Pak fjalë rreth një “ngushëllimi”

Opinione

Pak fjalë rreth një “ngushëllimi”

Nga: Prof. Dr. Eshref Ymeri Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 07:11
Eshref Ymeri

Në portalin “Fjala e Lirë” të datës 15 dhjetor 2020, lexova reagimin me titull “Nuk ishte aksident, por vrasje me dashje, zoti Rama”, të intelektualit të njohur Abdurahim Ashiku ndaj deklaratës sa absurde, aq edhe marroke të kryeministrit Rama, i cili vrasjen nga polici i tij të të riut Klodian Rasha, e paraqiste si një “vdekje aksidentale”.

Fjalët e intelektualit Abdurahim Ashiku shërbejnë si një shuplakë bukur e fortë, të cilën ia ka dhënë Ramës me mjaft delikatesë, ashtu siç dinë ta japin dibranët, banorë të asaj treve që ka qenë dhe mbetet njëra nga krenaritë e kombit shqiptar, e skalitur aq mjeshtërisht në këngën e kryerapsodit të shquar Azis Ndreu, me titull “Hajredin Pasha”.

Vetëm një kryeministër i nivelit të rëndomtë mund të sillet në atë mënyrë, siç u soll Rama gjatë vizitës “ngushëlluese” në familjen e zotërisë Qazim Rasha, e shqiptarit të nderuar, por shpirtlënduar dhe zemërthyer deri në papërfytyrim, vetëm një kryeministër i marrë deri në nivelin e një njeriu të pafytyrë mund ta luajë një të tillë komedi të shpifur në një situatë tragjike, duke deklaruar paradoksalisht se ajo vrasje na paskej qenë një “vdekje aksidentale”.

Me këtë vrasje, të cilën Rama, si kryeministër i paturp, kërkon ta shesë për “vdekje aksidentale”, vërtetohet konkretisht se Shqipëria ka gati tetë vjet që lëngon nën thundrën e një pushteti diktatorial, nën peshën e rëndë të diktaturës nekomuniste. Dhe s’mund të ndodhë ndryshe, përderisa Rama, si modeli i një njeriu të paaftë për t’u marrë me punë tjetër, zgjodhi politikën, si “varkë shpëtimi”. Prandaj ai ka rënë keq në dashuri me pushtetin. Por njerëzimit i vjen një porosi e çmuar që nga lashtësia. Platoni na mëson:

“Nuk duhet të vijnë në pushtet njerëzit që kanë rënë keq në dashuri me të”.

Aq më tepër, nuk duhet të vijnë në pushtet njerëzit e kategorisë së Ramës, për të cilin avokati i njohur Ilir Malindi ka deklaruar publikisht:

“Edi Rama një i sëmurë psikik tepër i rrezikshëm. Ka diagnozën “skizofren agresiv””.

Për ta ruajtur përjetësisht pushtetin, sipas shembullit të diktatorit neocarist Vladimir Putin, Rama ka krijuar bindjen se karrigia kryeministrore ruhet me dy mënyra kriminale, të cilat kryekrimineli Enver Hoxha i pati përdorur me shumë zell.

E para, frikësimi i popullit, qoftë me burgime, apo here-herë edhe me vrasje, që ai të mos guxojë të ngrihet në protesta të fuqishme për përmbysjen e tij.

E dyta, varfërimi i tij deri në përmasat e mjerimit, në mënyrë që njerëzit me dinjitet të detyrohen të braktisin atdheun dhe aty të mbeten vetëm ata që janë të aftë të shtrojnë kurrizin dhe të keqen ta vlerësojnë si bukën e përditshme.

Në këto kushte, kryeministri Rama, ashtu si edhe kryekrimineli Enver Hoxha, është vënë në rolin e kryetradhtarit të vendit. Sepse kur një diktator përdor këto dy mënyra kundër popullit për jetësimin e pushtetit të vet, nuk mund të vlerësohet ndryshe, përveçse si kryetradhtar. Dhe ka shumë të drejtë intelektuali i shquar nacionalist, prof.dr. Enver Bytyçi, i cili e ka thënë të vërtetën publikisht:

“Edi Rama është hero i kombit, popullit dhe shtetit të Serbisë”.

Prandaj vargjet e Fishtës së Madh kanë një tingëllim mjaft aktual edhe sot e gjithë ditën:

“O Perendi a ndjeve / Tradhtarët na lanë pa Atdhé / E Ti rrin e gjuen me rrfé / Lisat n’për male kot!”?

Dëshiroj me shpirt dhe me zemër që familjes së zotërisë së nderuar Qazim Rasha t’i ndodhem pranë dhe t’i shpreh ngushëllimin tim të thellë për humbjen e Klodianit të shtrenjtë për faj të shtetit të kriminalizuar të diktaturës neokomuniste që Rama ka vendosur në vendin tonë, me përkrahjen e fuqishme të kastës tradhtare në krye të partisë socialiste, çka dëshmon më së miri se kjo parti, e kalbur politikisht, të cilën kryetari i saj e shkel me këmbë kur të dojë dhe sa herë të dojë, duhet shpërbërë përfundimisht dhe të themelohet nga e para, sepse i ashtuquajturi themelim i 12 qershorit 1991, s’ishte gjë tjetër, veçse ndërrim i emrit sa për sy e faqe dhe vijimësi e partisë së punë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat