Pse nuk nisi regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut?

Maqedonia

Pse nuk nisi regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut?

Më: 2 prill 2021 Në ora: 00:37
Zëvendëskryeministri i parë në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi

Sot do të duhej që të niste në terren regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Zëvendëskryeministri i parë në Maqedoninë e Veriut, Artan Grubi, ka treguar se afati për regjistrimin e popullsisë u shty për shkak të iniciativës për ndryshimin e ligjit.

“Kjo ndodhi për arsye se ka iniciative për ndryshim të ligjit i cili ka kaluar në lexim të parë dhe tashmë kaloi edhe debati në komisionin amë, atë për Çështje Evropiane, dhe nesër në formë të pandryshuar do të vihet në seancë plenare me ç’rast edhe do të miratohet nga shumica dërmuese e deputetëve në Kuvend. Në Maqedoninë e Veriut regjistrimi filloi më 1 mars përmes regjistrimit të diasporës i cili duhej të përfundonte më 21 prill, por për arsye të bojkotit të hapur nga opozita maqedonase dhe diasporës maqedonase si edhe me pretekstin e pandemisë dhe mungesën e imunizimit masiv të regjistruesve dhe qytetarëve pas konsultave ndërpartiake u vendos që të shtyhet regjistrimi i popullatës vendase nga 1 prilli deri më 21 prill siç ishte paraparë në 5 shtator deri më 30 shtator. Regjistrimi i diasporës nuk do të ndërpritet fare, por do të vazhdojë edhe për pesë muajt e tjerë”.

Grubi ka deklaruar se me shtyrjen e afatit për regjistrimin e popullsisë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut – në vend dhe në diasporë – nuk kanë humbur asgjë.

Ai madje ka thënë se kanë fituar shumë më shumë kohë që të bindin shqiptarët e Maqedonisë së Veriut që janë në diasporë që të bëhen pjesë e këtij procesi.

“Nuk kemi humbur asnjë gjë, përkundrazi kemi fituar shumë më shumë kohë bile edhe që t’i vizitojmë në vendet prej nga vijnë në mënyrë që t’i nxisim që të regjistrohen. Nuk humb asnjë numër. Deri tash kemi regjistruar 180 mijë qytetarë nga diaspora, shumica dërmuese e tyre janë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, dhe ato regjistrime janë valide dhe do të vazhdojnë deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat