"Danke", Angela Merkel!

Opinione

"Danke", Angela Merkel!

Nga: Merxhan Jakupi Më: 27 shtator 2021 Në ora: 16:07
Merxhan Jakupi

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në katër mandate, për 16 vjet rresht, qeverisi shtetin gjerman, më të fuqishmin në Evropë. Ajo, gjatë këtyre viteve, mori epitetin "femra më e fuqishme" në botë. Evropiania dhe "zonja e hekurt", kancelarja gjermane, para përfundimit të mandatit të saj, për në fund, mori një turn në vendet e Ballkanit Perëndimor. Merkel vizitoi dy shtete më gjeostrategjike, me kryeqendrat Beograd dhe Tiranë. Sipas disa analistëve dhe politologëve ballkanas, liderët e shteteve dhe opinioni publik kanë qenë skeptikë dhe të indinjuar, për faktin se nuk i vizitoi edhe Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën dhe Malin e Zi. Ata kanë thënë se evitimi i vizitës së kancelares gjermane në këto shtete, në mënyrë të tërthortë ka forcuar hegjemoninë, unitarizmin dhe autokracinë populiste në shtetet që i vizitoi, si dhe liderët e tyre, Vuçiq dhe Rama, për favorizimin e ideve për "Serbi të madhe" dhe "Shqipëri të madhe". Po ashtu, edhe opozita serbe ka bërë kritika të ashpra kancelares Merkel, për takimin me Vuçiqin në Beograd. Sipas opozitës serbe, Merkel ka ndihmuar për forcimin e pushtetit të liderit serb, në një shtet njëpartiak, pa opozitë, me një lider më autoritar në Ballkan.

PSE MERKEL INJOROI DISA SHTETE TË BALLKANIT PERËNDIMOR

Disa analistë kanë thënë se mos shkuarja e kancelares gjermane në Sarajevë dhe Podgoricë, justifikohet me faktin se atje s'ka pasur me cilin lider të bisedojë. Bosnja-Hercegovina ende konsiderohet si një shtet destabilizues, me tensione ndëretnike, ndërsa Mali i Zi ka hyrë në një vorbull që reflekton përplasje dhe luftë civile. Por harrohet se faktori destabilizues i Bosnjës, Malit të Zi dhe Kosovës është pikërisht Serbia, por pikërisht për këtë shkak kancelarja gjermane Merkel takohet me liderin serb, Vuçiq, për ta frenuar në veprimet e tij. Atë e konsiderojnë si president i të gjithë serbëve, pikërisht siç ishte satrapi Sllobodan Millosheviqi.

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë së Titos, serbët, sikundër edhe shqiptarët, mbetën në disa shtete të sapo pavarësuar. Disa e konsiderojnë takimin me Vuçiqin si të imponuar, sepse pikërisht ai i paska çelësat e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, njëjtë si Millosheviqi i cili përcaktonte nëse do të ketë luftë apo paqe. Gjatë këtyre 16 vjetëve, kancelarja gjermane, Merkel, po ashtu ka takuar edhe liderët e mëparshëm serbë, si Koshtunicën, Tadiqin dhe Nikoliqin, tash edhe Vuçiqin. Në të gjitha këto takime, në agjendën e vet të bisedimeve ka pasur Kosovën. Sipas saj, të gjithë liderit serbë kanë pasur qëndrim të njëjtë, se Kosova është pjesë e Serbisë dhe kështu qëndron edhe në kushtetutën e saj. Ajo ka vlerësuar se Vuçiqi nga gjithë të tjerët, ka qenë më kooperues dhe më pragmatik në dialogun me përfaqësues të Kosovës. Kësisoj e ka trajtuar shkaku se opozita serbe përherë ka qenë e përçarë, por Merkel në bisedime me Vuçiqin gjithherë ka pasur me vete karotën dhe shkopin, ndonëse disa analistë thonë se shpesh edhe e ka përkëdhelur Vuçiqin. Në bisedime, Merkel ka shmangur konfliktet eventuale mes Beogradit dhe Prishtinës. Një nga arritjet më të mëdha të Merkelit në favor të Kosovës, është qëndrimi i saj i fuqishëm për mos ndryshimin e kufijve. Ka pasur bisedime edhe prapa dyerve të mbyllura. Shihet që Vuçiq është gjunjëzuar dhe ka pësuar një debakël politik.

Në vitin 2018, në Forumin Ekonomik Botëror, tre liderë ballkanas, Vuçiqi, Rama dhe Thaçi kanë biseduar për shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës. Për këtë çështje, ishte "pro" edhe ish-presidenti amerikan, Donald Tramp, madje edhe disa shtete të BE-së, sidomos presidenti francez, Makron.

KUSH ËSHTË ANGELA MERKEL

Angela Merkel është nga Gjermania Lindore. Sipas fjalëve të saj, kur ishte shembur Muri i Berlinit, kishte qenë me një shoqe në "saunë". Pas bashkimit të dy shteteve gjermane, ajo braktisi fizikën dhe kiminë, për t'u marrë me politikë në fillim të viteve '90, pas kancelarit Helmut Kol, i cili bashkoi gjermanët. Ajo ishte një kancelare karizmatike, e cila ka bërë histori, sikurse Adenhaueri dhe Koli, ndaj dhe ishte kancelare e moderuar dhe pragmatike. Doktrina politike e saj ishte realizimi i ëndrrave të etërve të Evropës, për një bashkim të kontinentit, për paqe dhe për një botë më të mirë.

Kriza humanitare në luftën e Sirisë dhe ardhja e refugjatëve më 2015, kur të gjitha shtetet i kishin mbyllur kufijtë me gjemba, Merkel shprehu humanizmin e saj ndaj njerëzimit dhe hapi kufijtë, për t'i pranuar të gjithë refugjatët. Pas eksodit, asnjë sirian nuk është kthyer, shumica e tyre janë integruar dhe janë punësuar. Me këtë, Gjermania ka fituar edhe fuqi të re punëtore. Gjermania, një nga shtetet më të zhvilluara industriale në Evropë, e cila është edhe lokomotiva e BE-së, në kohën e recesionit më 2009, ndihmoi disa shtete anëtare të BE-së, si Italia, Spanja dhe Portugalia, që ishin para kolapsit ekonomik. Ishte Merkel ajo që nuk lejoi Greqia të përjashtohet nga eurozona. Ajo ishte një ndër kritikuesit më të ashpër të ish-presidentit amerikan, Donald Tramp. Ishte kundër bllokadave dhe mureve, kishte fiksuar fobinë nga Muri i Berlinit. Bota feministe ishte krenare që Angela Merkel u bë femra më e fuqishme politike në botë. Në takime me femrat, ajo ka inspiruar dhe i ka mbështetur ato, duke i inkurajuar se edhe femrat mund të udhëheqin me pushtetin, njësoj si edhe meshkujt. Ajo ishte e dashur dhe u popullarizua jo vetëm brenda kufijve të shtetit të vet. Nga 10 milionë të papunë, dikur, sot Gjermania kërkon fuqi të re punëtore.

Deutcshland!", "Danke Angela Merkel!" duhet kënduar këngën, pas përfundimit të epokës së saj. Duhet ta këndojnë edhe refugjatët sirianë, sikundër dhe shqiptarët, sidomos ata të Kosovës, madje duhet të këndojnë edhe serbët, sepse shumë serbë po punojnë në Gjermani e jo në Rusi. Kompanitë gjermane kanë investuar në Serbi dhe kanë gjetur punë me mijëra serbë, duke e rimëkëmbur ekonominë e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat