Filozofia, shqiptarët dhe edukimi!

Opinione

Filozofia, shqiptarët dhe edukimi!

Nga: Adriana Istrefi Më: 28 shtator 2021 Në ora: 13:17
Autorja

Të mosbesosh rreth gjërave që të rrethojnë është një shkak që arsyeton njeriun e sotëm të dyshojë tek vetë njeriu, jeta, idealet dhe shpresat për një botë më të mirë. E çfarë është një botë më e mirë sesa paqja mes vetes?! Por për të arritur deri tek paqja njeriu për shkak të botës, duhet të "konfliktohet" duke prodhuar gjendjen njerëzore. Shkaku i parë i mosbesimit është përdorimi i tepërt i gënjeshtrave. Tek ne, të gënjesh prodhon gjendje deliri, madhështie, prodhon drejtorë, nëpunës, shtetarë, kryetarë të cilët veshur me këmishë dhe kollare mashtrojnë veten se janë "Zot" të kësaj bote. Ndaj shqiptarët duke mosbesuar, nuk i besojnë më as vlerave të cilat shihen me dyshim.


Shkaku i dytë i mosbesimit është keqinformimi. Tek ne, lajmi është teknikisht i përpunuar, i sforcuar, i ngjeshur madje lajmi mund të prodhojë heronj të paqenë, të bëjnë të vdekur dhe më pas të ngjallin madje madje përmes lajmit ti mund të shpallesh dhe nongrata në një vend kaq të vogël ku informimi
është i censuruar ndaj shqiptarët nuk besojnë. Shkaku i tretë është se shqiptarët gjithmonë gjenden në një gjendje të shqetësuar, nga realiteti,
politika, por edhe nga edukimi. Çfarë emocioni prodhon sistemi i edukimit në Shqipëri? Kujt i delegohet e drejta për të kontrolluar fatin arsimor të fëmijëve? A prodhon edukimi një sistem standard të arsimit, vlerave? Çka ndodh me virtytin, idealin në edukim? Sistemi arsimor shqiptar mbetet një shkak kryesor i mosbesimit se shqiptarët mund t'i besojnë forcave të tyre mendore për të shkuar përpara. Si mund të formohet Intelekuali i Ri, ku tek ne kapitalizmi, varfëria, burokracia "vret" çdo ditë e më shumë statusin e fëmijës që në idealin e tij ka vetëm një
kërkesë " dëshirën për të studiuar.

Por kjo dëshirë kaq themelore, a mund të realizohet nëse librat përkthehen gabim, shkenca ka mbetur në vend... Cila është arritja e fundit shkencore që ka bërë Shqipëria? Po filozofia në Shqipëri pse nuk ka arritur të reformojë etikisht vlerat dhe virtytet ? ( Le të kujtojmë ngjarjen e fundit të shëmtuar në një shkollë shqiptare, ku fëmijët përdornin një fjalor të shëmtuar kundrejt mësueses ndërkohë mësuesja nuk  reagonte.) Po figura e mësuesit shqiptar a mund të gëzojë privilegjin e të qënurit edukator, apo mbetemi akoma tek rrogëtari i cili nuk e mbyll dot muajin me pagën e tij. Tek ne kudo flitet për demokraci, por për filozofi pothuajse aspak. Të thuash se dyshon tek sistemi demokracisë, të quajnë antidemokrat madje kundër rrjedhës, por të kuptojmë se demokracia duhet të prodhojë qytetarin aktiv, por tek ne kemi termin "qytetar digjital".

Të thuash se dyshon tek mjekësia të thonë se tek ne ka mjekë të mirë ( por në fakt jo të gjithë janë të tillë.)  Të thuash se dyshon tek drejtësia
të thonë se mbron të pavërtetën ndërkohë tek ne barazia mund të ndryshojë dhe nga ngjyra lëkurës. Por nëse ti thua "PO" për gjithçka kjo është "filozofi".

Ka disa çështje të natyrës epistemologjike. Së pari çfarë është të arsyetosh mirë? Çfarë e bën një arsye të mirë ose të keqe? E nëse duhet të arsyetojmë rreth kësaj a duhet të flasim për indoktrinim apo për edukim ? Filozofia duhet të jetë një nevojshmëri për shqiptarët, një domosdoshmëri për t`i parë gjërat ndryshe nga sloganet, parullat dhe fjalimet, një metodë jetese për të vendosur parimet, idealet si qëllim jetik në jetë, por për të arritur gjer këtu a mundet populli shqiptar të shkëputet nga absolutizmi moral dhe gjykimet tradicionale?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat