Më 16 nëntor 2026 nisi punimet Forumi i Dytë i Zgjerimit të Bashkimit Evropian, që organizohet nga Komisioni Evropian nën udhëheqjen e komisioneres për Zgjerim, Marta Kos. Ky Forum u zhvillua nën temën, më shumë propagandistike sesa të sinqertë, “Evropë më e gjerë – Evropë më e fortë”. Në të morën pjesë përfaqësues të nivelit të lartë politik nga vendet anëtare të BE-së dhe ato që synojnë anëtarësimin, përfshirë edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, sipërmarrës, artistë, të rinj dhe ekspertë të politikave. Megjithatë, Kosova, jo “pa dashje”, nuk ka pasur përfaqësues në këtë veprimtari...!? Në prag të Forumit, jo rastësisht, por sipas skenarit, nënkuptueshëm të miratuar nga Marta Kos, si drejtuese, u ekzekutua edhe melodia e këngës nacional-shoviniste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila përmban pretendime historike dhe politike serbe mbi Kosovën!? Pavarësisht se si mund t’i justifikojnë vetveten Marta Kos dhe Ursula von der Leyen, ky veprim është skandaloz...! Përkëdhelës dhe servilizues ndaj Serbisë dhe provokues e diskriminues për Kosovën. Nuk mund të mendohet se Marta Kos nuk ka pasur dijeni paraprake, mbështetur edhe te fakti se ishte pikërisht grupi slloven “Kapobanda” që e ka interpretuar këngën serbe “Oj Kosovo, Kosovo”. Ky akt është kritikuar edhe nga ndërkombëtarë të BE-së. Kështu, raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, ka shkruar në platformën X: “Një provokim i qëllimshëm, ose një shfaqje e pastër e injorancës,... një gafë jashtëzakonisht e papërshtatshme dhe pa shije. Komisioni Evropian dhe Marta Kos i kanë borxh Kosovës një shpjegim”!
Një informacion konciz për këtë këngë...
Kjo këngë nis me vargun “Sa Kosova zora sviće”, që në shqip përkthehet “Nga Kosova zbardh agimi”. Ajo është bërë e njohur më shumë përmes refrenit “Oj Kosovo, Kosovo” dhe është një prej këngëve që lidhet drejtpërdrejt me narrativën historike dhe nacionaliste të Serbisë për Kosovën. Është krijuar në vitin 1989 nga kompozitori dhe këngëtari serb Ljubomir Ljuba Manasijeviq, në kuadër të 600-vjetorit të Betejës së Kosovës të vitit 1389. U regjistrua në vitin 1990, ndërsa më vonë u bë hit në manifestime nacionaliste serbe, në programe muzikore nëpër radio dhe televizione të ish-Jugosllavisë e të Serbisë... Në tekstin e saj përmenden Graçanica, Vidovdani, princi Lazar dhe Millosh Obiliqi, figura të rëndësishme të traditës epike dhe fetare serbe. Por mesazhi politik bëhet edhe më i drejtpërdrejtë në vargjet ku thuhet se “Kosova është tokë e tyre dhe se nuk do ta dorëzojnë...”!?
Një variant i kësaj kënge është publikuar më 27 qershor 2022 nga këngëtarja serbe Danica Crnogorčević, në bashkëpunim me grupin etno “Gorica”, me rastin e Vidovdanit. Në prezantimin e këngës, ajo kishte përfshirë edhe një mesazh të mitropolitit Amfilohije, ku Kosova cilësohej si “zemra e zemrës” së popullit serb dhe si vend prej të cilit serbët nuk mund të heqin dorë.
Në këtë kontekst, interpretimi i një kënge me mesazhe të tilla për Kosovën ngre pikëpyetje të mëdha për paanshmërinë politike të përzgjedhjes së repertorit artistik në një veprimtari të BE-së, që synon të promovojë bashkëpunimin dhe afrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor...!?
Marta Kos është distancuar nga përzgjedhja e këngës dhe ka shprehur keqardhje. Por kjo nuk i mbyll pikëpyetjet mbi figurën dhe përgjegjësinë e organizatorëve dhe tendencën proserbe, kur bëhet fjalë për Kosovën.
Një informacion i shkurtër për karrierën politike të Marta Kos...
Marta Kos ka lindur më 28 qershor 1965. Ajo mban postin e komisioneres së Bashkimit Evropian për Zgjerim që nga viti 2024, duke pasuar në këtë detyrë Oliver Varhelyi. Gjatë karrierës së saj diplomatike, ajo ka shërbyer si ambasadore e Sllovenisë në disa vende, edhe në Gjermani dhe Zvicër. Pikërisht gjatë mandatit në Berlin, ajo u njoh me Ursula von der Leyen, e cila në atë kohë ishte ministre e Mbrojtjes e Gjermanisë.
Mandati i saj si ambasadore në Zvicër përfundoi në vitin 2020, kur ajo dha dorëheqje “për mospajtime me politikën e jashtme të qeverisë”. Dorëheqja e saj lidhej edhe me mënyrën se si drejtonte ambasadën në Bernë, pas ankesave të disa punonjësve për stilin e menaxhimit.
Përveç këtyre posteve, Kos ka shërbyer edhe si ambasadore e Sllovenisë në Letoni dhe në Lihtenshtajn.
Në politikën e brendshme sllovene, ajo ishte nënkryetare e partisë Lëvizja e Lirisë. Në vitin 2022 shpalli kandidaturën për presidente të vendit, por gjatë fushatës zgjedhore, ku ia kujtuan edhe angazhimin në UDB gjatë viteve të rinisë, u tërhoq nga gara dhe më pas u largua edhe nga partia, duke deklaruar se “ajo nuk ishte më partia e saj”.
Pas një martese 16-vjeçare, ajo u divorcua nga bashkëshorti i parë dhe aktualisht është e martuar me Henri Getaz, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë. Vëllai i saj, Drago Kos, është një nga ekspertët më të njohur sllovenë në fushën e luftës kundër korrupsionit...
Siç është shkruar në gazeta e rrjete sociale dhe është parë në televizione, në rininë e saj Marta Kos ka qenë e lidhur me UDB-në. Këtë ia kanë kujtuar edhe këtë vit (edhe në javën e dytë të marsit 2026) në Lubjanë, në Parlamentin slloven, si dhe në Bruksel, në Parlamentin Evropian!!! Pra, mund të mendohet se shoqja-zonja Marta Kos mund të ketë nostalgji nga vitet e rinisë si agjente e rekrutuar apo misionare vullnetare e UDB-së!
Akuzat ndaj Marta Kos u rikthyen në qendër të vëmendjes më 10 mars të vitit 2026, pas promovimit të librit "Komisionerja" të autorit slloven Igor Omerza në ambientet e Parlamentit Evropian dhe me iniciativën dhe përkujdesjen e eurodeputetes sllovene Romana Tomc (anëtare e Partisë Popullore Evropiane). Sipas Omerzës, emri i Marta Kos figuron në regjistrat e UDBA-s me numrin 14.000 dhe numrin personal 05448. Studiuesi pretendon se këto të dhëna tregojnë një lidhje të saj me shërbimin sekret dhe ka sfiduar publikisht komisioneren që ta padisë nëse pretendimet e tij nuk janë të vërteta. Po në mars të vitit 2026, Tomc deklaroi se kishte siguruar dokumente të tjera që, sipas saj, ngrenë dyshime mbi deklarimet e mëparshme të komisioneres. Ajo i dërgoi një letër Komisionit Evropian, duke kërkuar që çështja të shqyrtohej.
Komisioni Evropian, më shumë për të fshehur dhe minimizuar subjektivizmin, preferencializmin, përgjegjësinë e tij dhe “duke harruar” spastrimet masive në arkivat e ish-Jugosllavisë, i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se "Kos ka kaluar një proces të plotë verifikimi gjatë nominimit të saj dhe se Komiteti për Çështje Juridike i Parlamentit Evropian nuk ka gjetur asnjë konflikt interesi..."!?
Nuk mund të përjashtohet edhe dyshimi se kjo përgjigje jobindëse mund të jetë imponuar edhe nga Ursula von der Leyen, edhe ajo vetë me kritika, akuza dhe padi ligjore për rastin apo skandalin disa miliardësh PfizerGate, si dhe me miqësi të hershme me Marta Kos.
Pas kësaj mbrojtjeje dhe mbështetjeje, sidomos nga SHEFJA, si dhe nga bindja e sigurt se dosja e saj në Beograd është zhdukur bashkë me 17.000–20.000 mijë të tjerat për Slloveninë nga fundi i viteve 1990 apo më vonë, ishte e pritshme që Marta Kos të bënte engjëllushen apo “të virgjërën”!? Ajo i ka cilësuar akuzat ndaj saj si “dezinformata” dhe "si një instrument i përdorur për beteja të brendshme politike në Slloveni..."!? Pretendimet u rikthyen gjithashtu në muajt e parë të vitit 2026, në sfondin e zhvillimeve politike dhe zgjedhore në Slloveni, ku opozita dhe aktorë të ndryshëm politikë përdorën çështjen e dosjeve të ish-UDB-së për të hapur debate rreth të kaluarës së figurave publike, mes të cilëve edhe për Marta Kos.
Ky libër është i mbushur me fakte e dokumente arkivore dhe jo me sajesa e trillime. Sipas këtij libri, jepen arsye të bollshme për të dyshuar apo për të menduar se Marta Kos është ndihmuar më shumë nga vitet e rinisë në UDB dhe nga miqësia me Sorosët sesa nga niveli i spikatur arsimor e profesional për të bërë karrierë në nivele të larta partiake e në diplomaci...!
Pas këtij debati, kryeministri slloven, Janez Janša (SDS), i kërkoi Serbisë që t’i dorëzojë vendit të tij arkivat e UDB-së, domethënë pjesën e mbetur pas “zhdukjes” apo “djegies” së rreth 17-20 mijë dosjeve!? Nënkuptueshëm, të gjitha sa janë për individë me karriera partiake e politike në struktura të larta, si dhe qytetarë të rangjeve më të ulëta në institucione qeverisëse dhe shtetërore. Mbi të gjitha, që këto dokumente arkivore të jenë "bio", origjinale e jo tepër të seleksionuara e të redaktuara nga censorë qeveritarë të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, në fund të viteve 1960, 1980 e më vonë, për të spastruar nga bashkëpunimi inkriminues figura në poste e detyra me rëndësi në Slloveni, në shërbimin diplomatik, në NATO dhe BE, që i duhen shumë Serbisë, edhe për një kohë të gjatë...!