Nikollovski: Prodhuesit e mollëve për herë të parë do të kenë dy pagesa për subvencione

Maqedonia

Nikollovski: Prodhuesit e mollëve për herë të parë do të kenë dy pagesa për subvencione

Më: 9 shkurt 2022 Në ora: 19:23
Foto ilustrim

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikolovski, i cili sot në Resnjë u takua me prodhuesit e mollëve, paralajmëroi se këtë vit për herë të parë do të bëhen dy pagesa për subvencione.

“Në Programin e ri për përkrahje financiare në bujqësi 2022 i harmonizuar me rregulloret evropiane, këtë vit kemi pilot masë të re vetëm për pemëtari, por nga viti i ardhshëm edhe për sektorët tjerë, sipas të cilit të gjithë pemëtarit do të marrin paradhënie prej 12.000 denarë nga shuma totale e subvencionit bazë në vitin aktual, ndërsa pjesa tjetër e subvencionit bazë do të paguhet vitin e ardhshëm si më parë. Programi i ri 2022 është publikuar në Gazetën Zyrtare dhe pemëtarët për herë të parë këtë vit do të marrin subvencionim linear prej 12.000 denarë për hektar, kjo është pagesa e parë si në çdo shtet evropian, pastaj pjesën tjetër të subvencionit bazë do ta marrin vitin e ardhshëm”, tha Nikolovski.

Sipas tij, kjo është një reformë e re evropiane në procesin e pagesës së subvencioneve, e cila paguhet 30 për qind ndërsa e cila nga viti 2023 do të zbatohet për të gjitha kulturat bujqësore.

Nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave informojnë se pjesë e risive në Programin 2022 është edhe rritja e shumës për bashkëfinancim të masës për naftën e gjelbër, për shkak të rritjes së çmimit të naftës.

Sipas Programit të ri, thonë nga Ministria e Bujqësisë, fshihen edhe kriteret për sipërfaqen e raportuar, përkatësisht bartësit e njësive bujqësore të regjistruar si kryes të veprimtarisë bujqësore në përputhje me Ligjin për Veprimtarinë Bujqësore ose si fermerë individualë në përputhje me Ligjin për pension dhe sigurim invaldior, do të marrin 20 për qind mjete shtesë financiare.

Në takimin në Resnjë është biseduar edhe për kërkesën e prodhuesve të mollëve për vazhdimin e masës intervenuese për subvencionimin nga tre denarë për kilogram për mollën industriale të shitur, për çka ministri Nikolovski theksoi se do të përcaktohet një zgjidhje e duhur me të gjitha institucionet kompetente dhe pas analizave të bëra dhe kontrolleve të Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë.

Nikollovski informoi se së shpejti do të fillojë realizimi i projektit për ndërtimin e qendrave moderne blerëse në Resnjë, Shkup dhe Strumicë. Janë duke u përgatitur reforma të mëdha në bujqësi përmes zgjidhjeve të reja ligjore si ligji për rregullimin e tregut i cili do të përcaktojë politikat e tregut dhe do të hapë mundësinë për formimin e shoqatave të prodhuesve, pastaj ligji për pagesat direkte, ligji për zhvillimin rural, ligji për shërbimet këshillimore, ligji i sigurimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat