Pas mobilizimit, Vuçiç dërgon ‘Mig 21’ në kufi me Kosovën: Ky është urdhri i tij

Lajme

Pas mobilizimit, Vuçiç dërgon ‘Mig 21’ në kufi me Kosovën: Ky është urdhri i tij

Më: 2 nëntor 2022 Në ora: 15:04
Aleksandër Vuçiç

Aleksandër Vuçiç ka firmosur një tjetër urdhër të nivelit luftarak, 24 orë  pasi vendosi ushtrinë në gatishmëri numër 1.

Siç bën të ditur ‘Veçernje Novosti’, Vuçiç, ka dekretuar dërgimin e një kontigjenti të madh avionësh gjuajtës bombardues rus ‘Mig 21’ në kufi me Kosovën.

Siç bën të ditur ‘Novosti’, Vuçiç ka urdhëruar me shkrim që të rrëzohet çdo objekt fluturues që i afrohet Veriut të Kosovës.

‘Novosti’ thekson se vendimi i Vuçiç, ka ndodhur pasi një dron ka fluturuar në Merdarë, në afërsi të Rashkës, ku ndodhet dhe baza më e madhe ushtarake e Serbisë.

Ka disa orë një që skuadrilje avionësh rus të gjeneratës së tretë ‘Mig 21’ janë ngritur, duke patrulluar në kufi të zonës që KFOR e vigjëlon dhe e ka këtë të drejtë sipas marrëveshjes së Kumanovës.

 “Dronët kanë filmuar një pozicion në Zonën e Sigurisë Tokësore dhe dy kazerma. Për këtë më ka informuar Presidenti i Republikës dhe ka dhënë urdhrin për rritjen e vigjilencës ajrore, që tani është gjendje e përhershme. Do të rrëzojmë çdo objekt fluturues, qoftë edhe zog që na vjen nga Kosova, po nuk do të jap më shumë informacion”, tha kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç në një intervistë në televizionin publik serb.

Brnabiç, pasi ka sulmuar ashpër Albin Kurtin si fanatik nacionalist, ka thënë se Serbia nuk do të lejojë që serbët e Kosovës të dhunohen, por pa e specifikuar se çfarë do bëjnë; nga ana tjetër ka sulmuar egërsisht SHBA e BE, të cilët sipas Brnabiç i kanë dhënë dorë të lirë Albin Kurtit.

Pas urdhërit të Vuçic, Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka reaguar duke thënë se nuk ka pasur drone të Kosovës në territorin serb dhe se kjo po përdoret si pretekst.

“Në lidhje me deklarimin e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për gjoja lëvizjen e dronëve të panjohur nga territori i Republikës së Kosovës mbi vendbanimin e Rashkës, njoftojmë qytetarët se këto pretendime janë plotësisht të pavërteta, dhe një diskurs i tillë është vetëm pretekst për rritjen e numrit të trupave të ushtrisë serbe përreth kufirit me Republikën e Kosovës, si mjet për përhapjen e një gjendje paniku mbi qytetarët e të dyja shteteve”, ka deklaruar ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat