A mund t’ia dalim vetë?

Opinione

A mund t’ia dalim vetë?

Nga:  Alban Zeneli Më: 3 janar 2021 Në ora: 14:05
 Alban Zeneli

Në luftën kundër dezinformimit ose lajmeve të rreme, të publikuara në platforma të ndryshme, kryesisht online, është jashtëzakonisht e nevojshme që të ndiqet një metodologji e qartë për verifikimin dhe një unifikim të termave në denoncimin e këtyre fenomeneve, në mënyrë që ky proces të mos përfundojë vet në një gënjeshtër. Deri më tani, në Kosovë numërohen rreth 3 platforma platforma të denoncimit të lajmeve të rreme. Në këto platforma aktualisht përdoren terme të ndryshme, bile shpeshherë të kundërta me njëra-tjetrën për një përmbajtje të njëjtë. Ky fenomen vjen si pasoj, së pari i mosdefinimit të qartë të një metodologjie të unifikuar për të detektuar dhe denoncuar atë që njihet si përmbajtje e pavërtetë. Nëse imagjinojmë për një moment platformën e verifikimit të fakteve sikurse një rrjet peshkimi, në varësi nga motivet e qëndisjes dhe shpeshtësinë e saj si një metodologji pune për të detektuar përmbajtjet dezinformuese, atëherë do ta kemi të qartë, që “rrjetat” e peshkimit të platformave në Kosovë përmbajnë qëndisje të ndryshme, të cilat nxjerrin në pah “peshq” ose dezinformata të ndryshme.

Rreziku i mos përcaktimit të një metodologjie të qartë të vlerësimit për informacionet që janë të dyshimta ose të pavërteta, ekspozon të gjithë punën fisnike të verifikimit të fakteve që qarkullojnë në sferën publike para një diskreditimi, që shpeshherë edhe ka ndodhur. Prandaj, sa i përket mënyrës se si të detektohen lajmet e rreme, sugjeroj metodologjinë e mëposhtme si njërën nga mënyrat që do të ndihmonte në këtë sferë. Secili verifikues i fakteve duhet të kalojë nëpër këta hapa për të verifikuar përmbajtjen që e trajton, duke tërhequr kështu “rrjetën” që për bindjen time shoshitë më së miri përmbajtjet mediale në rastin e Kosovës.

1. DYSHONI në të gjitha përmbajtjet mediale, sidomos në lajme sensacionale. Lajmet e rreme kanë për qëllim përfitimin ekonomik përmes klikimeve, diskreditimin apo promovimin e personaliteteve publike-politike, lëvizjeve shoqërore, kompanive, nxitjen e mosdurimit ndërmjet grupeve shoqërore përmes sensacionit.

2. SHIKOJENI a ka fakte ai lajm? Lajmet e rreme zakonisht kanë shumë opinione dhe gati asnjë fakt ose fakte të shtrembëruara.

3. VLERËSOJENI nëse lajmi i referohet ndonjë burimi konkret. Lajmet që nuk kanë citate të drejtpërdrejta në burime (deklarata, dokumente, etj) kanë predispozita më të mëdha të jenë të rreme.

4. VERIFIKOJENI nëse portali apo faqja e rrjeteve sociale ka adresë dhe emra të pronarëve dhe redaktorëve e gazetarëve. Në rastin e faqeve shikoni kohën në të cilën janë krijuar, zakonisht faqet e lajmeve të rreme krijohen aty për aty, pra nuk kanë histori.

5. KENI PARASYSH RRETHANAT! Lajmet e rreme shpeshherë përdorin fakte të mëhershme duke i vendosur në rrethana të reja. Konteksti (rrethana) e një ngjarjeje shpeshherë është shumë më e rëndësishme sesa vet deklarata ose fakti që prezantohet në lajm.

6. KRAHASOJENI nëse përmbajtjen e lajmit mund ta gjeni edhe te portalet më serioze, nëse nuk e gjeni DYSHONI! Në ekologjinë mediale në Kosovë, megjithatë, ka një numër relativisht të madh të mediave që kanë filtra profesional në trajtimin e lajmeve ende pa u publikuar, përkundër presionit kohor.

7. KONSIDEROJENI lajm të rreme edhe nëse titulli nuk përshtatet me tekstin, fotografia nuk e ilustron ngjarjen, apo grafika nuk jep informacionin që lidhet me përmbajtjen. Shpeshherë, për arsye të ndryshme, sidomos mediat online, përdorin tituj jo-informativ, të cilët kanë synim nxitjen e kureshtjes për të klikuar atë lajm, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për përdorimin e fotografive, grafikeve, e paralajmërimeve të tjera.

8. VERTETOJENI nëse portali është i regjistruar në Agjencinë Kosovare të Regjistrimit të Bizneseve. Nëse nuk është DYSHONI! Mediat online në Kosovë nuk kanë obligim të regjistrohen në ndonjë institucion të veçantë. Prandaj, ato që janë të regjistruara në ARBK, kanë të paktën një emër pronari dhe një adresë në rast të ndonjë ankese në përmbajtjen e caktuar.

Linku i ARKB-së : https://arbk.rks-gov.net /  (shënojeni emrin e portalit, zgjedhe “web portale” dhe ju shfaqen të gjitha portalet e regjistruara)

9. KONTROLLOJENI nëse portali është anëtar në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës. Nëse jo, DYSHONI. Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, është institucion i vet-rregullimit i themeluar nga përfaqësues të gazetave, megjithatë, para disa vitesh ka hapur mundësinë e anëtarësimit edhe të portaleve. Mediat online që janë të regjistruara në këtë organ vet-rregullues do të thotë që kanë pranuar ta respektojnë një kod etik që ka për synim raportimin e të vërtetës.

Linku I KMSHK-së: http://presscouncil-ks.org/members/members/

Bazuar në hapat e mësipërm krijoni gjykim kritik për përmbajtjen e lexuar, shikuar apo dëgjuar. Ky është hapi më i vështirë për ta bërë një verifikues faktesh, krahasuar me të gjithë të mësipërm. Kërkon një përgatitje paraprake në mënyrën se si shkruhen lajmet, pra njohuri të një gazetari që i njeh standardet e raportimit nga media. Kërkon njohuri të rrethanave dhe zhvillimeve në shoqëri, funksionin e institucioneve publike e private, si dhe shkathtësi të larta të mendimit kritik.

Kjo është pjesa e parë e punës së secilit verifikues dhe denoncues të dezinformatave apo lajmeve të rreme. Pjesa e dytë e punës është po aq e rëndësishme në këtë proces. Denoncimi i tyre në platformë duhet të kenë emërtime ose terminologji të unifikuar në mënyrë që publiku të mos hutohet nga përmbajtja që lexon në platforma të ndryshme të verifikimit të fakteve.

Sa i përket kësaj pjese, pra denoncimit të përmbajtjeve të pavërteta duhet të përdoret ndarja me shtatë lloje që e ka bërë koalicioni i organizatave, akademikëve, mediave dhe ekspertëve të teknologjisë të njohur si FirstDraft (link: https://firstdraftnews.org/about/). Sipas kësaj ndarje të shkruar nga autorja Claire Wardle(FirstDraft), emërtimet për llojet e ndryshme të përmbajtjeve të pavërteta janë: satira dhe parodia, përmbajtja çorientuese/kornizuese, përmbajtja mashtruese, përmbajtja e fabrikuar, përmbajtje me lidhje të falsifikuara, rrethana të rreme, përmbajtje e manipuluar.

(Alban Zeneli është ligjërues në Departamentin e Gazetarisë, Fakulteti i Filologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ai është edhe autor i shumë publikimeve shkencore në revista prestigjioze botërore. Zeneli është opinionist i rregullt në hibrid.info)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat