Krimet e Serbisë janë shumëfish më të rënda

Opinione

Krimet e Serbisë janë shumëfish më të rënda

Nga: Gjokë Dabaj Më: 4 nëntor 2021 Në ora: 22:42
Gjokë Dabaj

Po them: Krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve janë shumëfish më të rënda se ato të gjermanëve ndaj hebrenjve, në radhë të parë, sepse krimet e nazistëve gjermanë janë shtrirë në fare pak vite. Ndërkaq, kohëzgjatja e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve është e pakta dhjetë herë më madhe se ajo e nazistëve gjermanë ndaj hebrenjve.

E dyta, gjenocidi serb ndaj shqiptarëve nuk është kryer vetëm nëpër kampe përqendrimi, por edhe në terren. Në vendbanimet e shqiptarëve. Në atdheun e shqiptarëve.

Shqiptarët janë mbyllur nëpër kulla apo shtëpi të zakonshme dhe janë djegur të gjallë, me burra, me gra e me fëmijë. Shqiptarët janë nxjerrë në sheshet e katundeve dhe janë pushkatuar ose therur me thika. Shqiptarët janë vrarë me dhjetëra mijë, kohë mbas kohe. Në vitet 1876-1880 e në vazhdim, në vitet 1910-1913, në vitet 1918-1920,në vitet 1941-1945 dhe në vitet 1998-1999. Janë, pra, e pakta 123 vjet gjenocid ndaj një kombi, thjeshtë sepse lakmohet toka e tij.

Megjithëkëtë, krimi serb mbi shqiptarët nuk po ndëshkohet siç është ndëshkuar me të drejtë krimi nazist mbi hebrenjtë.

Pse po ndodh kështu?!

Mos është Evropa më e pandjeshme kur shqiptarët vriten, theren, digjen e groposen në grumbuj, sesa kur ndaj hebrenjve kryheshin të njëjtët krime?! Mos është SHBA-ja më e pandjeshme?! Mos janë Rusia dhe Kina më të pandjeshme?!

Apo është Serbia shoviniste më e fuqishme se Gjermania, për t’i kryer krimet dhe për të mos u bërë ndaj saj kurrfarë gjyqi ndërkombëtar?!

Cili është shkaku kryesor që e la dhe po e le Serbinë të pandëshkuar?!

Unë mendoj që shkaku kryesor që Serbia po mbetet ndërkombëtarisht e pandëshkuar, jemi vetë ne shqiptarët.

Ndaj hebrenjve u zbatua gjenocid i pashembullt, por pjesa hebre që mbeti gjallë, nuk heshti, nuk u gjunjëzua, nuk iu lëpi as Gjermanisë, as botës, e cila doemos do të vihej, jo në krahun e persekutuesve, por në krahun e të persekutuarve. Pjesa hebre që mbeti gjallë, i tha botës, me të gjithë mjetet e mundshëm: O botë, dënoje krimin! Dhe i publikoi dokumentet një për një, derisa bota pranoi dhe vendosi t’i ndëshkojë kryerësit e gjenocidit. Jo vetëm kryerësit e drejtpërdrejt të krimit, por e dënoi krejt kombin gjerman, duke e detyruar që t’i paguajë Izraelit zhdëmtimet sipas vendimeve të gjykatës.

Pse nuk ndodhi kështu me Serbinë? Nuk ndodhi kështu me Serbinë, sepse shqiptarët qyqarë e durojnë me qindra vjet gjenocidin dhe shkojnë e ia shtrijnë dorën serbit dhe përqafohen me Serbinë sikur s’ka ndodhur asgjë.

Kjo është e vërteta dhe mirë na bëhet!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat