Le Roy: Marrëveshja e Ohrit e bëri Maqedoninë e Veriut vend më të qëndrueshëm

Maqedonia

Le Roy: Marrëveshja e Ohrit e bëri Maqedoninë e Veriut vend më të qëndrueshëm

Më: 4 gusht 2021 Në ora: 18:19
Alain Le Roy

Ish i dërguari special i Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Alain Le Roy, në intervistën ekskluzive për revistën SHENJA flet për vlerën e Marrëveshjes së Ohrit në ndërtimin e shtetit. Duke qenë i dërguar special i BE-së në periudhën 2001-2002, kohë kjo tejet e vështirë për Maqedoninë e atëhershme, Le Roy evokon kujtime interesante që ndërlidhen me zhvillimet politike të atëhershme. Sipas diplomatit francez, dokumenti i nënshkruar më 13 gusht të vitit 2001, që i dha fund konfliktit të armatosur, paraqet një bazë të mirë për ndërtimin e një shoqërie të shëndoshë. Po kështu ai konsideron se Marrëveshja e Ohrit e ka bërë vendin më të qasshëm për të gjitha komunitetet që jetojnë në këtë nënqiell

 “Kjo marrëveshje, me zbatimin e saj, padyshim që luajti një rol të madh në përfundimin e një lufte shumë të rëndë në Maqedoninë e Veriut, sikurse edhe ato që u zhvilluan në vendet e tjera të rajonit, por ajo gjithashtu bëri të mundur që të afirmohet karakteri multietnik i shtetit, duke përforcuar të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë, si dhe të pakicave të tjera, si dhe bëri të mundur decentralizimin e organizimit të shtetit”.

Sipas tij nuk ka një shoqëri krejtësisht të barabartë, por kjo marrëveshje ka bërë të mundur që të bëhet përparim i madh në sendërtimin e shtetit të Maqedonisë së Veriut dhe të bëhet një shpërndarje më e drejtë e të drejtave dhe detyrave të entiteteve të ndryshme që përbëjnë shtetin.

LE ROY, thotë se ajo periudhë ishte jashtëzakonisht e dendur dhe e ngjeshur, pasi lufta mund të rifillonte në çdo kohë, por ajo që mbetet është guximi dhe pjekuria e liderëve politikë të asaj kohe dhe uniteti i aktorëve të bashkësisë ndërkombëtare, BE-së, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s, OSBE-së. Ai thotë se ka patur shumë momente të vështira në atë kohë, por kurrë nuk I ka shkuar ndërmend që të heqë dorë.

“Ka pasur shumë momente të vështira, në të cilat duhej të reagonim shumë shpejt, për shembull kur diskutimet në Parlament u bllokuan tërësisht, kur kishte pengmarrje, që mund të përkeqësonte situatën, kur shtoheshin kërcënimet për veprime të armatosura, kur disa aktorë dëshpëroheshin, e kështu me radhë… Por në asnjë moment, askush nga ata që morën pjesë në ndërmjetësim, nuk kishin tundimin të hiqnin dorë, sepse ishte momenti shumë i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut”.

Alain Le Roy, ish i dërguari special i Be-së thotë se ndjehet krenar, që ka qenë njëri nga ata, që ka ndihmuar për të zgjidhur konfliktin në mënyrë paqësore, në interesin e të gjithëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat