Djalli në fillim ishte engjëll!

Opinione

Djalli në fillim ishte engjëll!

Nga: Kimete Berisha Më: 8 prill 2021 Në ora: 10:32
Kimete Berisha

As Judas s'ka bërë 'tradhti' më të madhe.

Thjesht e ka 'tradhtu 'shokun' e vet, për një grusht monedha.

Ka lakmu', ka xhelozu, e din ai 'pse!

Por, në fund është pendu'.

(Bazuar në Matthew 27:1–10, kur e pa se ka gabu', Juda u mundu' t'ia kthejë monedhat romakëve dhe e ka varë veten në litar).

Por atëherë tradhtia ka qenë akt i tmerrshëm, më i tmershi, edhe te Ferri i Dantes, gjithkush ka bërë gisht kah mashtruesi, që t'prenë n'besë.

Edhe është bërë fshehtas tradhtia, ka qenë sekret, sepse është konsideruar turpi më i madh që ekziston.

Edhe në Kosovë, me t'nxan n'rren, s'ka pas më marre, se me tradhtu, 'mo Zot!

E tash, tradhtia dhe mashtrimi janë 'konsum' i përditshëm....krejt mashtrojnë, i madh e i vogël.

Përkundrazi, nëse je besnik dukesh 'qesharak, i demoduar, sepse gjithmonë ka rrezik të jesh besnik ndaj tradhtarit.

Prandaj, dyshimi na mbron nga mashtruesit.

Por, dyshimi të 'mbron' edhe nga miqësia dhe dashuria.

Derisa dyshon, askënd nuk mund ta duash hakikat, se s'të lë dyshimi, prandaj, ka kaq pak miq e kaq pak dashuri!

I kam marrë lakmi asaj deputetes qysh e demonstroi aq kollaj 'tradhtinë' në mënyrë solemne, para kamerave.

E gjeti momentin kur e shohin krejt shqiptarët.

Ecte n't'madh, pa pikë mëdyshje, nuk rrehte çerpikë, thuajse po i promovon vlerat më sublime që ekzistojnë.

Një ditë përpara, Blerta Deliu kish pas drekuar me deputeten në fjalë dhe tha se s'ka 'hetuar' asgjë.

Blerta në fund ia ka pagu' edhe drekën.

Garant.

Se këta dinë, edhe të mashtrojnë edhe i paguan që të mashtrojnë.

Ama duhet me fol kah t'del shpirti.

Ai që e braktis pa paralajmërim dhe pa arsye të madhe dikë që e bëri 'dikushi', i merr votat nga njëra parti dhe nuk i vjen keq prej 7000 vetave që ua ndërron 'kahjen' votave të tyre dhe pastaj vjen te Ti, nuk është shembull i mirë.

Nuk je shembull i mirë, cucë.

Të ndryshosh mendim dhe bindje është normale, edhe duhet të ndryshosh;

të kalosh nga një parti politike në tjetrën është normale, ama për t'u bërë 'i lig' dhe i paturpshëm duhet të kesh motiv, duhet të jesh vetjak i madh.

Të ngriten 'në qiell' si vlera ata që nuk turpërohen nga mashtrimi, nuk është mirë.

Për t'u prishur me dikë, duhet një proces, duhet një histori pakënaqësie.

P.S. Ama, 'Nuk është mëkat ta mashtrosh djallin' (Daniel Defoe).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat