Kandiq thotë se të gjitha krimet e luftës janë të lidhura me politikën

Lajme

Kandiq thotë se të gjitha krimet e luftës janë të lidhura me politikën

Më: 20 prill 2022 Në ora: 13:23
Natasha Kandiq

Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, duke folur për krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka thënë se “nuk ka asnjë krim të luftës që nuk është i lidhur me politikën”.

Këtë deklarim ajo e ka bërë të mërkurën në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, i cili ka organizuar tryezë me temën “Afër dy dekada e gjysmë pas luftës, cili është fati i Personave të Pagjetur”.

“Kam parë se çka ka ndodhur në Kosovë. Kam ditur, kam pasur njohuri për vrasjet dhe kam menduar se bazuar në atë çka kam parë, është e drejtë që viktimat të kenë institucione që merren me të drejtat e tyre. Për mua është shumë e rëndësishme të flas nga profesioni im, unë jam hulumtuese, nuk jam person politik, por mendoj në mënyrë politike dhe mund të them se nuk ka asnjë krim të luftës që nuk është i lidhur me politikën. Askush nuk është i kënaqur sesi është punuar në çështjen e të pagjeturve. Nuk ka bashkëpunim mes institucioneve të Kosovës dhe të Serbisë në këtë drejtim”, është shprehur Kandiq.

Sipas saj, të dhënat tregojnë se të zhdukurit janë më shumë të vitit 1998.

“Deri në 20 qershor të vitit 1999, kemi 1080 të zhdukur shqiptarë, nuk kemi mbetje të tyre, mund të jenë të kidnapuar, janë zhdukur me dhunë. Kurse pas 20 qershorit të vitit 1999 deri në 2000 kanë humbur apo zhdukur, 327 serbë, boshnjakë, romë, goranë dhe 38 shqiptarë, kjo tregon se sa vit i tmerrshëm ka qenë ai”, ka thënë tutje ajo.

Ndryshe, prezenca e Kandiq në këtë tryezë irritoi kryetarët e shoqatave për persona të zhdukur, të cilët lëshuan sallën. Sipas tyre, prezenca e saj në këtë mbledhje ishte e panevojshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat