Kush do të garojë për Çairin? Emra të njohur përmenden nga BDI dhe ASH-AAA

Maqedonia

Kush do të garojë për Çairin? Emra të njohur përmenden nga BDI dhe ASH-AAA

Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 19:01
Komuna e Çairit

Visar Ganiu dhe Adrijan Muça nga BDI dhe Bekim Sali nga koalicioni ASH-AAA janë emrat të cilët po përmenden në opinion si kandidatë të mundshëm për kryetar në komunën e Çairit për zgjedhjet e ardhshme lokale. Kryetari aktual Visar Ganiu edhe përkundër dëshirës për t’u kandiduar thotë se fjalën e fundit e ka partia.

“Kuptohet që dëshira ime është për tu kandiduar por aty do të vendosin organet e partisë dhe fjala e fundit do të jetë e kryetarit tonë. Por besoni që në këto momente nuk jam i preokupuar me kandidaturën, por me projetet të cilat në vazhdimësi presim që t’i realizojmë dhe t’i finalizojmë dhe projektet të cilat për shkaqe teknike dhe dokumentacionit pak me vonesë kanë filluar, por edhe ato janë në proces për t’i realizuar”, tha Visar Ganiu – Kryetar i Komunës së Çairit.

Pyetëm edhe drejtorin e NP “Parqe dhe gjelbërime” Adrijan Muça nëse ai pretendon të jetë kandidat i mundshëm për udhëheqës të kësaj komune.

“Sinqerisht as nuk e kam menduar, as nuk e kemi biseduar këtë punë. Nuk jemi as unë as Visari të cilët vendosim për atë se kush do të jetë kandidat për kryetar komune apo dikush tjetër. Atë punë e vendos kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim në krye me kryetarin Ali Ahmeti”, u shpreh Ardijan Muça.

Bekim Sali nga Alternativa nuk e mohon, por as nuk e pohon kandidaturën për këtë post. Ai për TV21 tha se ende nuk mund të flitet për emra të përveçëm përderisa nuk ka vendim nga koalicioni. Por, emrin e tij në Click Plus e ka përmendur Skender Rexhepi Zejdi.

“Nëse gjatë marrëveshjes që do të kemi me Aleancën për Shqiptarët, merremi vesh që Çairi t’i takojë Alternativës atëherë jam i bindur që emri i përzgjedhur kryetari aktual i degës Bekim Sali”, tha Skender Rexhepi nga Alternativa.

Në zgjedhjet e fundit lokale që u mbajtën në vitin 2017 BDI me kandidatin e tyre Visar Ganiu fituan me 11.841 vota gjegjësisht 1.653 më shumë vota se kandidati i atëhershëm i Lëvizjes Besa Zeqirija Ibrahimi.

Visar Ganiu BDI 11.841 vota apo 38,97%

Zekirija Ibrahimi Besa 10.188 vota apo 33,53%

Farruk Abdi Ash 2.207 vota apo 7,59%

Idriz Orana PDSh 766 vota apo 2,52%

Ndryshe Ganiu në pyetjen se a i ka realizuar premtimet e dhëna para se të bëhet kryetar, ai tha se kanë mbetur edhe 10% e projekteve që nuk janë realizuar. Projektet që nuk janë realizuar nga “Kontrata” janë si parkingjet me kate, pishina, Klinika për fëmijë, rrethrrotullimi në bulevardin Cvetan Dimov, efikasiteti energjetik i banesave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat