Me shqetësim të thellë, zhgënjim dhe dhimbje...

Opinione

Me shqetësim të thellë, zhgënjim dhe dhimbje...

Nga: Xhelal Hoxha Më: 15 nëntor 2026 Në ora: 08:51
Xhelal Hoxha

Një shqetësim dhe brengë e jona e përbashkët, që duhet të na mundojë të gjithëve, si komb dhe si shoqëri në përgjithësi!

Të gjitha eksodet dhe shpërnguljet, në të gjitha kohërat dhe etapat historike, kanë qenë dhe mbeten të dhimbshme. Mirëpo, ky eksod i shqiptarëve në fillim të shekullit XXI po na dhemb gjithnjë e më shumë, në shpirt e në zemër.

Në kërkim të një jete gjoja më të mirë, gjithnjë e më shumë bashkëkombës tanë po marrin rrugën e mërgimit, duke e konsideruar jetën jashtë vendlindjes më të mirë dhe më dinjitoze. Siç do të thoshte populli ynë: «Kallauz nuk do!»

Ky trend i ikjes, sidomos i të rinjve tanë, nuk po ndalet. Ata po largohen drejt vendeve të ndryshme evropiane, duke lënë pas familjet, vendlindjen dhe gjithçka që i lidh me atdheun.

Kjo plagë, që tashmë ka marrë përmasa të një dhimbjeje kombëtare, nëse vazhdon me këtë ritëm, mund të na sjellë pasoja të rënda e të pariparueshme. Rrezikojmë të humbim një pjesë të madhe të popullsisë sonë, të rinisë, të punëtorëve, studentëve, mjekëve, profesorëve, inxhinierëve, ekonomistëve, juristëve dhe shumë profesionistëve të tjerë, por edhe të dobësojmë lidhjet me identitetin tonë kombëtar e atdhetar.

Nëse vazhdojmë kështu, çfarë do të mbetet nga vendet tona, nga qytetet e fshatrat, nga shkollat, institucionet dhe nga e ardhmja e brezave që vijnë? Çfarë kuptimi ka zhvillimi i një vendi, nëse dita-ditës po i pakësohen njerëzit që duhet ta ndërtojnë dhe ta zhvillojnë atë?

Prandaj, ky është momenti i fundit që të dy shtetet dhe qeveritë tona të ulen së bashku dhe, pa hezitim, të hartojnë një program dhe strategji të përbashkët, konkrete e afatgjatë, për ta frenuar këtë plagë të dhimbshme kombëtare.

Kjo plagë tashmë po pikon lot, po shkakton ndarje familjare, dhimbje e dëshpërim dhe po lë gjurmë të rënda në të gjitha trojet tona shqiptare.

Prandaj, një lutje dhe një thirrje për të gjithë ne, për mbarë kombin dhe shoqërinë shqiptare:

Të mobilizohemi, të punojmë, të vetëdijesohemi dhe të veprojmë unikisht, si një trup i vetëm!

Të mos presim që të na zgjojë edhe një fatkeqësi tjetër historike. Të krijojmë kushte që rinia jonë të ketë arsye të qëndrojë, të punojë, të krijojë familje dhe të ndërtojë të ardhmen në vendin e vet.

Sepse atdheu nuk mbahet vetëm me fjalë, flamuj e kujtime, por mbi të gjitha me njerëz, punë, dinjitet, drejtësi dhe shpresë për të jetuar.

Dhe, me shumë zhgënjim e dhimbje, më tingëllojnë gjithnjë e më shumë këto vargje:

«Gjithmonë do të kemi dimra të vështirë,
e siç duket, kurrë s'do të kemi asnjë verë!»

Me shpresën që kjo thirrje të mos mbetet vetëm një shkrim, por të shërbejë si një këmbanë alarmi për ndërgjegjen tonë të përbashkët!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat