Petkoviq në stilin e tij: I flet zi e terr për Kosovën ambasadores kineze

Lajme

Petkoviq në stilin e tij: I flet zi e terr për Kosovën ambasadores kineze

Më: 27 korrik 2022 Në ora: 16:39
Chen Bo, Petar Petkoviq

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka biseduar sot me ambasadoren e Republikës Popullore të Kinës në Serbi, Chen Bo, për ecurinë e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe situatën aktuale politike dhe të sigurisë.

Siç raporton Kosovoonline, aty u fol “veçanërisht në dritën e lëvizjeve të njëanshme dhe të paligjshme të Prishtinës në lidhje me targat serbe dhe kartat e identitetit që dëmtojnë drejtpërdrejt dialogun dhe kërcënojnë të destabilizojnë situatën në terren”.

Petkoviq i cili njihet për deklaratat e tij skandaloze në raport me Kosovën, theksoi “se mesazhet dhe veprimet ditore politike të përfaqësuesve të institucioneve të përkohshme të Prishtinës konfirmojnë se pala prishtinase nuk synon të marrë pjesë sinqerisht në krijimin e kushteve për normalizimin e marrëdhënieve politike dhe ndëretnike në rajon, por të drejtohen në lëvizje, qëllimi kryesor i të cilave është gjenerimi i tensioneve dhe shkaktimi i destabilizimit”.

“Që jemi në prag të një situate të re krize, tregojnë edhe vendimet e paligjshme dhe të njëanshme të marra në Prishtinë për riregjistrimin e automjeteve nga KM në targa RKS dhe anulimin e dokumenteve të identitetit serb”, tha Petkoviq.

Ai theksoi se “pavarësisht krizave që Prishtina gjeneron çdo ditë, Beogradi mbetet i përkushtuar ndaj dialogut, duke pasur parasysh se bisedimet janë pengesa më efektive për përshkallëzimin e tensioneve ndëretnike dhe garanci për sigurinë e popullit serb”.

Mes tjerash, Petkoviq u shpreh se “për dallim nga Beogradi, i cili i ka përmbushur të gjitha marrëveshjet e dala nga Marrëveshja e Brukselit, Prishtina me këmbëngulje i shmanget zbatimit të marrëveshjeve të arritura, ndër të cilat vend të veçantë zë Bashkimi i Komunave Serbe”.

“Marrëveshja e arritur në fushën e energjetikës hapi mundësinë dhe dha shpresë se do të arrihet përparim edhe në fusha të tjera, në radhë të parë në zgjidhjen e çështjes së të pagjeturve, por pala prishtinase ka treguar se nuk është e gatshme për bashkëpunim edhe këtu”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat