20 zyrtarë e aktivistë të BDI-së i çojnë letër Ali Ahmetit

Maqedonia

20 zyrtarë e aktivistë të BDI-së i çojnë letër Ali Ahmetit

Më: 25 shtator 2022 Në ora: 11:31
Ali Ahmeti

Nënkryetarë të BDI-së, deputetë, kryetarë komunash, kryetarë degësh e nëndegësh, anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm dhe zyrtarë të tjerë partiak kanë ngritur zërin sipas tyre për kthimin e Bashkimit Demokratik për Integrim në misionin e nisur 18 vite më parë.

Në letër thuhet se sjellja arrogante dhe diletante e ekzekutivit në krye me Artan Grubin, kanë shkaktuar pakënaqësi, revoltë dhe pasivitet të strukturave dhe të votuesve.

Reagimi i plotë:

Duke patur parasysh gjendjen e krijuar organizative për brenda BDI-së gjatë një periudhë dyvjeçare, jemi të detyruar të ngremë zërin dhe të reagojmë që atë të cilën e kemi krijuar me mish e me shpirt, pra Bashkimin Demokratik për Integrim, ta kthejme në pozitën siç zhvillohej plot 18 vite- pra mirë të organizuar dhe mirë të strukturuar.

Bashkimi Demokratik për Integrim nuk është thjeshtë një parti politike, por BDI është vlerë, e cila 18 vite ka ruajtur dhe ka avancuar të drejtat e shqiptarëve, një familje e hapur dhe me konsultime brenda për brenda, pa privilegje individuale, me organe statutare dhe me rritje të vazhdueshme të trupit elektoral. Si të tillë duhet patjetër ta kthejmë aty ku e ka vendin.

Ne konstatojmë:

-Në BDI gati për dy vite nuk ekzistojnë dhe nuk themelohen organet statutare partiake! -Si pasojë e kësaj, vendimmarrja politike është bërë pronë individuale! -Nuk ka debat dhe konsultime me bazat partiake! -Zgjedhjet kadrovike janë shndërruar në privilegje të individit Artan Grubi!

-Nuk ka llogaridhënie për punën e Qeverisë dhe programin politik për gati dy vite!

-Për shkak të mosfunksionimit të jetës organizative të Bashkimit Demokratik për Integrim, ne konstatojmë se ka rënie të mbështetjes për partinë (zgjedhjet e fundit në Tetovë)!

-Sjellja arrogante dhe diletante e ekzekutivit në krye me Artan Grubin, kanë shkaktuar pakënaqësi, revoltë dhe pasivitet të strukturave dhe të votuesve!

Koncentrimi i pushtetit politik, programor e kadrovik tek individi dhe përjashtimi i strukturave meritore nga vendimmarrja politike dhe tendenca për tjetërsimin e BDI-së, ka shkaktuar revoltë tek anëtarësia më meritore për fitoret e BDI-së ne të kaluaren.

Pikerisht për keto arsye kërkojmë:

-Debat politik brenda partisë për tejkalimin e kësaj situate; -Pergjegjësi dhe llogaridhënie nga mbajtësit e pushtetit ekzekutiv; -Apelojmë që të ndërpritet “lufta” politike brenda llojit;

I bëjmë thirrje anëtarësisë dhe strukturave partiake që të angazhohen në evitimin dhe tejkalimin e këtyre dukurive dhe të kesaj situate;

-Kërkojmë nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti që të shfrytëzojë autoritetin e vet politik dhe statutar për gjetjen e një zgjidhje për ruajtjen e unitetit partiak.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat