Lotët e Angela Merkel dhe buzëqeshja e Hotit

Opinione

Lotët e Angela Merkel dhe buzëqeshja e Hotit

Ismet Rashiti Nga Ismet Rashiti Më 11 dhjetor 2020 Në ora: 18:01
Angela Merkel

Dy ditë më parë Kancelarja gjermane Angela Merkel qante në Bundestagun gjerman rreth gjendjes së vështirë të pacientëve me Coronavirus në Gjermani. Ishte shumë e sinqert, plotë emocione dhe hapur fliste para përfaqësuesve të popullit gjerman. Me pak fjalë kjo është kultura dhe përgjegjësia e një burrshtetasi ndaj qytetarëve. Kjo është mënyra e sjelljes dhe e përgjegjësisë së udhëheqësve në një vend demokratik. Pra udhëheqësi nuk është aty për të gënjyer e mashtruar qytetarët, por për të udhëhequr me kompetencë dhe me përgjegjërsi të lartë shtetërore në të gjitha zhvillimet dhe për të qenë me qytetarët në të gjitha zhvillimet e vendit. 

Në Kosovë, Kryeministri Avdullah Hoti dhe ministri i Shëndetësisë Zemaj, flasin e shkruajnë papërgjegjësi para populli shqiptar sikur çdo gjë është në rregull! Madje nuk ju mungojnë as buzëqeshjet hipokrite. Krejt rrena, demagogji, inskenime e mashtrime thuajse populli nuk po ballafaqohet në çdo moment me jetën e vështirë dhe reale, jo vetëm në shëndetësi.  

Krejt kjo duke dasher t'a ruajnë karrigën e mjerë dhe "privilegjet" e tyre. Edhe më brengosës është fakti  se jo vetëm këta, por gjithë klasa politike në Kosovë, fatëkeqësisht e kanë të njejtin mentalitet. Rrena dhe demagogjia politike par fat të keq janë bërë "kulturë" në jetën politike, e pastaj edhe në shumë segmente tjera të shoqërisë sonë.

Image
Avdullah Hoti

Populli nuk është i çmendur. E kupton gjendjen dhe mundësitë reale që ka Kosova, por ama askush nuk duhet të përpiqet t'a mashtroi në çdo moment për interesa meskine! Në këtë mënyrë është degraduar së tepërmi autoriteti institucional e shtetëror. Askush, as brenda, as jashtë nuk i merrë seriozisht deklaratat e politikanëve të Kosovës. Madje kjo retorikë politike është bërë neveritëse, jo vetëm në opinionin shqiptar, por sidomos në qendrat serioze dhe vendimmarrëse të Evropës! 

Si të tillë e kanë humbur besimin dhe askush nuk ju beson për asgjë, madje edhe kur bëhet ndonjë punë e mirë!

Keq shumë keq ku jemi katandisur. Askush nuk u beson për asgjë. Kjo politikë ka bërë që të jemi të izoluar si shtet dhe si qytetarë dhe ky izolim për fat të keq do të zgjas derisa në ditë Evropën do mësohemi t'a duam me vlera, me punë, me sinqeritet dhe me ligj, e jo me inskenime të natyrave të ndryshme!

Këto ditë Eurodeputeti austriak Harald Vilimsky tha: “Kosova është një vend mafioz, s’ka vend në BE”. Ky është vetëm njëri nga mendimet e shprehura publikisht. Po sa janë mendime të ngjajshme ose të përafërta që nuk thuhen, tregon fakti që Kosova dhe qytetarët e saj ende nuk kanë arritur të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian dhe gjetiu! Ka një dekadë që politikanë të ndryshëm kanë premtuar e rrahur gjoks nëpër fushata elektorale për liberalizimin e vizave sikurse edhe premtime tjera pa mbulesë dhe për inatë të njëri tjetrit.  

Kjo mënyrë e sjelljes politike, ka bërë që Serbisë t'i shitet çdo rrenë që sajon për Kosovën dhe shqiptarët!

Zoti e bëftë mirë!

Zoti e bekoftë Kosovën!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat