UÇK është mbarë kombi shqiptar

Opinione

UÇK është mbarë kombi shqiptar

Nga: MA. Agim ALIÇKAJ * Më: 12 maj 2021 Në ora: 06:41
MA. Agim ALIÇKAJ *

Disa deputet të pasjellshëm të PDK-së, të përkrahur nga disa deputet të njejtë të partive të tjera opozitare dhe shërbëtorët e tyre në media, e kanë humbur rrugën në oborr. Kot mundohen të fshihen pas Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kot shesin pallavra se kinse ata na qenkan UÇK-ja!!  Populli i di mirë punët e tyre të ndyta anti-shtetërore dhe anti-kombëtare. I shkelën me të dyja këmbët vlerat e luftës së UÇK-së. 

UÇK JANË: -Të gjithë luftarët e lirisë nga të gjitha trojet tona, prej momentit kur bisha e egër serbe zbriti nga malet Karpate në tokat shqiptare; 

-Të gjithë të burgosurit politik; Foshnjet, fëmijët, vajzat, gratë, burrat dhe pleqtë e paaramatosur të dhunuar, të torturuar, të djegur për së gjalli; 

-Kontribuesit e mjeteve financiare për blerjen e armëve kudo, sidomos në Amerikë; 

-Bartësit e snajperave me kamion nga Las Vegasi në Los Angeles dhe me avion për Tiranë, tutje deri në frontin e luftës; 

-Mbrojtësit e UÇK-së në Kongresin Amerikan me Joe DioGuardin dhe Shirley Cloyes DioGuardin; dhe shumë përkrahës nga Mërgata në gjithë botën. 

Pra, UÇK ËSHTË MBARË KOMBI SHQIPTAR. 

Kërkesa për dorëheqjen e Ministres së Jashtme Donika Gërvalla është qesharake e ulët dhe pa kurrëfarë baze. Deklarata e saj para disa vjetëve nuk ka të bëjë aspak me UÇK-në dhe luftën e lavdishme gjithëpopullore. Dhënia e informatave për krimet e mundëshme politike është obligim i çdo qytetari, pa marrë parasysh çfarë pozite mbanë. Qëllimi i këtyre mjeranëve është FRIKËSIMI, e thotë znj. Kimete Berisha në stilin e saj karakteristik, origjinal, te drejtpërdrejt dhe PA FRIKË.  

Nuk frikohet bija e trimit të pavdekshëm Jusuf Gërvalla. Nuk frikohet askush tjetër. Nuk frikohet populli i Dardanisë nga dështakët. Ata nuk e kuptojnë se efekti i veprimeve të tyre të shëmtuar në parlament është i kundërt. Populli vetëm sa neveritet dhe bindet edhe më shumë për vendimin e drejt të rrëzuarjes së tyre nga pushteti. Të dështuarit në pozitë, dalin edhe më të dështuar në opozitë. Në vend se të kërkojnë falje për veprimet e tyre 22 vjeçare në shkatërrimin e shtetit, të bëjnë ndryshime dhe të fillojnë të punojnë për së mbari. 

Këta e paskan indoktrinuar dhe manipuluar edhe Rininë e PDK-së për të dërguar dosje dhe libër me krimet serbe te zyrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme. E kanë huqë adresën. Këto materiale është dashur të adresohen te Vuçiqi, Thaqi, Rama dhe Mustafa, kanë patur kohë 22 vjet. Tashti le t’i adresojnë te ata dhe te zyrja e Enver Hoxhajt. Pritet dhe shpresohet se Kryetari shpresëdhënës  i LDK-së Lumir Abdixhiku ta pastrojë LDK-në nga mbeturinat e shkatërruesit të LDK-së dhe shtetit të Kosovës, Isa Mustafës. Nëse PDK vazhdon me këto veprime të ulta anti-kombëtare, do të përshëndetet me pushtetin për sa të jetë jeta.

Këto janë përpjekje dëshpëruese për të përçarë listën Guxo dhe Vetëvendosjen, për ta dobësuar luftimin e korrupsionit dhe agresorit serb, për ta penguar ngritjen e shtetit nga qeveria Kurti. Do të dështojnë me turp, sepse këta e kanë përkrahjen e popullit shumicë. 

Shovenisti serb Vuçiq e ka të qartë se, pas shkuarjes së Grenellit, Thaqit dhe  Mustafës, dhe ardhjes së Bidenit, Vjosës dhe Albinit, edhe luftën diplomatike e ka të humbur. Duhet pritur veprime agresive dhe trazira nga huliganët serb me qëllim të destabilizimit të shtetit të Dardanisë.

Donika Gërvalla është nderi dhe krenaria e kombit. Vjosa Osmani dhe Albin Kurti janë shpëtimtarët e shtetit të Dardanisë dhe kombit shqiptar. Këtyre ju bashkangjiten edhe Shaip Kamberi, Ardita Sinani dhe Zijadin Sela, të gjithë bashkë në shërbim të kombit. 

Kombi është mbi të gjitha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat