Gjykata e Lartë në Beograd ka caktuar masën e paraburgimit dhe ka lëshuar fletarrestim për Millan Radoiçiqin, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga kjo gjykatë.
Radoiçiqi, i cili kërkohet nga policia ndërkombëtare, INTERPOL, për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës, është nën hetime nga Prokuroria e Lartë Publike në Serbi.
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) ka lëshuar fletarrestimin për sulmin në Banjskë, për shkak se Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it. – Shkruan BOTA SOT.
Çfarë do të thotë fletarrestimi për Radoiçiqin në Serbi? Përse një fletarrestim për të nuk u lëshua më herët, deri sa Vuçiqi ishte president i Serbisë?
Vërtet, serbët kanë politikë të thellë, në veçanti kur bëhet fjalë për shtetin. Ata nuk e sakrifikojnë shtetin e tyre për asnjë individ. Por, të kuptohemi se as nuk ka ndonjë individ që pranon ta dëmtojë shtetin e vet për shkakun e tij.
A është i njëjti Radoiçiq sot me atë të mëparshmin? Si emër dhe si individ – po, por politika brenda Serbisë ka ndryshuar. Kjo nuk do të thotë se ai do të dënohet me sa e sa vite burgim. Edhe po të arrestohej në Serbi, atje do të dënohej me një dënim të lehtë, sa për të thënë, ose ndoshta nuk do të dënohej fare. Mirëpo, fletarrestimi flet shumë në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Serbia, si gjithmonë, dëshiron të jetë mirë edhe me Rusinë, edhe me Bashkimin Evropian, prandaj edhe e lëshon fletarrestimin. Tani, kur lëshohet fletarrestimi për Radoiçiqin, a do të duhej të arrestohej edhe Vuçiqi, i cili ka gisht në sulmin e Banjskës në Zveçan, përmes Radoiçiqit, të cilin e kishte udhëzuar dhe këshilluar për të sulmuar? Pikërisht për këtë arsye, Vuçiqi nuk e kishte dorëzuar atë në prokurori e as në gjykatë dhe nuk ishte lëshuar asnjë fletarrestim për të gjatë gjithë kësaj kohe, për më shumë se tri vjet. Ai nuk u arrestua as në bazë të fletarrestimit të lëshuar nga INTERPOL-i përmes UNMIK-ut, deri më tani.
Fletarrestimi i tij është politik, pasi pretendohet se në Serbi gjykatat janë të pavarura dhe askush nuk është mbi ligjin, pra as Radoiçiqi, të cilin autori e cilëson si terrorist dhe kriminel, e që ka edhe aktakuza të tjera penale.
Krejt kjo bëhet që Serbia të përfitojë nga Bashkimi Evropian, e jo sepse Serbia është bërë ndryshe apo sepse do të jetë demokratike pas zgjedhjeve të 25 tetorit 2026.
Fletarrestimi u lëshua ende pa u formuar qeveria e re e Serbisë, pas zgjedhjeve, gjoja se kjo është meritë e gjykatave të lira. Sikur nuk ishin të njëjtat gjykata edhe deri sa Vuçiqi ishte president i Serbisë!
Prandaj, nuk duhet të shpresojmë fare se do të ndodhë diçka demokratike atje, e as se do të dënohet Radoiçiqi, i cilësuar si terrorist, së bashku me pjesëmarrësit e tjerë në sulmin e Banjskës, përfshirë edhe Vuçiqin.
Pikërisht për këtë, të moshuarit tanë na thoshin se Serbia ka politikë të thellë dhe kështu po dëshmohet edhe tani.
Ata janë largpamës, shohin edhe përpara, edhe anash, ndërsa ne shohim shkurt dhe nuk shohim fare anash. Pra, politikisht, jemi tepër dritëshkurtër, ose nuk shohim fare. Verbohemi nga lavdia, të cilën nuk duam dhe nuk lejojmë të na e “ulë” askush, edhe kur nuk e meritojmë.
Nuk është lavdi kur ne i kryejmë detyrat tona ndaj shtetit. Ato janë detyrime. Lavdi mund të jetë kur ne bëjmë diçka më shumë sesa e kemi për detyrë ndaj shtetit. Ata japin edhe fëmijët, japin edhe familjet për shtetin, ndërsa ne jo. Tek ne, vetëm një Adem Jashari ka sakrifikuar dhe ka dhënë familjen për liri dhe për shtet. Të tjerët, në veçanti pas luftës, vetëm sa e kemi zhvatur shtetin tonë me gjithçka që kemi mundur, me çdo gjë që na ka ardhur në dorë.
Do ta shihni dhe dëgjoni se si Serbia do të lavdërohet për këtë fletarrestim nga BE-ja, si një hap i rëndësishëm i saj.
Kjo është politika e thellë serbe!