KSHZ-ja shprehet i gatshëm për procesin zgjedhor për zgjedhjet lokale

Maqedonia

KSHZ-ja shprehet i gatshëm për procesin zgjedhor për zgjedhjet lokale

Më: 15 tetor 2021 Në ora: 21:29
KSHZ-ja

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve shprehet i gatshëm për procesin zgjedhor për zgjedhjet lokale. Nga ky institucion njoftojnë se është shpërndarë materiali i besueshëm zgjedhor nëpër Komisionet Komunale Zgjedhore që më pas të bëhet shpërndarja e tij nëpër vendvotime. Risia e zgjedhjeve janë terminalet për identifikimin e votuesve me shenjat e gishtave për përdorimin e të cilëve janë trajnuar kryetarët dhe nënkryetarët e këshillave zgjedhor.

“Është dorëzuar edhe materiali i besueshëm. Sot nga ana e sektorit për listën zgjedhore dorëzohen edhe pajisjet e identifikimit për mënyrën e votimit me gjurmë të gishtave. Të gjitha përgatitjet janë të ndërmarra në kohë dhe besojmë se nuk do të hasim në ndonjë problem më të madh përveç pjesës teknike ose ndoshta ndonjë gabim të vogël.” – tha Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ-së

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë gjithsej 1 milion e 824 mijë e 864 persona. Të shtunën do të votojnë 1899 të burgosur, 351 persona në shtëpitë e pleqve dhe 6 të shpërngulur të brendshëm.

VIZRT – KSHZ

1 824 864 – persona me të drejtë vote

1899 – të burgosur me të drejtë vote

351 – në shtëpitë e pleqve

6 – të shpërngulur të brendshëm

Nesër do votojnë edhe personat e sëmurë dhe të pafuqishëm por kërkesat e tyre janë duke u përpunuar akoma. Në përpunim e sipër nga organet është edhe numri i personave që janë në izolim e që kanë kërkuar t’u mundësohet e drejta e votës.

Nënkryetarja e KSHZ-së Ditmire Shehu thotë se janë marrë të gjitha masat për respektimin e protokolleve shëndetësore gjatë zgjedhjeve.

“Komunat në kohë ishin të informuara se duhet të bëjnë dezinfektimin e të gjitha hapësirave të vendvotimeve një ditë para mbajtjes së votimeve dhe pas votimeve ditën e diel gjithashtu komunat duhet të bëjnë dezinfektimin e vendvotimeve.” – tha Ditmire Shehu, nënkryetare e KSHZ-së

Janë gjithsej 80 komuna dhe qyteti i Shkupit si dhe 3480 vendvotime në të gjithë vendin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat