Analisti serb e përgënjeshtron Daçiqin, ja çka insiston BE te Serbia

Lajme

Analisti serb e përgënjeshtron Daçiqin, ja çka insiston BE te Serbia

Më: 23 maj 2023 Në ora: 14:19
Mirosllav Stojanoviq

Përkundër “deklaratës” së ministrit të jashtëm serb Ivica Daçiq, eksperti serb i politikës së jashtme, Mirosllav Stojanoviq ka deklaruar se mesazhet nga Brukseli janë të pritshme, sepse i është bërë e qartë Serbisë se nuk mund të mbetet e vetme në mos vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, si dhe që të mos e zvarritë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me rastin e takimit të krerëve të diplomacisë së Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor të hënën në Bruksel, raportojnë mediat serbe.

“Nuk ka shumë të reja në mesazhet për Beogradin dhe Prishtinën, ato janë të pritshme, e vetmja gjë është që qëndrimi ndaj Rusisë është më i ashpër dhe këmbëngulja që Serbia nuk mund të mbetet e vetmuar në mos vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, si dhe të përshpejtojë dialogun Kosovë-Serbi”, ka deklaruar Stojanoviq për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”.

Sipas Stojanoviqit, “çështja kyçe” në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pa të cilën, sipas fjalëve të tij, “nuk ka vazhdim të dialogut”.

“Çështja kryesor është Asociacionin”, përsërit Stojanoviq fjalët e shefit të tij Vuçiq.

“Kjo është ajo pa të cilën nuk ka vazhdim të dialogut, por në një farë mënyre e gjithë situata relativizohet. Ka shumë skenarë të ndryshëm në qarkullim se si duhet të duket përmbajtja e Asociacionit, formalisht, në thelb ose në përmbajtje”, ka thënë Stojanoviq.

Ai ka shtuar se qëndrimi i Beogradit mbetet i njëjtë dhe se ai “duhet të korrespondojë me ato marrëveshje që tashmë janë dakorduar dy herë në Bruksel, në vitin  2013 dhe 2015”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat