Isa Mustafa, ky tinëzar i madh

Opinione

Isa Mustafa, ky tinëzar i madh

Nga: Ismet Rashiti Më: 2 janar 2021 Në ora: 12:39
Ismet Rashiti

Ka vite që Isa Mustafa po e sillë në gisht LDK-në e Ibrahim Rugovës. Kjo vërtetë është habitëshme, kur dihet se ky njeri megjithëse ishte
ministër i Rugovës, gjatë gjithë kësaj periudhe ka qenë kundër filozofisë politike të tij. Dreqi e din me kë ishte, apo kujtë i shërben sot ky njeri, po asesi nuk ka pasë dhe nuk ka asgjë të përbashkët me filozofinë politike të Ibrahim Rugovës. Me një fjalë nga viti 1996 dhe sidomos gjatë periudhës së luftës çlirimtare, Isa Mustafa, jo vetëm që nuk e mbështeste vijën politike të LDK-së, por, në fakt ishte kundërshtar tinzar i saj. Falë sjelljeve të tij përçarëse, këshillat e 3% në Evropë, pothuaj në tërësi ishin ndarë nga LDK-ja.

Në këtë mënyrë, për një kohë të gjatë ishte krijuar një përqarje e « heshtur » në mes degëve të LDK-së dhe këshillave të 3% në Evropë. Isa Mustafa si ministër i Ekonomisë dhe Financave nuk i jepte llogari askujtë për mjetet e grumbulluara. Ka ndodhur që për shkak tekeve dhe
interesave personale, dueti Bukoshi-Mustafa t’ua ndërprenin financat institcioneve më të rëndësishme të vendit, përfshirë këtu edhe Presidencën. Bile në një rast Presidenti Ibrahim Rugova me ekipin e tij nuk kishin financa as për ti paguar biletat e aeroplanit, ndërkohë që Isa Mustafa shëtiste nga një vend në tjetrin me paratë e 3% të grumbulluara nga djersa dhe mundi i mërgatës sonë. Me një fjalë, Isa Mustafa nuk ka pasur asnjë meritë që të bëhet Kryetar i LDK-së, duke qenë kundër LDK-së dhe për më tepër pa qenë as anëtar i kësaj partie. Se si erdhi deri te ky post edhe sot e gjithë ditën është e paqartë për opinionin shqiptar. 

Pasi u bë kryetar i LDK-së, jo vetëm që e harroi mërgatën, e cila e mbajti gjallë për disa vite rresht, duke ja blerë edhe kravatat, por nisi edhe t’a sulmonte përmes formave të ndryshme, deri te përpjekja për t’ia mohuar të drejtën e votës. Politika antimërgatë e Isa Mustafës nuk është e llojit të njëfar Valon Sylës, por është shumë më perfide dhe me pasoja reale afatgjata për shtetin dhe kombin shqiptar. Erdhi si erdhi dhe u bë kryetar i LDK-së pa asnjë meritë, por me ardhjen e tij filluan të eliminohen figurat më emblematike të LDK-së.

Filluan të margjinalizohen veprimtarët e devotsëm, intelektualët e kalibrit të lartë dhe sidomos atdhetarët e përkushtuar deri në fund për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Me ardhjen e tij si satelit në LDK, shumë nga veprimtarët e vjetër, u indinjuan dhe e ndërprenë veprimtarinë e tyre ose shkunë në parti tjera. Nga ky moment LDK-ja u tjetërsua e tëra. Filluan të sulmohen kuadrot më të devotshëm që kishin kredibilitet individual dhe kombëtar dhe të avancoheshin persona servil që i bënën temena kopallave pa asnjë vlerë të Isa Mustafës.

I brumosur dhe i rryer me ideologjinë e LKJ-së, disa herë i mashtroi votuesit duke premtuar diçka tjetër ditën, e duke bërë pazare natën, krejt ndryshe nga vullneti i qytetarëve. Thjesht për interesa personale dhe të atyre që e sollën si « Kalë Troje » në krye të LDK-së. Me ardhjen e tij janë menjanuar njëri pas tjetrit themeluesit dhe përfaqësuesit më të denjë të LDK-së si, Fatmir Sejdiu, Fatmir Rexhepi, Hafiz Gagica, Rexhep Gjergji, Shefqet Dibrani, Shpejtim Bulliqi, Melihate Tërmkolli, Adem Salihu, Donika Gërvalla, përfshirë këtu edhe shkatrrimin apo përqarjen e degëve të LDK-së në diasporë, e deri te loja e fundit që bëri ndaj Dr. Vjosa Osmanit dhe Dr. Haxhi Avdylit. Isa Mustafa pothuaj asnjëherë nuk e ka përmendur profesorin e ndjerë, Latif Berisha, pastaj Fehmi Aganin, Avdyl Ramën, Prof. Bardhyl Qaushin, Akademik, Idriz Ajetin, e shumë figura tjera që dhanë shumë për lirinë e Kosovës dhe LDK-në.

Isa Mustafa, ky dinak i madh në të gjitha zgjedhjet, në vazhdimsi ka afruar rreth vehtës njerëz të dëgjueshëm me të cilët tashmë e kanëmsjellur LDK-në buzë greminës. Është për të ardhur keq që duke qenë nën strehën e LDK-së, dhe nën hijen e Ibrahim Rugovës, Isa Mustafa
po përpiqet ta « ndalë » hovin rinor përmes sulmeve bajate dhe slloganeve të njohura komuniste. Me gjithë zotimin për ndryshim bashk me VV dhe të konfirmuar në të gjitha forumet e LDK-së, doli që Isa Mustafa me klanin e tij të vjetër, si edhe herë tjera, ka bërë pazare për interesa personale. Në këtë mënyrë arriti t’a prishë koalicionin me VV-në dhe ta përjashtoi Vjosa Osmanin, kandidatën për kryeministre pa asnjë fakt dhe përmes shpifjeve nga më të ndryshmet dhe më absurdet.

Ai po harron se ka kaluar koha e pallavrave të tij të stilit vetqeverisës. Është për t’u trishtuar kur dëgjon nga goja dhe të shkruara nga dora e
tij fjalët « (kontra)revolucionar », « komunist », « majtist » e tjera gjepura të cilat nuk kanë asnjë kuptim në sistemin pluralist demokratik. Po, ja që ky është zanati i tij i vjetër pa të cilin vështirë e ka të marrë frymë. Isa Mustafa, ende po përpiqet t’a përqajë, t’a zvogloi e ta qesë fare krejt LDK-në e Ibrahim Rugovës, thjesht për interesa meskine e klanore. Dhe për hirë të së vërtetës gati e ka shpartalluar tërësisht LDK-në dhe filozofinë politike të Presidentit, Ibrahim Rugova . Isa Mustafa, mund të ishte një administrator i mirë, por me bindjet dhe formimin e tij politik asnjëherë nuk është dëshmuar si politikan vizionar dhe në interes të shtetit. Në të kundërtën gjithëmonë dhe në të gjitha sistemet politike, ka ditur të përvidhet dhe të zhvatë në kurriz të sakrificës së shumë gjeneratave. Këtë e ka dëshmuar me sjelljet dhe punën e tij në të gjitha periudhat e jetës, prejse e ka futur në xhep librezën e kuqe me çekan dhe drapër të LKJ-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat