Vrasësi e vret vetveten

Opinione

Vrasësi e vret vetveten

Prof. Dr. Kadri Bicaj Nga Prof. Dr. Kadri Bicaj Më 10 shtator 2021 Në ora: 20:21
Foto ilustrim

Çdo vrasje është rast në vete. Në të shumtën e rasteve, vrasjet paraqesin dukuri të pazgjidhshme nga aspekti i numërimit të shkaqeve me faktorët ndikues objektiv dhe subjektiv, por edhe në aspektin e tipareve të personalitetit që si “tërësi” mund të shkaktojë vrasjen.

Vrasjet në trevat tona deri vonë paraqitnin plagë të rëndë gjithëkombëtare. Por, tashmë me penë e mend, dije e mësim, kjo dukuri pothuajse është zhdukur me rrënjë, përveç rasteve sporadike të “gjaknxehtëve” të papërmirësueshëm. Këtë plagë të rëndë shekullore po e shndërrojmë në qëndresë gjithëkombëtare, po e largojmë gjithnjë e më shumë nga vetvetja, pasi është parakusht i ardhmërisë së lumtur.

Mjerisht, prapëseprapë kohët e fundit po ndodhin vrasje. Vetëm në vitin 2020 kan ndodh 27 vrasje dhe në vitin 2021 deri me tani kan ndodhur 19 vrasje që bejnë 46 vrasje shumë të trishta. Nuk janë ato që i kryente shteti policor shekullor nëpërmjet argatëve të vet në Kosovën e varfër dhe të plagosur e të lodhur nga lufta e fundit që është zhvilluar në mileniumin e kaluar. Këto vrasje janë shumë tronditëse dhe po shkaktojnë dhembje të mëdha shpirtërore, dëshpërim, pikëllim e hidhërim te qytetarët. Me aktin e vrasjes si vepër penale themelore dhe formë tipike - me të cilën drejtpërsëdrejti sulmohen jeta dhe trupi i njeriut, sidomos kur ndokush e privon nga jeta personin tjetër nga hakmarrja e paskrupullt apo nga motivet e tjera të ulëta – vriten vlerat më të larta njerëzore, sikurse janë: nderi, shëndeti miqësia, dija dhe bujaria e njeriut. Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës në fuqi, në Kapitullin XVI dispozita ligjore e nenit 172, parashihet mbrojta e jetës dhe e trupit të njeriut si vlera themelore shoqërore. Personi që kryen vepër penale, vrasje të rëndë me shkaktimin e vdekjes duke pasur parasysh posaçërisht kryerjen e vepres penale, dënohet më dënim jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm. Vrasja është privim të çdo personi nga jeta, që d.m.th. ndërprerja e funksioneve jetësore të qenjës njerëzore. Nga ky përkufizim rezulton se objekt i veprimit të vrasjes është çdo njeri si qenje njerëzore prej lindjes deri në vdekje. Pasoja e vrasjes është shkaktimi i vdekjes së një personi.

Në të shumtën e rasteve, vrasjet paraqesin dukuri të pazgjidhshme. Të pazgjidhshme nga aspekti i numërimit të shkaqeve, por edhe në aspektin e tipareve të personalitetit që si “tërësi” mund të shkaktojë vrasjen. Vrasësi në të vërtetë fsheh më shumë patologji se delikuentet e tjerë që shkaktohet nga një sëmundje që shmanget shumë nga zhvillimi normal dhe i natyrshëm. Kur njerëzit dëgjojnë për ndonjë vrasje, reagimi spontan i tyre është: “Mos është i krisur”? Kjo pyetje në vete ngërthen dy kuptime: a është shpirtërisht i sëmurë dhe a e di se në këtë mënyrë e ka shkatërruar edhe jetën e vet, e ka vrarë vetveten?!

Njeriu ka vetëm një jetë dhe në çdo mënyrë përpiqet ta mbrojë atë, por është konstatuar se disa njerëz këtë s’e bëjnë dot. Disiplinat që merren me njeriun synim të përbashkët e kanë hulumtimin e “patologjisë” në qenien e njeriut. Të sëmurin shpirtërisht, njerëzit deri diku mund ta kuptojnë. Po ashtu në njëfarë dore edhe vrasësin profesionist me përgatitje me veprime rrepsisht të ndaluara me ligj, por kurrsesi nuk mund ta kuptojnë vrasjen për një pronë të huaj, për një fjalosje të pakuptimt.

Para disa viteve një person i ngritur me dije shumë të mirë me tha: ”Shqiptar të keq në Kosovë nuk ka”, por mjerisht aty këtu dalin ndonjë që e ngrite tonin, i vlon gjaku, zbrazen armët, vritet njeriu, por në realitet vrasësi e vret vetveten. Në këtë drejtim lidhur me vrasjet, disa dukuri mund t’i kuptojnë vetëm ekspertët që merren me këto delikte. Këto janë të ashtuquajturat “veprime ose reaksione desociative. Për shembull, burri e gruaja e shikojnë televizorin. Ajo njëkohësisht qendisë. Papandehur ajo i merr gërshërët dhe e vret të shoqin. Deri në atë çast, ajo ishte në gjendje normale, mirëpo për një çast e humb kontrollin, dhe në çastin kritik ndryshon dhe kryen vepër penale vrasje. Por, edhe pas këtij çasti mbetet normale. Kur kryhen këso forma të veprave penale, shkaqet zakonisht kërkohen në rrethin më të afërt (burri, gruaja, dashnorja) dhe vetëm pas kësaj mund të shtrohet pyetja: “A thua pse ndodhi kështu”. Këtu zakonisht kemi të bëjmë me invektivë, apo sulm të rëndë me tronditje emocionale, të drejta etj.

Ekziston parimi themelor se çdo vrasje është rast më vete, i cili mund të jetë me qëllim, i planifikuar, i rastësishëm; vrasësi të mund të jetë i sëmurë psikik, që vuan nga epilepsia, që është kanceror në kokë, mund të jetë person normal sipas të gjitha kritereve psikologjike – psikiatrike (ndoshta në atë çast ka qenë person “i çrregulluar”. Ky kategorizim e vërteton parimin themelor se çdo vrasje është “rast në vete”. Disa nga konceptet themelore të fizikës, kimisë dhe ato biologjike nuk i kemi të qarta. Dihet mirëfilli se rryma (elektrike) mund ta mbysë njeriun. Kundruall kësaj, në të shumtën e herave nuk e dimë esencën, dinamikën, madje as motivin e vërtetë të vrasësit. Këtë e dimë vetëm pas veprës së kryer të vrasjes. Lindin mbi një mijë arsyetime në kokën e vrasësit. Pse veprova ashtu. Por, shtrohet pyetja se a mendon ai se e ka vrarë edhe vetveten. Deri në atë çast vrasësi është sekret. Sipas të dhënave statistikore, numri më i madh i vrasësve është nga shtresat më primitive, me arsim të ulët, gjë që e pengon zgjidhjen e enigmës. Pasi vrasja vepron gjatë, vrasësi e vret vetveten. Te shumica e vrasësve dështon instinkti për vetëqëndrimin. Viktimologjia, shkencë kjo për viktimën, kohët e fundit me kujdes grumbullon të dhëna se viktimat nuk janë gjetur rastësisht në vendin e ngjarjes, por për këtë i kanë shtyrë shkaqe të brendshme, ndonëse për këto relacione nuk ka prova empirike po mbeshtetje vetëm në vezhgimet shqisore. Pas analizës, vrasja në esencë mund të paraqitet edhe si vetëvrasje sipas gjykimit: “Më s’jam i aftë për t’u vrarë, por do ta vras tjetrin, për të me vrarë edhe mua”. Megjithatë, këto janë formacione që kërkojnë shqyrtime të natyrës tjetër. Ka arritur koha për një vetëdijesim të vetë njeriut, të shoqërisë sonë. Duhet menduar shumë se ai që vret, e ka vrarë vetveten, për çka e presin gjykimi dhe dënimi shumë i lartë, madje dënimi më i lartë kapital për vrasje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat