A mund të quhet promovim i bashkimit të kulturave evropiane një koncert ku interpretohet melodia e një kënge serbe që Kosovën e paraqet si pjesë të Serbisë dhe përcjell mesazhe nacionaliste e pretendime territoriale ndaj shtetit të Kosovës? Kjo është pyetja që duhet t’i bëhet Komisionit Evropian, organizatorëve të këtij aktiviteti dhe të gjithë atyre që ishin përgjegjës për përzgjedhjen e repertorit muzikor.
Ajo që ndodhi më 15 nëntor në Bruksel, gjatë mbrëmjes hapëse të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, nuk mund të kalojë thjesht si një gabim i zakonshëm artistik. Në një aktivitet që pretendohej se kishte për qëllim promovimin e harmonisë, bashkëjetesës dhe bashkimit të kulturave, u përfshi melodia e këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila përmban mesazhe që kundërshtojnë heqjen dorë nga Kosova dhe e paraqesin atë si tokë serbe.
Edhe pse vargjet e këngës nuk u kënduan, interpretimi instrumental i melodisë, i shoqëruar me shfaqjen e titullit të saj në ekran, nuk e zhduk domethënien politike dhe historike të kësaj kënge. Një melodi nuk mund të shkëputet aq lehtë nga mesazhi që përfaqëson, sidomos kur bëhet fjalë për një këngë që përmban pretendime territoriale ndaj Kosovës.
Dhe këtu lind pyetja thelbësore: po sikur në të njëjtin koncert të ishte përzgjedhur një këngë shqiptare me përmbajtje të ngjashme, me pretendime territoriale ndaj Serbisë, duke vënë në pikëpyetje kufijtë dhe sovranitetin e saj? A do ta kishin pranuar muzikantët një përzgjedhje të tillë? A do të ishte konsideruar kjo një kontribut në bashkimin e kulturave evropiane?
Përgjigjja e kësaj pyetjeje meriton të kërkohet seriozisht nga organizatorët. Sepse standardet e respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial duhet të jenë të njëjta për të gjithë. Nuk mund të ketë një masë për Kosovën dhe një tjetër për Serbinë.
Është veçanërisht shqetësuese që një zgjedhje e tillë ndodh pikërisht në një aktivitet të Komisionit Evropian, një institucioni që promovon paqen, pajtimin, demokracinë dhe respektimin e vlerave evropiane. Kosova ka një histori të dhimbshme të represionit, diskriminimit dhe luftës. Këto nuk janë çështje të parëndësishme që mund të anashkalohen në emër të një interpretimi muzikor.
Kënga në fjalë u krijua në vitin 1989, në një periudhë të ngritjes së nacionalizmit serb nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviqit. Ishte pikërisht koha kur Kosovës iu suprimua autonomia dhe kur shqiptarët përjetuan represion të rëndë politik e institucional. Prandaj, simbolika e kësaj kënge nuk mund të trajtohet jashtë kontekstit historik në të cilin u krijua dhe mesazhit që përcjell.
Keqardhja e shprehur nga komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, është një reagim që duhet marrë parasysh. Por a mjafton vetëm keqardhja? Kur një institucion i rëndësishëm evropian organizon një aktivitet të tillë, përgjegjësia për përmbajtjen dhe mesazhin e tij nuk mund të shmanget me një deklaratë se përzgjedhja ishte bërë nga muzikantët dhe se ajo nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Komisionit Evropian.
Atëherë, kush i përzgjodhi këngët? Kush e shqyrtoi repertorin? A ishte askush në dijeni të përmbajtjes dhe domethënies së kësaj kënge? Dhe, mbi të gjitha, a do të kishte ndodhur e njëjta gjë sikur mesazhi të drejtohej kundër Serbisë?
Evropa duhet ta kuptojë se pajtimi nuk ndërtohet duke shpërfillur ndjeshmëritë historike dhe politike të popujve. As nuk ndërtohet duke relativizuar mesazhe që prekin sovranitetin e një shteti të pavarur. Pajtimi kërkon respekt të ndërsjellë, përgjegjësi dhe standarde të barabarta.
Kosova nuk kërkon trajtim të privilegjuar. Kërkon vetëm atë që u takon të gjithë popujve dhe shteteve evropiane: respekt për identitetin, historinë, shtetësinë dhe sovranitetin e saj.
Një koncert që synon të promovojë bashkimin e kulturave duhet të jetë urë afrimi, jo një hapësirë ku rikthehen simbole dhe mesazhe që mund të interpretohen si mohim i realitetit shtetëror të Kosovës.
Prandaj, pyetja ime mbetet e thjeshtë, por shumë domethënëse: a do të ishte toleruar e njëjta zgjedhje sikur kënga të kishte pretendime territoriale shqiptare ndaj Serbisë?
Nëse jo, atëherë është koha që edhe Kosova të trajtohet me të njëjtin standard respekti.
Bashkimi Evropian duhet ta kuptojë njëherë e përgjithmonë se respekti për Kosovën, historinë, identitetin dhe shtetësinë e saj nuk mund të jetë kurrë çështje kompromisi. Kosova e ka përcaktuar qartë rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe integrimeve euroatlantike, duke synuar të ndërtojë marrëdhënie të mira, miqësore dhe partneritet të qëndrueshëm me BE-në dhe të gjithë fqinjët e saj. Por ky rrugëtim duhet të mbështetet në respekt të ndërsjellë, barazi dhe dinjitet, sepse miqësia ndërtohet mbi parime të përbashkëta dhe jo mbi heshtjen përballë çështjeve që prekin shtetësinë dhe dinjitetin e Kosovës.