Letër publike drejtuar Komisioneres për Zgjerim të BE-së, Marta Kos
E nderuar zonja Kos,
Në mbrëmjen hapëse të edicionit të dytë të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Europian në Bruksel, më 15 nëntor 2026, në praninë tuaj u interpretua kënga nacionaliste e shoviniste serbe „Oj Kosovo, Kosovo“. Kjo këngë është tashmë e njohur se përdoret nga qarqet raciste të Serbisë, e sidomos të Beogradit, si himn kundër shtetit të Kosovës dhe pavarësisë së saj, shtet të cilin e ka njohur shteti juaj, Sllovenia. Por për fat të keq, me dijeninë tuaj ose jo, kënga raciste serbe u interpretua si melodi nga grupi slloven „Kapobanda“, i ftuar gjithashtu nga ana juaj, ndërsa titulli i saj u shfaq në ekran!
Ju, zonja Komisionere për Zgjerimin e Bashkimit Europian, shprehët keqardhje dhe u kërkuat falje „të gjitha palëve“. Thatë se zgjedhja e melodisë u ishte besuar muzikantëve dhe se ngjarja nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Komisionit Europian, ndërkohë që afërsia e muzikantëve me ju është e dukshme. Me këtë reagim, e nderuar, fatkeqësisht e shprehët implikimin tuaj në këtë histori racizmi në kryeqytetin e Europës, sepse e thjeshtuat ngjarjen në sjelljen e muzikantëve dhe me një reagim të mjegullt, sikur Komisioni të mos kishte gisht në të. E shitët provokimin që u bë nën kujdesin tuaj si diçka që ndodh, për të cilën u dashka kërkuar falje të gjitha palëve.
Meqë jemi te këto „palët“, zonja Kos, cilat palë përveç Kosovës janë lënduar nga kjo? Për kë e keni fjalën kur u kërkoni ndjesë të gjitha palëve? Sepse është krejt e kuptueshme se pala e kërcënuar nga një politikë gati dyshekullore e shovinizmit serb është Kosova dhe asnjë vend tjetër. A mos ndoshta i kërkoni falje edhe Serbisë, pasi ndoshta keni përdorur një melodi të këngës serbe kundër Kosovës pa lejen e saj? Apo qëndron e kundërta? Doni të thoni se „serbët nuk janë fajtorë“ për këtë melodi të luajtur në skenën e aktivitetit tuaj? Mos doni me këtë të largoni dyshimet se kjo ngjarje është skenarizuar bashkë me Beogradin?! Reagimi juaj, në funksion të relativizimit të ngjarjes, është akoma më skandaloz sesa vetë ngjarja që ndodhi, zonja Komisionere për Zgjerim. Ndërkohë, është detyra juaj të mbani ekuilibrat e duhur për shtetet ballkanike, e sidomos për ato që janë krijuar si rezultat i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
Kundër kësaj ngjarjeje të turpshme kanë reaguar deputetë të Parlamentit Europian, si dhe autoritetet e Kosovës, përfshirë kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kryenegociatorin Jeton Zylfaj, ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, e të tjerë. Autoritetet e Kosovës kanë qenë dhe janë të pakënaqura me qëndrimet tuaja dhe me kujdesin që duhet të tregoni për ta ndihmuar këtë vend të marrë statusin e vendit kandidat. Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor pa status kandidati. Por me sa duket, e nderuar, ju po ndiqni vijën e Borrellit dhe të Lajçakut për Kosovën.
Me këtë rast ju kërkoj që, në emër të drejtësisë, t’i kërkoni ndjesë Kosovës dhe vetëm Kosovës për atë që ndodhi në Bruksel mbrëmjen e 15 nëntorit. Ju kujtoj se melodia dhe ritmet e asaj kënge nuk drejtohen vetëm kundër shtetit të Kosovës, të cilin ju, ndryshe nga ç’bën shteti juaj, Sllovenia, e nënçmoni. Ajo këngë ka vargje tronditëse luftënxitëse që shkojnë përtej Kosovës. Është këngë e inspirimit të nacionalizmit dhe shovinizmit serb për të destabilizuar në emër të Serbisë së Madhe të gjithë rajonin. Dhe rajoni ynë është pjesë vitale e kontinentit europian. Nëse ndodh kjo, kryeqytetet e Europës dhe Brukseli do ta harrojnë se çka po ndodh në Ukrainë. Dhe ju, zonja Komisionere, po kontribuoni në destabilizimin e Europës, ndërkohë që paguheni për bashkimin e unitetin e saj.
Ajo që ndodhi të dielën e shkuar në Bruksel është e paprecedentë në historinë e BE-së. Ndërkohë, ju dhe Komisioni Europian e keni në majë të gjuhës luftën që i duhet bërë racizmit etnik e fetar në kontinentin tonë. Teorikisht zbatoni parime humane, por në praktikë nuk sensibilizoheni për të luftuar kundër racizmit serb. Këtë që bëni ju, nuk do t’ua falë historia. Arsyet pse veproni kështu i dini vetëm ju! Për mua është e vështirë ta perceptoj se si një komisionere sllovene ndjek rrugën e dy interlokutorëve të shkuar, qëndrimet e të cilëve ishin të kuptueshme, sepse vinin nga dy vende që nuk e njohin Kosovën, Spanja dhe Sllovakia.
Ju takon juve, zonja Kos, një sqarim i qartë, bindës dhe që jep shpresë se asgjë e tillë nuk do të ndodhë në të ardhmen. Nëse jo, atëherë logjikisht ju do të bëheni pjesë e problemit. Dhe nëse bëheni pjesë e problemit anti-Kosovë, koston nuk do ta paguajë vetëm Kosova!