A duhet të shkojë në Jerusalem Albin Kurti?

Opinione

A duhet të shkojë në Jerusalem Albin Kurti?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 1 mars 2021 Në ora: 17:30
Albin Kurti

Brenda një kohë të shkurtër kohore, kryeministri në ardhje, Albin Kurti u ndesh në një përplasje të mundshme, me njërin ose tjetrin. I erdhën dy letra, njëra nga kryeministri Izraelit Netanjahu dhe tjetra nga presidenti turk Erdogan, të dy me kërkesa të ndryshme për të njëjtën çështje.

I pari e ftonte që të jetë i pranishëm në hapjen e Ambasadës së Kosovën në Jerusalem, tjetri e inkurajonte që mos ta hap fare. Deri tani, Albini s’ka komentuar fare, asnjë qëndrim për njërën apo tjetrën kërkesë, duke i shtuar akoma më shumë dyshimet se cilën nga këto dy variante do e zgjedh.

Derisa edhe presioni publik rritet për të zgjedhur njërën apo tjetrën, besoj dhe dua të besoj se Albini do e zgjedh variantin më të mirë të mundshëm, më të sigurt për të tashmen dhe ta ardhmen e Kosovës. Albini duhet të kujtojë se kush e bëri Kosovën shtet, kush është garanci për mbijetesën e saj, kush është engjëlli saj mbrojtës, me rikujtimin që janë SHBA-të.

Derisa SHBA është iniciatore, realizuese për hapjen e Ambasadës së Kosovën në Jerusalem, nuk mbetet rrugë tjetër përveç të vazhdojë të ndjek të njëjtën politikë. Ndonëse ka shumë brenda VV që bëjnë thirrje të shqyrtohet një marrëveshje e tillë, të cilën e rikujton edhe Erdogani në letrën e tij, Albin Kurti duhet të dëshmojë vizionin prej lideri perëndimor. Vazhdimi i harmonizimit me SHBA-të të vendimeve të rëndësishme të Kosovës, esenciale për mbijetesën ekzistenciale të Kosovës, të cilën gjë duhet ta ketë parasysh Albini dhe të gjithë të tjerët. Për këtë çështje, duhet të jetë vendimtar deklarimi i Vjosa Osmanit, e cila lidhur me Ambasadën e Kosovën në Jersualem, para pak kohësh deklaroi se “çdo vendim do të merret në harmoni me SHBA-të”, mjaftueshëm për të shfaqur pjekurinë politike dhe vizionin prej lidere të duhur.

Dua të besoj se edhe Albini s’do të bëjë gabim fatal për të mos marrë pjesë në hapjen e Ambasadës në Jerusalem apo për më tepër edhe të ndryshojë qëndrimin. Në një rast të tillë, Albini do të bëjë vetëvrasje politike, për të cilën s’do të ketë më kthim pas. Jo vetëm aleatët, por edhe populli i Kosovës do t’ia kthente shpinën Albinit në një rast të tillë. Qytetarët e Kosovës e kanë dëshmuar shumë herë se janë pro amerikanët më të mëdhenj në Evropë dhe jo vetëm. Kushdo që del kundër kësaj, është edhe kundër Kosovës. Albini, të ketë mendtë në kokë, mos të bëjë gabime për t’u dirigjuar nga Erdogani. SHBA janë alfa dhe omega e Kosovës dhe të gjitha vendimet duhet të jenë në përputhje me amerikanët. Kosova duhet të dëshmojë se është shtet serioz, ta hap ambasadën e saj në Jerusalem, t’i vazhdojë lidhjet permanente me SHBA si dhe të luftojë krimin, korrupsionin, për ta bërë Kosovën vend të zhvilluar dhe të së drejtës.

Albini me cilindo vendim që e merr, do e hidhërojë njërin apo tjetrin, të dy s’mund të gëzohen. Mes këtyre të dyve duhet të jetë populli i Kosovës, me vendimin e Albinit dhe qeverisë së tij. Kosova, qytetarët e saj, e kanë dëshmuar me qindra herë dashurinë për hebrenjtë, për SHBA-të, e të cilët çojnë tek vendimi që duhet të jetë: po hapjes së Ambasadës në Jerusalem, jo kërkesës së Erdoganit për mos ta hapur atë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat