Petar Petkoviq: Kurti po përgatitet për krizë

Lajme

Petar Petkoviq: Kurti po përgatitet për krizë

Më: 28 korrik 2022 Në ora: 23:23
Petar Petkoviq

“Është një gënjeshtër famëkeqe dhe lehtësisht e verifikueshme e thënë nga Albin Kurti ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se është Beogradi që gjoja po saboton dialogun”, tha drejtori i ashtuquajturës Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq.

Ai ka shtuar se Beogradi i është përgjigjur çdo thirrje për dialog dhe bisedime për normalizimin e marrëdhënieve, raportojnë mediat serbe.

Petkoviq këto komente i ka bërë përmes një komunikate për media pas intervistës së kryeministrit Kurti për Zërin e Amerikës, i cili ka deklaruar se ishte pala serbe ajo që anuloi takimin e 19 korrikut.

“Një skenar i tillë ekziston vetëm dhe ekskluzivisht në kokën dhe ëndrrat e Albin Kurtit, i cili për shkak të gënjeshtrave të tij u kualifikua lehtësisht për titullin Baron Munchausen”, thuhet në deklaratë.

Petkoviq pretendon se është Beogradi ai që është i përkushtuar pa mëdyshje për dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, gjë që dëshiron ta arrijë pikërisht në tryezën e bisedimeve.

“Beogradi gjithmonë i është përgjigjur çdo thirrjeje për dialog dhe bisedë për normalizimin e marrëdhënieve dhe kjo është e vetmja e vërtetë”, ka shtuar ai

Madje, Petkoviq pohon se jo vetëm që deklaratat e Kurtit janë të pasakta, por se ai po tenton të shkaktojë një krizë të re dhe destabilizim me “veprime të njëanshme, të pabaza dhe të paligjshme”.

Kryeministri i Kosovës, i cili ndodhet në SHBA së bashku me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Vuçiqi nuk dëshiron të distancohet nga Putini dhe të vendosë sanksione ndaj Moskës.

“Unë jam gjithmonë i gatshëm të udhëtoj në Bruksel, për takimin e radhës dhe një takim i tillë ishte planifikuar të mbahej më 19 korrik, por nuk u mbajt, pasi Beogradi zyrtar e refuzoi dhe kërkoi shtyrjen për më shumë se një muaj. Kanë kaluar gati katër muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve dhe ende po i vonojnë në mënyrë të pajustifikueshme”.

“Ata nuk duan të distancohen nga presidenti despotik Putin. Ata nuk duan të vendosin sanksione ndaj Moskës, prandaj nuk përbëjnë Kuvendin, nuk formojnë Qeverinë. Kosova ka qenë gjithmonë konstruktive dhe e përkushtuar me secilin zyrtar të saj. Blinken kërkoi që ne të vazhdojmë të jemi të tillë. Beogradi punon kundër marrëveshjeve miqësore”, tha Kurti në intervistën e sotme.

Për këto deklarata Petkoviq tha se Kurti mund ta demonstrojë lehtësisht përkushtimin e tij për dialog “duke zbatuar Marrëveshjen e Parë të Brukselit dhe duke formuar Asociacionin e Komunave Serbe, siç është specifikuar në gjashtë pikat e para të atij dokumenti”.

Të gjitha të tjerat, shtoi Petkoviq, janë përpjekje të pasuksesshme të kryeministrit të Kosovës për të “hequr përgjegjësinë për kolapsin e dialogut”.

“Kjo është mbështetur nga refuzimi i kryenegociatorit të tij që të takohet me mua në Bruksel në disa raste dhe të diskutojë për formimin e Asociacionit në përgjithësi”, shtoi Pekoviq.

“Listat e dëshirave të Prishtinës, si një lloj ‘njohje reciproke’, asnjëherë nuk kanë qenë dhe as do të jenë pjesë e agjendës së dialogut, por mund të jenë vetëm tema me interes për jetën e çdo individi në hapësirën e Kosovës. Dhe sa më shpejt ta kuptojë Kurti, aq më lehtë do të jetë për të”, ka përfunduar Petkoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat