Regjistrimi i lejlekëve!

Opinione

Regjistrimi i lejlekëve!

Nga: Mersel Bilalli, PhD Më: 15 maj 2021 Në ora: 13:41
Mersel Bilalli, PhD

E njohur është thënia se në Maqedoninë e Veriut më lehtë mund t’i numroni lejlekët dhe qent endacak se sa njerëzit, veçanarisht nëse i numëroni në bazë të përkatësisë kombëtare. Kjo është një çështje në esencë tmerruese, të cilën partitë e fshehin sikur gjarpëri këmbët. Para do vitesh një shoqatë e ekologëve me sukses kishtë regjistrua edhe gjininë e lejlekëve, por si duket këtu është e pamundur që ndokush të thot saktësisht se sa njerëz jetojnë efektivisht dhe cila është struktura e tyre! Vetëm në Maqedoninë e Veriut regjistrimi nuk konsiderohet një operacion statistikor, por një çështje politike dhe manipuluese etnike. Andaj mund të lexojmë statistika argëtuese që dalin nga teori hipotetike në favor apo dëm të njërës apo tjetrës palë, kurse realiteti është tejet largë tyre, madje shumë i zymtë.

Regjistrimi i vitit 2002, thekson se në këte shtet jetojnë diç më shumë se dy million banorë, nga të cilët 64 përqind maqedonas, 25 përqind janë shqiptarë dhe 11 përqind të tjerë. Këto janë shifrat zyrtare që në start të kontestuara dhe se tani nga ndryshimi eventual i tyre për dekada aq shumë janë duke u frikuar do subjektë politik, të cilët vet më së shumti kontribuan që shpërngulja të shnërrohet në një lum të njëkahshëm që vazhdimisht me vete merrë në valët e tij rininë më vitale shqiptare. Nga ana tjetër fjalë “patriotike” gjer në qiell, e na duhej kohë që ta kuptojmë se “princesha e bukur” në fakt na kishtë pas qenë vetëm një shtrigë e shëmtuar.

Kohë më heret, koordinatori i grupit parlamentar i BDI-së pat deklaruar se nëse regjistrimi tregon se shqiptarët do ishin më pak se 20%, ata nuk do e njihnin ato rezultate! Kjo është një ankth që ju tmerron kur të shkoni para pasqyrës dhe ta shifni realitetin tuaj të shëmtuar, pasi mu dështimet e kësaj partie më së shumti kontribuan për eksodin maramandës të shqiparëve nga ky shtet. Nga fjala ekonomi për vite s’e kuptonin as germën “E”. Nga ana tjetër, kryeministri Zaev pat deklaruar - se madje sikur përqindja e shqiptarëve të jetë më e ulët se 20 përqind, ata nuk do t’i humbënin të drejtat e fituara. Nga të dy qëndrimet e përmendura, sikur çohet mesazhi se ndoshta kemi të bëjmë me ramjen e përqindjes së popullatës rezidente shqiptare në Maqedoni nën cenzusin e Badinterit! Fakt se politikat e gabuara kanë bë që shumëkush që do perspektivë të ndershme në jetën e vet, duhet të ikë nga ky ferr. Madje si duket nga këtu që moti paska ikur edhe vet djalli, pasi e pat kuptuar se edhe pa te, ne vet do e bëjmë ferrin. A me kaq djallëzime nuk mund të mungojë edhe dënimi nga Zoti.

Pa dilemë, se kështu siç është ligji aktual do kemi plotë shqiptarë e maqedonas si rezultate në letër (pasi rregjistrohen edhe ata që s’knë më asnjë lidhje me vendlindjen e vet), por popullata rezidente, pra ajo që efektivisht jeton këtu, sidomos ajo shqiptare është nga zbrazja e përmasave biblike. Nga përfaqësitë evropiane konsullore në Shkup ka informacione se për viza pune presin tri herë më shumë shqiptarë se sa të tjerë! Prej këtu edhe paniku dhe vrapi në të gjitha anët i pushtetarëve shqiptarë, për lobim për tu regjistruar qytetarët tanë që janë jashtë. Kërkojnë nga ata që t’ua shpëtojnë fytyrën mu atyre politikanëve shqiptarë që me veprimet apo mosveprimet e veta dëbuan gjysmën e popullatës shqiptare të ktuit nga vatrat e veta, duke bërë që atyre çdokund tjetër t‘u duket më mirë se sa në vendlindjen e vet. Ditë e më shumë mbetemi të vetmuar në fshatra e lagje qytetesh, të cilat tani më kanë filluar tu gjasojnë venbanimeve pa jetë, ku nuk dëgjohet më zëri i ëmbël i fëmijve që luajnë në oboret e tyre. Kjo pasi këtu krimi e korrupsioni që moti kanë fitua vlera elitare. Sa më i korruptuar që jeni, aq më i famshëm jeni. Sikur s’duam akoma ta kuptojmë se sa mjerim është të lartësosh vepra që shkaktojnë mjerimin.

Neni 6 i Ligjit aktual për regjistrim thekson se në procesin e regjistrimit do përfshihen personat me shtetësi të Maqedonisë së Veriut të cilët kanë vendbanim apo vendqëndrim në këte shtet, pa dallim nga ajo se në momentin e regjistrimit ndodhen në shtet apo jashtë tij. Por, neni 8 alinea 2 e Ligjit duket pak si konfuz. Këtu thuhet se - për personat shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilat janë me punë të përkohshme jashtë, do të jetë i mundur edhe vetë-regjistrimi në një aplikacion të veçantë që është në dispozicion në faqen e internetit të EShS, dhe se do mund të regjistrohen vetëm personat që kanë numër amë regjistrimi në Maqedoni.

Krenaria boshe etnike e cekët pas së cilës fshehen xhepa të thellë, shumë frikohet nga numrat, pasi humbja e tyre nënkupton humbjen e të drejtave të kushtëzuara nga përqindja. Këtu qëndron linja frontale e terenit të djallit, me të cilën për dekada bashkëjetoi partia shqiptare në pushtet. Ajo me pakujdesinë e vet totale, dëboi rininë shqiptare nga vatrat e veta. Që asnjë armiku s’i shkoi kaq suksesshëm për dore! Edhe pot ë ketë regjistrim në vjeshtë, ai nuk do jetë përtej manipulimin rural-patriotik të numrave publike duke shkel mbi dinjitetin, institucionet dhe politikat e pritura publike. Këtyre subjekteve politike sikur nuk u pëlqejnë figurat dhe burimet e pavarura që do të konfirmonin shifrat objektive, ngase në mungesë të këtyre shifrave, pushteti do të vazhdonte të ndërtoi politikat e tij në mënyrën voluntariste dhe pa objektiva konkrete, duke i kënaqur pushtetarët ortak me nacional-romantizëm të rejshëm. E mu kjo është njëra nga arsyeja se përse ne kemi dështuar në ekonomi, zhvillim, arsim, shkencë, kulturë, shëndetësi, sociale, etj. Statistika shtetërore duhet të kujdeset për të dhënat, të informojë mirë e sakt edhe për ate se si qëndron shporta e konsumatorit. Ose imagjinoni, pa statistikë, dy organe shtetërore, Agjencia për Punësim dhe Enti Shtetëror i Statistikës, kanë të dhëna të ndryshme për numrin e të papunëve në shtet!

VMRO DPMNE frontalisht kundërshtoi Ligjin për Regjistrim dhe e detyruan pushtetin që të njëjtin ta shtyjë për në shtator. Ata theksonin se dy liderët partiak të pushtetit (Zaev dhe Ahmeti), paraprakisht kanë kontraktuar rezultatet e rejshme që edhe mëtej të mbeten në pushtet. Por, akoma nuk dihet se a do të ketë intervenim në ligjin ekzistues apo jo. Prej këtu edhe konstatimet se ndoshta jemi para dështimit të radhës në procesin e regjistrimit. Disa demografë mendojnë se edhe regjistrimi i shtyrë, ka shumë të ngjarë që sërisht të dështojë. Përkundër përdorimit të metodologjisë së EUROSTAT-it, subjektet politike nuk mund të paramendojnë rezultate irituese për ta, qofshin ata edhe të vërteta, pasi dallimi në përqindjet statistikore etnike përjetohet sikur dallimi në mes jetës dhe vdekjes. Kjo pa dilemë nënkupton humbje të pushtetit. Kurse këtu kur të humbet pushteti humbet edhe mendja! Kurse vdekjen këtu e sollëm vet, në mungesë të projekteve elementare zhvillimore. Po tu ofrohej njerëzve liberalizim dhe zona industriale e të fermave, ndihma dhe instrukcione për shfrytëzimin e fondeve finasiare ndërkomëtare pakthim, sot nuk do të kishim nevojë që t’i lusim bashkëvendasit tanë që të regjistrohen e të na e ruajnë ate pak fytyrë që na ka mbet, pasi ata do t’i kishim këtu në vendin e vet.

Tani rinia atje vesternizohet dhe pas një kohe s’do i lidhë gjë me atdheun e prindërve apo gjyshërve të tyre. Madje shtëpitë e të parëve të vet ndoshta do ua shesin do afrikanëve përmes internetit. Shembulli i Turqisë tregon se sa vështirë është ta riktheni popullatën në vendlindje edhe përkundër zhvillimit të hovshëm dhe ofertave atraktive që bëri pushteti atjeshëm. Vetëm një pjesë e vogël u patën kthyer, pasi njerëzit kur natyralizohen në një shtet tjetër, vështirë e kanë të kthehen.

Dështimet e regjistrimeve

Në vitin 2011, një përpjekje për një regjistrim të rregullt të popullatës përfundoi me fiasko. Që në start të regjistrimit, disa anëtarë të Komisionit Shtetëror të Regjistrimit si dhe kryetari i këtij organi dhanë dorëheqjet. Si duket regjistrimi u shoqërua me pretendime për parregullsi të shumta. Ligji në fuqi u pat interpretua sipas momenteve, kështu që do na delte një rezultat absurd, ndoshta se në këte shtet jetojnë më tepër se katër milion banorë! Dhjetë ditë nga fillimi i tij, regjistrimi u pat ndërpre, pa një datë shtesë se kur do duhej të vazhdohet. Askush nuk mori përgjegjësinë për regjistrimin e dështuar, edhe pse Gruevski pat thënë se “qeveria kishte parandaluar falsifikimin”.

Paradoksale ëshë që të vetmet vende në botë që nuk mund të mbajnë regjistrim janë Maqedona dhe Somalia! Sot, shteti që s’ka kapacitet të realizoi këso procesi elementar, trajtohet si shtet që nuk meriton as të ekzistojë, e të mos flasim për pretendime integrimi në famijen e UE-së. Pa regjistrim asesi s’mund të ndërtoni politika efikase e zhvillimore. Shteti ka nevojë për të dhëna përkatëse statistikore sa më shpejtë që është e mundur, veçanërisht tani si një vend tanimë para bisedimeve për anëtarësim në UE. Madje në procesin bisedues, regjistrimi është një nga prioritetet në kapitujt biseduese. A ne jemi aq primitive sa nuk kuptojmë se sa me rëndësi është raporti gjinor, i moshës, i kualifikimit, i shkollimit, i angazhimit, jetesës dhe profitimit. Kjo periudhë prej gati 20 vitesh mund të arsyetohet here sido, por është tragjike që një vend me më pak se një milion e gjys banorë nuk e njeh popullsinë e vet! Banka Botërore parashef se me këso trendi zhvillimor dhe shpërngulje, Maqedonia në vitin 2050 do të ketë nën një million banorë.

Gjithçka e merituar, pasi ndër vite të paditurve e të korruptuarve u janë lëshuar rrugët, e tani shofim se më s’kemi kah të lëvizim! Vet lejuam që çfardo njerëzish të na hyjnë në institute e institucione, në gjykata e shërbime publike, madje edhe në xhepat tonë. Mendonim se drejtësinë më së miri mund të na e ndajnë mu ata që as vet s’e meritojnë lirinë! Ndërkohë, ekologjistët kishin zbuluar se në këte shtet paska 3,661 lejlekë të të dy gjinive, dhe 817 fole. Për njerëzit këtu akoma s’dimë gjë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat