Lista Serbe, letër Quint-it rreth “eksodit të serbëve” nga “regjimi i Kurtit”

Lajme

Lista Serbe, letër Quint-it rreth “eksodit të serbëve” nga “regjimi i Kurtit”

Më: 8 shkurt 2024 Në ora: 15:12
Serbë duke pritur në radhë për të tërhequr mjete nga një bankomat në Mitrovicë të Veriut, 1 shkurt, 2024. Foto: AP

Partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, e mbështetur nga Beogradi zyrtar, i ka dërguar një letër shteteve të Quint-it në Kosovë.

Në letër, kjo parti flet për pretendime rreth “eksodit të serbëve” nga Kosova dhe “terrorit të Albin Kurtit” ndaj tyre – e krejt këto i ndërlidh me ndalimin e dinarit si valutë.

“Ne po ju drejtohemi në emër të popullit serb nga Kosova, duke ju përcjellë lutjet dhe pritshmëritë e popullit për të shfrytëzuar autoritetin tuaj të madh, personal, si dhe autoritetin e shteteve të respektuara që përfaqësoni në këtë rajon, për të ndalur urgjentisht eksodin e popullit tonë nga vatrat e tij shekullore”, thuhet në letrën në të cilën ka pasur qasje “Tanjug”.

Më tutje në letër thuhet se “dhuna kundër popullit serb” në Kosovë, e cila thuhet se “ka zgjatur më shumë se dy dekada, është intensifikuar që nga viti 2021 dhe me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet”.

Thuhet po ashtu se qëllimi është “persekutimi dhe shkatërrimi i gjithçkaje serbe” në Kosovë dhe se “s’ka të drejtë të njeriut që regjimi i Albin Kurtit s’e ka shkelur kur flasim për serbët”.

E fundit, sipas Listës Serbe, “në serinë e masave drastike ndaj serbëve është vendimi për anulimin e dinarit, apo transaksioneve të pagesave, e cila shkakton kolaps financiar të popullit serb” në Kosovë.

Në letër, Lista Serbe thotë se janë 100 mijë serbë që do të mbesin pa të hyra me vendimin për ndalimin e dinarit.

“Nëse i marrim parasysh 31,831 paga, 29,115 pensione, 2,430 bursa, më shumë se 31,000 benefite sociale që paguhen nga buxheti i Serbisë, ky vendim do t’i lë 100 mijë serbë pa burim të hyrash”.

Kjo parti thotë se “përfaqësuesit e shteteve më të fuqishme në botë kanë kapacitetin për të siguruar se ky qëllim i Kurtit të mos realizohet dhe se veprimet e tyre të fuqishme dhe konkrete do të mund të ndalojnë eksodin e serbëve” nga Kosova.

Letra përmend edhe mbylljen e institucioneve paralele serbe në Kosovë, gjegjësisht në Pejë, Istog e Klinë, për të cilat thotë se “është dashur të jenë baza e themelimit të AKS-së si institucion ombrellë i popullit serb në Kosovë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat