Pas takimeve me Lajçak dhe Hill, deklarohet Vuçiq: Brenda 72 orëve do të tregoj...

Lajme

Pas takimeve me Lajçak dhe Hill, deklarohet Vuçiq: Brenda 72 orëve do të tregoj...

Më: 10 shtator 2024 Në ora: 06:46 Përditësuar në ora: 13:10 më 10.09.2024
Miroslav Lajçak dhe Aleksandar Vuciq

Vuçiq: Brenda 72 orëve do t’i tregoj kërkesat e Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të martën se do t’i prezantojë kërkesat e Serbisë, për shkak të “sulmeve substanciale dhe brutale ndaj popullsisë serbe në veri të Kosovës”.

Ai ka thënë se në 72 orët e ardhshme do t’i adresohet publikut për “ato që bashkësia ndërkombëtare nuk i ka përmbushur, për ato që Serbia kërkon, dhe synon të bëjë”.

Presidenti serb i ka bërë këto komente pasi është takuar me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Përveç me Lajçakun, ai është takuar edhe me ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill.

Vuçiq ka thënë se Serbia është gjithmonë gati për dialog.

“Mirëpo Serbia nuk është gati dhe nuk do të lejojë persekutimin e popullsisë serbe, dhe është e qartë që ky është synimi i vetëm i Qeverisë së Kurtit”, ka thënë ai duke iu referuar kryeministrit të Kosovës.

Presidenti serb ka thënë se në tetor do të prezantojë para Parlamentit serb “propozime me ndikim të gjerë”.

Pas takimit me Vuçiqin, Lajçak nuk ka folur për mediat.

Nis takimi Lajçak – Vuçiq

Raportohet se ka nisur takimi mes emisarit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Takimi ka nisur rreth orës 10:00.

Ndërkohë, vizita e Lajçak vjen pasi javën e kaluar qëndroi në Prishtinë, ku pritet të bëhen përgatitje për takimin e radhës në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.

Takimi vjen në momentin e mbylljes së institucioneve ilegale serbe në veri të Kosovës dhe përgatitjes për një raund të ri negociatash për normalizimin e marrëdhënieve

Lajçak takon Vuçiqin sot në Beograd

Sot, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohet me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak. Takimi vjen në momentin e mbylljes së institucioneve ilegale serbe në veri të Kosovës dhe përgatitjes për një raund të ri negociatash për normalizimin e marrëdhënieve.

Pas vizitës në Prishtinë, i dërguari evropian Miroslav Lajçak vjen në Beograd. Presidenca e Serbisë njoftoi se presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak, do të takohen të martën, më 10 shtator. Sipas njoftimit, takimi mes Vuçiqit dhe Lajçakut do të fillojë në orën 10:00, ndërsa nuk është planifikuar asnjë fjalim për media.

Duke paralajmëruar vizitën e tij të planifikuar në Beograd, i dërguari evropian, Miroslav Lajçak, ka deklaruar në Facebook se pas Forumit Strategjik të Bledit ka qëndruar në Prishtinë, ku ka diskutuar me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, për ngjarjet e fundit gjatë verës, agjendën e ardhshme. takimi i negociatorëve kryesorë dhe qasjet për zgjidhjen e disa çështjeve aktuale, si dhe hapat e ardhshëm drejt zbatimit të ‘Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve’. Kështu, ai ka bërë të ditur se po vjen edhe në Serbi për t'u përgatitur për takimin e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Vizitën e Lajçakut e ka paralajmëruar edhe kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, i cili ka thënë se së shpejti pritet një takim në Bruksel. Vuçeviq ka shprehur shpresën se atëherë do të dëgjohen informacione më konkrete për lëvizjet e Prishtinës zyrtare dhe ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për lëvizje të papërgjegjshme, veçanërisht duke theksuar presionin ndaj serbëve në Kosovë. Vuçeviq theksoi rëndësinë e përpjekjeve diplomatike të Serbisë dhe komunikimit të përditshëm me faktorët ndërkombëtarë për të vënë në dukje shkeljen e marrëveshjes nga autoritetet në Prishtinë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat