Pendarovski: “Ballkani i Hapur”, ide e mirë por jo alternativë për BE-në

Maqedonia

Pendarovski: “Ballkani i Hapur”, ide e mirë por jo alternativë për BE-në

Më: 30 maj 2022 Në ora: 14:01
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka deklaruar të hënën se nisma “Ballkani i Hapur” mund të jetë një ide e mirë për bashkëpunim mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, por jo edhe alternativë për Bashkimin Evropian, që, sipas tij, duhet të jetë prioritet për rajonin.

“Unë që në vitin 2019 kam pasur rezerva lidhur me këtë nismë dhe i kam thënë se cilat janë, të mos jetë si alternativë e Bashkimit Evropian e kështu me radhë... Unë e kam thënë se unë nuk kam problem me këtë nismë dhe këtë ia kam thënë edhe iniciatorëve të saj, pasi e shoh se nuk ka komponentë politikë, apo në thelb nuk është alternativë për integrimet evropiane”, ka deklaruar Pendarovski në një deklaratë për mediat lokale në Shkup.

Ai i ka dhënë mbështetje Procesit të Berlinit, i cili, sipas tij, mbështetet edhe nga institucionet e Bashkimit Evropian.

Procesi i Berlinit, iniciativë diplomatike e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, ka filluar në vitin 2014, me qëllim për të mbështetur një të ardhme paqësore, të qëndrueshme dhe demokratike të Ballkanit Perëndimor, si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të rajonit.

“Procesi i Berlini është më i mirë sesa Ballkani i Hapur. Këtë e kanë vlerësuar edhe pjesa më e madhe e shteteve evropiane. Është qëndrim edhe i Bashkimit Evropian edhe i Komisionit Evropian. Ballkani i Hapur duhet të jetë pjesë e Procesit të Berlinit, i cili duhet të shërbejë si ombrellë apo nismë për rajonin drejt integrimit evropian... Tani për tani qëndrimi i KE-së është se të gjithë duhet të jenë në Procesin e Berlinit dhe të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit janë në këtë nismë, ndërsa tri janë pjesë e Ballkanit të Hapur”, ka deklaruar Pendarovski duke njoftuar se në takimit e radhës të iniciatorëve të Ballkanit të Hapur do të marrë pjesë edhe Mali i Zi, në cilësinë e shtetit vëzhgues, por që pretendon që bëhet vend anëtar.

“Mali i Zi me gjasë do të bëhet (anëtar) dhe këtë ma ka thënë kryeministri i ri, Dritan Abazoviq në takimin që kisha në Davos. Fillimisht si vëzhgues dhe në këtë cilësi vjen në Ohër. Më pas dëshiron të anëtarësohet. Kosova dhe Bosnja do të mbeten jashtë nismës”, ka deklaruar presidenti maqedonas.

Takimi i radhës i nismës “Ballkani i Hapur” do të mbahet në Ohër, më 7 dhe 8 qershor.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “Mini-Shengenit” ballkanik, e prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kur u prezantua nisma e “Ballkanit të Hapur”, asokohe Mali i Zi me Qeverinë e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), nuk pranoi të merrte pjesë në këtë nismë rajonale.

Kosova dhe Bosnja e Hercegovina nuk e mbështesin këtë iniciativë.

Ndërkohë, presidenti maqedonas, ka folur edhe për nismën e presidentit të Francës, Emmanuel Macron për komunitetin politik duke theksuar nevojën e më shumë informacioneve se për çfarë nisme bëhet fjalë apo nëse do të vlejë për të gjitha shtetet joanëtare të BE-së, apo vetëm për Ukrainën dhe dy shtetet tjera, Gjeorgjinë dhe Moldavinë.

“Ne në rajon duhet të dimë sa më shpejt se cila është përmbajtja e një propozimi të tillë. Është thënë se ideja ka dalë nga konferenca për të ardhmen e Evropës, por kjo nuk është e mjaftueshme pasi kjo nuk është thënë nga ndonjë ekspert, por nga presidenti i Francës dhe është mbështetur nga kancelari gjerman...Prandaj ne duhet ta dimë nëse kjo iniciativë është vetëm për Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, por jo edhe për Ballkanin Perëndimor... Ne duhet ta dimë nëse ideja është vetëm për një treg të përbashkët. Duhet ta dimë nëse do të ketë institucione politike, apo se a do kemi të drejtën e votës apo vetëm të drejtën e pranisë. Më shumë se 20 vjet po u flasim qytetarëve vetëm për NATO-n dhe BE-në dhe tani nuk mund t’u themi atyre shihni se tani ka diçka tjetër, pra me çfarë kredibiliteti dhe fytyre do të dalim dhe t’i gënjejmë prapë ata?” ka deklaruar mes tjerash Pendarovski.

Më 9 maj, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron propozoi krijimin e një organizate të re politike, për të bashkuar vendet e kontinentit që ndajnë vlerat e BE-së, por që nuk janë pjesë e bllokut./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat