Deklarohet i pafajshëm zyrtari policor i akuzuar për marrje ryshfeti

Lajme

Deklarohet i pafajshëm zyrtari policor i akuzuar për marrje ryshfeti

Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 12:26
Foto ilustrim

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, të enjten është deklaruar i pafajshëm Fidan Mati, zyrtar policor në Gjakovë, i cili në cilësinë e personit zyrtar po akuzohet se kishte marr 105 euro ryshfet nga drejtuesja e automjetit Arlinda Fetahaj.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e shtetit Ardita Beqiraj-Hyseni, i akuzuari Mati u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Jo, aspak nuk ndihem fajtor”, tha Mati.

Gjykatësi Sulltan Dobraj, pas deklarimit të të akuzuarit rreth fajësisë, e ka njoftuar atë dhe mbrojtësin e tij, avokatin Korab Bokshi për të drejtën e tyre që të paraqesin kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ndërsa, në seancën e sotme nuk ishte prezent mbrojtësja e viktimave Fatmire Bajramaj-Qufaj dhe e dëmtuara Arlinda Fetahaj.

Paraprakisht, gjyqtari Sulltan Dobraj, tha se mungesën e të dëmtuarës Arlinda Fetahaj, e kishte arsyetuar nëna e saj duke treguar se e njëjta gjendet jashtë vendit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë me 6 nëntor 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Fidan Mati, i cili në cilësinë e zyrtarit policor në Stacionin Policor në Gjakovë, në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkon dhe pranon të holla në mënyrë që të mos veproj në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se, zyrtari policor Flamur Frrokaj e kishte ndaluar automjetin të cilin po e drejtonte Arlinda Fetahaj dhe e kishte njoftuar të njëjtën se e kishte tejkaluar shpejtësinë nga 50km/h ku ishte duke vozitur në 80km/h, dhe se asaj duhet t’i shqiptohet gjobë 300 euro dhe t’i konfiskohet patentë shoferi për 6 muaj.

Tutje në aktakuzë thuhet se e dëmtuara njofton zyrtarin policor se jeton jashtë vendit, në Zvicër dhe kërkon nga zyrtari policor mos t’ia merr patentë shoferin, ku i njëjti e drejton të dëmtuarën të shkoi tek kolegu i tij, i pandehuri Meti i cili ishte në veturën e policisë.

Në aktakuzë thuhet se, e dëmtuara kur afrohet tek automjeti i policisë, i pandehuri Meti i kërkon 300 euro, e njëjta ishte përgjigjur se 300 euro nuk i ka por vetëm 100 euro. Ai ishte pajtuar me këtë shumë të të hollave dhe e udhëzon që këto të holla ti fut në librezë dhe mos ta vërej askush dhe eja merre patentë shoferin.

Tutje në aktakuzë thuhet se e dëmtuara shkon në veturën e saj i merr 105 euro dhe i vendos në librezë, më pas ia jep të pandehurit Fidan, i njëjti i pranon këto të holla, ia kthen librezën duke mos i dhënë asnjë dëshmi-dokument, për këtë lloj pagese.

Për këtë Mati po akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 par 1. të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat