Rrena i ka këmbët e shkurtra

Opinione

Rrena i ka këmbët e shkurtra

Gëzim Muçolli Nga Gëzim Muçolli Më 6 janar 2021 Në ora: 20:11
Erdogan dhe Rama

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama paska shkuar në Turqi te mikpritësi i tij Reçep Taip Erdogan.

Ceremonia e pritjes me nderime ushtarake si musafir i rangut më të lartë, ishte mbresëlënëse. Edi dukej impozant me pallton e tij dimërore dhe sillej me dinjitet prej burrështeti  duke respektuar edhe masat anti-Covid.

Duket bukur pamja e shpërndarë në gjithë botën nga nderimet në pritjen ceremoniale në Ankara, para pallatit presidencial. Edhe shkëlqimi metalik i shtyllave ngjyrë ari te mbulesa e vendit prej ku dy burrështetasit përcollën me nderim ekzekutimin e himneve kombëtare ishte në kuadër të mesazheve që Erdogan do t'i përcjellë botës sikur Tuqia qenka vend ku dukati tepron.

Image
Erdogan dhe Rama

Natyrisht duke u kujdesur që mos të (keq) kuptohen lajmet që vijnë nga Stambolli për krizën financiare e politike të partisë turke në pushtet.

Erdogani monumentin e kulturës botërore, kishë-xhaminë e Aja-Sofisë e ka kthyer sërish në xhami duke zbuluar megalomaninë e tij si njeriu që mund të bëjë edhe atë që nuk mund ta bëjë.

Edi në Tiranë ka rrënuar monumentin e kulturës, Teatrin kombëtar dhe ka lejuar që ndërtimet shumëkatëshe gati ti mbulojnë ato simbolet që e bëjnë të njohur Tiranën nga kartolinat e vjetra panoramike të turizmit kombëtar shqiptar. As Sahat-kulla e Tiranës pas pak kohësh nuk do të duket më  dhe do të bëhet një nga pjesët e lojërave që luajnë të rinjtë nëpër hapësirat e vjetra urbane eurpjane që njihen me emrin: "Në kërkim të thesarit".

Erdo-n dhe Ed-in i bashkon ndjenja e prijësit dhe hallet e kohës së sotme.

Erdoganit po i rrëshqet përditë nga duart pushteti i garantuar me ligjin kushtetues që e ka bërë vet, kurse Edit tonë të dashur po i zvogëlohet horizonti i detit shqiptar para sysh. Ata dinë ti imponohen BE me forcë edhe kur duken se nuk janë politikisht të fortë. Armët e tyre janë në breg dhe janë të lagura nga deti.

Skafet dhe anijet që nesër mund të mbushen me refugjatët e luftërave që bëhen për naftën e gazin si burime natyrore edhe kur mveshen me ngjyra të urrejtjes e dominimit të fashizmit religjioz.

Sikur Erdogani nesër ti hapë rrugë marshit drejt kufinjve europjanë të miliona refugjatëve që ai i ndali në Turqi duke përfituar miliona e miliarda euro e dollarë ndihma, e Edi mos ti pengojë në rrugëtimin e tyre të ardhshëm nëpër Mini-Shengenin Ballkanik, do të bëhej një ngatërresë e madhe për sigurinë e kontinentit të vjetër. Le që Edi nuk do t'i lejojë asnjëherë skafet të ikin drejt horizontit italian sepse ai garanton për Europën edhe atëhere kur nuk mund të garantojë për Shqipërinë.

Pa harruar asnjëherë që midis tyre edhe në Tokë edhe në det ndodhet Greqia, e cila nuk duket aq mirë e disponuar para forcës ushtarake të Turqisë e kapërdiset para shqiptarëve duke shkelur edhe historinë dhe sovranitetin pa e hequr ende gjendjen e luftës me Shqipërisë.

Sidoqoftë, pritja e kryeministrit shqiptar në Ankara ishte e bukur dhe e dinjitetshme. Por. nuk më pëlqyen ata figurantët me veshje mesjetare ottomane të vendosur atje kah fundi i qilimit të kaltër të shtruar për burrështetasit, që dukeshin si mesazh përkujtues për historinë pushtuese të Turqisë otomane ndaj popullit shqiptar.

Por, dukej interesant fakti tjetër se të gjitha zonjat që ishin në pritje, megjithë të ftohtit e janarit, asnjëra nuk kishte mbi kokë as kapuq dimri se lëre më mbulesën muslimane aq të përfolur në Kosovë si e drejtë e njeriut.

Erdogani ndoshta është shumë i kujdesshëm në propagandë e paraqitje ceremoniale por prapa tij mbetet pyetja se a është ai mashtrues, manipulues apo mjeshtër i përfitimit të votave vetëm kur i duhen ato?!

Dikush sigurisht rren për nevojë, por tjetërkush edhe për para. Dikush rren për të dyjat. E pse të tjerët duhet t'iu besojnë (dhe t'iu nënshtrohen) falas.

Shkurt i bie kjo punë, si te fjalët e urta popullore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat