A keni synime ta sulmoni Kosovën? Presidenti serb përgjigjet para gazetarëve në Granada

Lajme

A keni synime ta sulmoni Kosovën? Presidenti serb përgjigjet para gazetarëve në Granada

Më: 5 tetor 2023 Në ora: 18:17
Aleksander Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, në Granda të Spanjës në një konferencë për gazetarë është pyetur edhe për atë nëse Serbia ka synime për të sulmuar Kosovën.

Presidenti serb ka thënë se “Serbia s’ka synime të tilla” dhe se “s’ka pasur asnjëherë synime për ta sulmuar dikë në rajon”

“Jo, jo aspak. Sepse s‘kemi pasur asnjëherë synim për të sulmuar dikë në rajon”, ka thënë presidenti serb.

Sipas tij, Serbia është vend që po e ruan qetësinë dhe ka shtuar se ka zvogëluar prezencën ushtarake në kufi me Kosovën nga 8500 ushtarë në 4 mijë e 400. Vuçiq ka treguar se amerikanët dhe evropianët kanë dalë sot në terren në Serbi për ta vërtetuar një gjë të tillë.

“Jemi vendi që do të mbajë qetësinë. Kemi ulur prezencën ushtarake në afërsi të linjës administrive nga 8.5 në 4.4 nëse s’gaboj, por ndjeshëm. Dhe sot njerëzit tonë shkuan bashkë me amerikanët dhe evropianët për ta parë dhe konfirmuar”, ka thënë Vuçiq.

Ai tutje ka thënë se është nevojshme një zgjidhje kompromisi mes Kosovës dhe Serbisë dhe jo diçka për të cilën dikush ëndërron dhe në anën tjetër s’jep asgjë.

“Çfarë kemi nevojë janë marrëveshjet reale të bazuara në realitet dhe vullnet real për progres dhe proces negociues, ku duhen zgjidhje kompromisi dhe jo diçka që dikush mund të ëndërrojë dhe që s’jep asgjë në anën tjetër”, ka thënë kreu i shtetit serb.

Ai tutje ka thënë se në kufi me Kosovën kanë qenë 8 mijë e 500 trupa, që janë dukshëm më pak sesa kanë qenë në fillim të këtij viti, ku Serbia kishte vendosur 14 mijë trupa në gjendje gatishmërie. Vuçiq ka thënë se me një numër të tillë ushtarësh edhe po të duash të bësh diçka, e që sipas tij Serbia s’dëshiroi, s’mund të bësh asgjë dhe sipas tij diçka e tillë është e dukshme.

I pyetur nëse iu ka dhënë ndonjë garanci partnerëve evropiane, Vuçiq ka thënë se nuk ia kanë kërkuar diçka të tillë, por thotë se nëse do ta bëjnë, atëherë “do t’iu japë garanci”, meqë Serbia “beson në paqe”.

“S’ma ka kërkuar askush. Por nëse e kërkojnë, s’ka problem ua jap, sepse besojmë në paqe, besojmë në të ardhmen e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat