Edi Rama u doli borxhit shqiptarëve edhe me librin e tij "Kurbani", 2011...!
Përveç me Gërdecin, më 15 mars 2008 dhe me 21 janarin 2011, mund të mendohet dhe llogaritet se Edi Rama i paralajmëroi shqiptarët për çka përfaqësonte dhe mbartte ai, edhe me librin e tij "Kurbani", botuar po më 2011, pra 15 vite më parë.
Duhet të ishte kapur dhe kuptuar mesazhi qysh nga titulli i librit e në ditën e parë të botimit të tij si dhe nga ato që tha më vonë për këtë libër me gojë e shkrim...! Shqiptarët "naivë të moçëm", "të dehur apo të droguar" nga antipd-izmi dhe antiberish-izmi i autorit, nuk e kapën "mesazhin dashamirës" të tij se do të ishin ata "kurbanët", kur të vinte ai në pushtet! Lehtë kuptohet, në fillim si kryeministër e pastaj si sulltan, perandor, car, mbret...!?
Pra, Edi Rama na paralajmëroi dhe doli borxhit të gjithëve!? Ç'faj ka ai që shumica e shqiptarëve nuk e dëgjoi dhe kuptoi apo nuk deshi ta kuptonte dhe të reagonte?! Ai ka edhe arsye të bollshme të pyesë shumicën e atyre që e duan, mbështesin dhe votojnë si të verbër nga dy sytë e nga mendtë: kush ka më shumë probleme me shëndetin mendor, unë që ma nxinë jetën duke ma publikuar kartelën nëpër rrjete sociale apo ju, pa kartela origjinale nga spitale...?!
Edi Rama edhe nga Brukseli, flet si nga Surreli...!?
Kryeministri mbi 13 vjeçar i Shqipërisë, në Euronews Enlargement Summit, mbledhur në Bruksel më 28 tetor, në fjalimin e tij, si të shumtët “historik”, kërkoi që “NATO të hetojë ndërhyrjet dizinformuese të Rusisë edhe në Shqipëri!? Nuk kërkon vrasje të fortë trush për të kuptuar se sipas trurit të tij, publikimi i fakteve dhe të vërtetave, deri në nëpërkëmbje e biznese korruptive me copa të mëdha Shqipërie dhe me interesat kombëtare si dhe përmendja e këtyre akteve në protestat në Tiranë, nga studentët, nxënësit, profesorët, qytetarët; ...na qenka dizinformim e investim apo nxitje nga Inteligjenca ruse, nga FSB e SVR!? Domethënë, jo nga shkaqe e burime të brendshme të keqqeverisjes, skandaleve të pareshtur dhe enverizimit të tij të pandalshëm, shprehur edhe më qartë gjatë ditëve të fundit të tetorit 2026, edhe në dhunën e tejkaluar ndaj nxënësve, studentëve, profesorëve dhe qytetarëve gjatë protestave në Tiranë! Për më tepër, po sipas trurit kryeministror shprehja e të vërtetave dhe kritikat e sakta ndaj atij si kryeministër dhe ekipit qeveritar na qenkan vepra antiligjore, që duhen dënuar me bllokim publikimi në media dhe rrjete sociale dhe me gjoba të larta!? Absurdi, autoritarizmi dhe arroganca e kryeministrit, si në asnjë vend tjetër të BE, anëtar e kandidat, arrijnë deri në imponimin institucioneve të drejtësisë edhe shifrën në 500.000 lekë!? Se sa absurd është ky propozim apo projekt vendim kryeministror mund t'i referohemi vetëm shembullit dhe përvojës së Zvicrës. Në këtë vend DEMOKRATIK gjobat për shkelje ligjore të kësaj natyre, që gjykohen e vendosen nga gjykatat krejt të pavarura nga qeveria, janë në rreth 200, 500, 1000 sfr! Pra, kjo që ka në mendje e mezi pret ta zbatojë kryeministri, as i gjithë shqiptarëve "të majtë", është troç apo lakuriq çensurë apo neodiktaturë! Apo një plagjiaturë nga Enver Hoxha, që mbart e shpreh edhe Ramakraturë!? Nëse e pranojnë këtë kërkesë absurde e me rreziqe të shumta, krerët e NATO-s e të BE-së, do të bënin mirë ta hetonin ndërhyrjen apo ndikimin e Rusisë, nëpërmjet agjenturës së saj të shumtë në Shqipëri si dhe nëpërmjet internetit, duke e filluar nga maja e "piramidës" politike dhe qeverisëse!!! Edhe nëpër kryesi partish; nëpër stafe ministrish, drejtorishë të përgjithshme, bashkishë...! Edhe në sallën e parlamentit dhe stafe ambasadash. Edhe..., edhe...Kudo ku ka politikanë e pushtetarë dhe njerëz të thjeshtë, shqiptarë vetëm nga dokumentet e identifikimit! Domethënë, shqiptarë që shiten e blihen si qumeshti e gjiza; si ullinjtë, mollët, rrushi...; si preshi, kastravecat, specat, lakrat...nëpër tregje allashqiptare e nëpër trotuare!
"Mirëkuptojeni dhe mëshirojeni", Edi Ramën!
Cilin e cilën të ruaj më parë ai "i gjori" apo "i varfri"? Ata para syve e nën hundë, që i servilosen kush e cila më shumë, më artistikisht e më me efekt dhe përfitim...? Apo ata që bëjnë kërdinë pas shpinës së tij, duke u bërë multimilionerë dhe pronarë vilash, resortesh turistike, pallatesh, kullash... me miliona e miliarda shteti dhe me biznese me copa Shqipërie ose kur ai është jashtë shtetit a në gjumë të rëndë, pas një doze të fortë prodhim të ri apo një shisheje verë 33 mijë euroshe Ergysi...?! Apo ata policë shqiptarë e ndërkombëtarë, fytyra fshehur, që masakrojnë "me kokat" e tyre dhe "pa marrë leje prej tij" shesheve dhe rrugëve të Tiranës, studentë e nxënës...? Edhe pse protestuesit i kërkojnë dorëheqjen, mbylljen në burg e qeli, ai nuk i keqkupton, "i don gati- gati njësoj sa djemtë e tij"!? Askush, shqiptar dhe ndërkombëtar, nuk e kupton dhe peshon se sa shumë po heq e po vuan nga shokët e shoqet, miqtë dhe ortakët; bosët dhe oligarkët, që e duan dhe e mbysin me lajka vetëm për të përfituar sa më tepër nga firmat e tij në vkm- e panumërta, "i ziu" këpucë- bardhë, Edi Rama!? Këto ditë nëntori ia shtuan telashet, mëdyshjet, pagjumësinë, dozat e qetësuesve..., edhe sherret e reja me Erion Veliajn, Elisa Spiropalin, Plarent Ndrecën...Sikur të mos mjaftonin këto, edhe zbulimet e vilave dhe milionave të reja në Shqipëri e nëpër botë të Linda Ballukut dhe presionet e ndërkombëtarëve për ta lejuar SPAK- un t'i vërë prangat...Ata pandehin se ajo është një kafshatë e vogël për tu kapërdirë si Elisa Spiropali e se ai e ka të lehtë ta flakë Belindën në kthetrat e SPAK, kur kanë bërë shumë punë të rrezikshme të dy me firmat në vkm!? Për më tepër, kur ajo nuk resht së kërcënuari, për t'u djegur bashkë...!? Këtij “thesari” 13 vjeçar me skandale, turpe, telashe...shkon e i shton një tjetër, më 14 nëntor, socialisti i vjetër, Pandeli Majko, me publikimin e “sekretit” se qenka në dijeni të “1000 orëve me regjistrime nga orgji pornografike edhe nga eksponentë të PS-së...”, pa përjashtuar edhe me poste të larta në qeveri! Aq shumë po ia hanë kohën dhe lodhin trutë këta të për brendshmit në parti e parlament, sa nuk i mbetet kohë e lirë të mendojë e përpiqet "të fitojë ca miliona e miliarda të qelbur" për veten, gruan, djemtë, vëllain...!!!??? Jo rrallë herë i vjen për të qarë, si në çastet kur e nxori nga barku e ëma dhe për të shpëtuar, sikur të ishte gjallë e të ishte e mundur, duke u rikthyer po aty, brenda...!? Kështu do të shpëtonte nga të gjitha të këqijat e të këqijtë, kritikat, rreziqet, telashet...!
"Jo gjithçka mungon" në spitale, shkolla, zyra... qeverie dhe shteti...!
Vërtetë në Spitalin Onkologjik e në spitale të tjerë shtetërore mungojnë shpesh disa ilaçe apo barna! Në plot shkolla nxënësit dhe mësuesit; sa janë mbyllur ose në prag mbyllje; cilësia, disiplina, rregulli, dëshira për të mësuar e për t'u bërë sa më të aftë për punë e jetë, për vete, familjen, vendin, shtetin...Nëpër institucione qeveritare e shtetërore mungojnë përgjegjshmëria dhe angazhimi për t'i kryer punët sa më mirë, më shpejt, me ndershmerisht, pa menduar për zarfin dhe partinë e zemrës..., për t'i falur asaj jo vetëm veten, por edhe votën, edhe pse është përmbyt nga punë pa punë, mbush me turpe e skandale sa po çudit edhe botën...Apo, shpesh herë, mungojnë energjia elektrike, interneti, sistemi...!? Megjithatë, për të mos ia ngrënë fare hakën e për të mos e nxirë krejt realitetin, sipas dëshmitarëve okularë dhe disa mediave jo pro qeveritare, korrupsioni, dozat e drogës, prostitucioni, patronazhizmi, servilizmi... nuk mungojnë asnjëherë nëpër zyrat e piramidës së Rama- qeverisë...!? Nuk mungojnë, biles janë me bollëk edhe bijë e bija, nipa e mbesa, nuse e dhëndurë të drejtuesve të lartë e të mesëm të diktaturës komuniste; diploma- blerësit dhe plagjiaturistët e dy gjinive; të ftuarit e të ftuarat disa herë, jo për kafe, në zyrat e SPAK...!? Janë me tufa edhe Lindat, Oltat, Mirelat, Ogertat, Taulantët, Blendët, Ulsitë, Orgesët, Ermalët, Arturët e Zvërnecit; Sarat, Zegjinete...
Edhe çupat- drejtoresha, përzgjedhur dhe emëruar më shumë se për cv dhe aftësi, për trupa, buzë, gjinj, kofshë...sikur në konkurset për misse e që mund të ishin shumë të kërkuara, pëlqyera, paguara edhe në suita hotelesh me 5 yje e në shtëpi publike të Parisit, Amsterdamit, Romës, Madridit, Barcelonës, Londrës, New Yorkut...apo në rezidenca sheikësh...Nuk mungojnë as pronarë të disa apartamenteve dhe vilave në plazhe e zona preferenciale në periferi të qyteteve, ndërtuar apo blerë me para djerse nga të tjerë, domethënë me miliona në zarfa korrupsioni...! Kështu që mbetet të mendojmë dhe themi se nëpër spitalet, dikasteret, institucionet, zyrat e këtij shteti mungon vetëm... DREJTËSIA, PËRGJEGJËSIA, KEQARDHJA dhe MËSHIRA për shumicën e popullit, NDERSHMËRIA...! Apo, përmbledhurazi, mungon ai "i fundit", më i pavleri, trajtuar nga shumica, si leckë dhe mall gabi, mungon prej 82 vitesh, ai i shkreti, i vërteti...,SHTETI...!