Bashkimi i partive le t’i paraprijë bashkimit të shteteve

Opinione

Bashkimi i partive le t’i paraprijë bashkimit të shteteve

Nga: Jak Simoni Më: 27 janar 2021 Në ora: 15:54
Jak Simoni

Ndonëse ka ca kohë nga zgjedhjet  e ardhshme, risitë kanë filluar. Nisma  Thurje dhe parti të tjera, me kandidatë të rinj që vijë nga fusha dhe sektorë të paimagjinueshëm deri tani, do të marrin pjesë në zgjedhje. Gjithashtu një risi përbën pjesëmarrja në Shqipëri e Vetëvendosjes, e cila po bëhet partia e parë ndërshtetërore.

Pavarësisht rezultatit që do të arrijë, ky akti i Vetëvendosjes le t’i paraprijë bashkimit të partive politike të Shqipërisë dhe Kosovës. Partitë le të ndjekin popullin tashmë shpirtërisht të bashkuar.

Shqiptarët  e Shqipërisë dhe të Kosovës kanë dhënë prova se janë të bashkuar. Solidariteti ka qenë vazhdimisht reciprok. Kur shqiptarët e Kosovës u dëbuan nga serbet gjetën mikpritje në shtetin amë, ndonëse në kushte lufte ishte minimumi që u bë. Ky solidaritet u shpërblye me forma të tjera kur shqiptarët e Kosovës nuk e ndërruan bregdetin shqiptar më asnjë tjetër, ndonëse trajtimi nga neokapitalistët shqiptar, më mentalitet pak të thuash feudal, nuk ishte as korrekt, lëre pastaj vëllazëror. Gjithashtu në fatkeqësinë e shkaktuar nga tërmeti ishin të parët që ndihmuan.

Baka e gjakut në Spitalin e Durrësit ato ditë ishte plot, sepse kosovarët kishin ardhur para nesh për te dhuruar gjak për të plagosurit (për këtë jam vetë dëshmitar). Për mos të lenë mënjan bashkimin e tifozërive rreth një kombëtare të vetme nën drejtimin e Xhani Debiazit që na çoni në Kampionatin Evropian. Futbolli le t’i paraprijë historisë!

Në këto kushte një populli të bashkuar le t’i paraprijë fillimisht bashkimi i partive dhe pastaj i  shteteve. Secila parti e Shqipërisë le të binjakëzohet me një parti që i shkon për shtat në Kosovë apo le të hapë filialet atje dhe anasjelltas. Bashkimi i partive  nuk provokon askënd dhe nuk ka  nevojë për diplomaci; gjithashtu bashkimi në një shtet nuk ka  pse t’i lihet privilegj një partie, por çdo  parti e Shqipërisë dhe e Kosovës do ta ketë në program (natyrisht, përjashto partitë e pakicave), sepse, në fund të fundit, partitë do të ndjekin popullin tashmë të bashkuar.

Shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës do të vijojnë të  jenë në errësirën platonike derisa të bashkohen institucionalisht. Ata akoma nuk njohin dritën dhe besimin në  institucionin serioz të shtetit si mishërim i  shpirtit të një kombi, fatkeqësisht  të ndarë në dy gjysma gjithnjë  në kërkim të njëra tjetrës. Bashkim në një shtet të vetëm ndoshta do të jetë i dhimbshëm, por i paevitueshëm. Dhe një pjesë e  komunitetit ndërkombëtar  ka kuptuar se do ishte një inflacion shqiptarizmi prezenca  e dy shteteve shqiptare  në arenën artificialisht të larmishme të gjeopolitikës (ka një problem, rrezikohet një konflikt, atëherë krijohet artificialisht një flamur dhe mendohet i zgjidhur) ballkanike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat