Veteranë, Hashimi u la pa bukë, pse protestoni për lirimin e tij?

Opinione

Veteranë, Hashimi u la pa bukë, pse protestoni për lirimin e tij?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 15 qershor 2021 Në ora: 17:12
Hashim Thaçi

Veteranët protestuan në Prishtinë për lirimin nga Gjykata Speciale të disa nga udhëheqësve kryesorë të UÇK-së. Një protestë e tillë do të ishte krejtësisht “normale” nëse të arrestuarit do të gjykohen për krime ndaj serbëve dhe mbi të gjitha nëse do të ishin njerëz të ndershëm e të cilët kurrë nuk i kanë bërë zullum popullit. Shto këtu pastaj faktin se janë po këta që e themeluan vet Gjykatën Speciale duke bërë thirrje se “kush nuk e voton nuk ia do të mirën Kosovës”, nëse paska qenë për të mirën e Kosovës dhe Kosova paska përfituar, atëherë veteranët po protestojnë kundër diçka të mirë që i ka ndodhur Kosovës, kështu i bie sipas logjikës së Hashimit, për të cilin këta protestojnë.

Nisur nga ky gjykim, veteranët nuk është dashur fare të protestojnë për lirimin e tyre, kanë pasur dhe kanë mijëra arsye tjera për të protestuar. Janë mbi 40 ish veteranë që kanë bërë vetëvrasje për kushtet e vështira ekonomike dhe kurrë askush nuk e ka ngritur zërin kundër tyre. Vështirësitë dhe gjendja e tyre e mjerueshme është shkaktuar pikërisht nga ata që sot janë në Hagë, e të cilët për 12 vjet kanë qenë në pushtet.

Kanë pasur të gjithë mundësitë që të mendonin për veteranët për kushtet e tyre, kurrë nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Sot, një veteran duhet me pagën e tij të vogël të shërohet vet sepse shteti nuk iu ka bërë sigurim shëndetësor, pasi ishin zënë duke vjedhur, duke ndarë pazaret e tenderëve, duke bërë pushime luksi në vende ekzotike. Nuk e kishin mendjen dhe as interesin tek plagët e veteranëve, të cilët sot protestojnë jo për kushtet e tyre, por për lirimin e atyre që i kanë varfëruar dhe nuk iu ndanë as ilaçe për shërimin e plagëve.

Prandaj, edhe qytetarët nuk dolën në protestë sepse i dinë këto gjëra, ata nderojnë veteranin e ndershëm, jo ata që janë bërë pjesë e lojërave të politikës. Veteranët janë pjesë e ndritur e shoqërisë, mirëpo duhet ta ruajnë vendin e tyre, jo të bëhen pjesë e politikës, e agjendave politike. Dihet tashmë se organizata e veteranëve të UÇK-së është satelit i PDK-së, ndjekin politikat e tyre, për ironi është pikërisht kjo PDK që i ka lënë këta veteranë në mëshirë të fatit, s’ka bërë asgjë për ta. Në vend se të protestonin për kushtet e tyre të vështira, për gjendjen e tyre, për të mbrojtur dinjitetin e tyre nga keqpërdorimet e politikës, veteranët me apo pa dije bëhen vegël e një partie politike.

Me këto veprime, ata vetëm sa e humbasin respektin tek qytetarët e vendit. Pikërisht për këto aventura të tyre edhe qytetarët nuk iu bashkëngjitën në protestën e të shtunës, për t’iu dhënë një mesazh se duhet të jeni mbi palët, me qytetarët dhe të mbronin interesat e tyre jo të individëve. Aq më tepër të atyre individëve që vet e kanë themeluar këtë gjykatë kundër të cilës ata protestojnë.

Veteranët s’kanë pasur arsye të protestonin, duhet të këndellen dhe të ruajnë rolin e tyre, pozitën dhe të veprojnë vetëm kur është në pyetje interesi i vendit dhe jo individëve. Për më tepër, mos të lejojnë që të përdoren politikisht nga ata që s’kanë bërë asgjë për të mirën e tyre dhe as të qytetarëve. Veteranët të jenë nderi i shoqërisë, mbrojtës të kauzave të tyre, vetëm kështu arrijnë të ruajnë peshën e tyre në shoqëri. Të shkëputën një herë e përgjithmonë nga ndikimi politik, të kuptojnë se Hashimi është e keqja më e madhe për ata vet por edhe për Kosovën dhe një njeri i tillë nuk meriton respektin e veteranëve. Ata që nuk iu trembën Serbisë, s’kanë pse të jenë kukull e dikujt në politikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat