Jam nga Kharkivi, jam studente dhe punoj në një agjenci marketingu. Kjo ka qenë jeta ime deri para 3 javësh por për shkak të luftës e humba të gjithçka kisha. Kharkivi është qytet studentor, me shumë bare, me jetë sociale se të rinjtë shkojnë atje për të studiuar. Mijëra studentë nga qytete e vende të tjera studiojnë atje. Ndihem bosh se është një gjë t’i shohësh në TV dhe këto janë rrugët e vendet që ke njohur e shkelur dhe situata bëhet më e rëndë. Ka qenë situatë shumë e vështirë se shtëpia është goditur një kat më poshtë dhe dalja ka qenë përmes zjarrit dhe tymit për të shkuar drejt perëndimit të Ukrainës”.

Përkundër shumë të larguarve nga vendi, Olessia tregon se ajo ka vendosur që të qëndrojë në Ukrainë për të ndihmuar vendin në shpërndarjen e informacionit dhe të shpërngulurit në Lviv, me shpresën për t’u rikthyer në paqe në shtëpitë e tyre.

“Kam nevojë të rri këtu dhe s’mund ta përfytyroj të largohem nga Ukraina, vendi ka nevojë për mua tani, duhet të qëndroj ta ndihmoj dhe nuk kam opsion tjetër. Po punoj online, po luftojmë për të shpërndarë informacion në të gjithë botën, po ndihmoj fizikisht edhe me të shpërngulurit në Lviv. Ka disa momente kur ndihem bosh, e trembur dhe unë besoj tek Ukraina dhe ushtria jonë dhe besoj që kohë më të mira do të kthehen. Ne duam të rikthehemi në shtëpitë tona, nuk ka problem ne do t’i rregullojmë, por dëshira jonë kjo është të kthehemi në shtëpi dhe paqe”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat