Kush u largua nga LDK-ja, dështoi!

Opinione

Kush u largua nga LDK-ja, dështoi!

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 29 dhjetor 2020 Në ora: 10:00
LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës, që nga themelimi i saj u sfidua nga largimet e disa zyrtarëve të saj, por të njëjtit asnjëherë nuk arritën të mbijetojnë më pas politikisht, ku disa nga ta u tërhoqën tërësisht nga politika, e disa të tjerë u kthyen sërish në gjirin e partisë së Ibrahim Rugovës. Disa edhe formuan parti politike, por nuk patën sukses.

Një grup i linjës enveriste në krye me Halil Alidemën, dolën nga LDK-ja në vitet e para të formimit të saj dhe formuan partinë UNIKOMB, e cila dështoi.

Në vitin 1993 u larguan nga LDK-ja Mehmet Kraja dhe Ibrahim Berisha, si pasardhës të Jusuf Buxhovit, i cili u largua një vit më herët se ta, me arsyetimin se kishte dështuar të marrë poste partiake brenda LDK-së. Të gjithë këta nuk patën sukses më në politikë.

Ndërsa në vitin 1994-1995, një grup i ish të burgosurve politik në krye me Rexhep Qosjen, formojnë së bashku partinë LBD dhe largohen nga LDK-ja, por që të njëjtin nuk patën sukses kurrë në politik pas atij veprimi.

Menjëherë pas lufte, nga LDK-ja japin dorëheqje edhe Milazim Krasniqi dhe Bujar Bokshi, ku ky i fundit formon “Partinë e Re të Kosovës”, por që dështoi shumë shpejt dhe u kthye prapë në LDK. Milazim Krasniqi nuk e vazhdoi më karrierën politike, ndonëse ishte një ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Një tentim për të formuar parti të re e pati edhe Edita Tahiri, e cila u largua nga LDK-ja dhe formoi Alternativën Demokratike, por që nuk arriti ndonjë sukses dhe dikur ia vuri drynin.

Tash zyrtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Meliahte Tërmkolli u largua nga LDK-ja për të kaluar nga AAK-ja, ku nuk pati sukses dhe u kthye prapë në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Ndarja më e madhe e LDK-së ndodhi në vitin 2006 në “Kuvendin e Karrigeve”, ku Nexhat Daci formoi LDD-në edhe mori pas vete një pjesë të zyrtarëve të LDK-së. Ndonëse entuziasmi ishte i madh për sukses, ata dështuan dhe disa prej tyre i dhanë fund karrierës politike, e disa të tjerë u kthyen sërish në LDK.

Një ndër to tash është deputetja Besa Gaxherri, Adem Salihaj e Naser Rugova.

E 14 vite pas “Kuvendit të Karrigeve”, një ndër zyrtaret më të votuara të LDK-së, Vjosa Osmani ndau rrugët me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke marrë pas vete disa zyrtarë të kësaj partie, përfshirë edhe deputetin Haxhi Avdyli.

Struktura të tjera të LDK-së iu bashkuan ditëve të fundit iniciativës së Vjosa Osmanit.

Por, se a do të ketë sukses Vjosa Osmani, këtë nuk e tregon përvoja e të larguarve nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por tani mbetet të shihet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat