Djepin nuk e japi, sepse djepi im nuk është armë!

Opinione

Djepin nuk e japi, sepse djepi im nuk është armë!

Shefqet Cakolli Nga Shefqet Cakolli Më 4 nëntor 2021 Në ora: 23:03
Foto ilustrim

Sot, kur e pashë dhe dëgjova këtë lajm dhe deklarimin e vet mjekut, kam qesh me të madhe!

Në aspektin shkencor nuk di si i bujën kjo puna e djepit dhe përkundja e fëmijëve në të, edhe pse mjeku e shpjegoj në formën e vetë, por kur e dëgjova se djepi qenka i rrezikshëm si arma, besoni me shkoj në mendje përnjëherë se; nja tre a katër djepa që i mbaj në shtëpi, thashë vet me veti kahe mi fsheh tash se…

Dhe po do me ardhur puna si në kohën e mbledhjes së armëve në pushtime të ndryshme të popullit tonë, kur mblidheshin armët dhe torturoheshin shqiptarët për armë!

Unë për veti jam rrit në djep, dhe qe besa edhe pasi jam rrit, kam fjet në të dhe gjumin më të mirë e kam bërë pikërisht në djep, për këtë kam dëshmitar ata që më njohin, andaj po përgatitem edhe me më torturu, po djepin që jam rrit në të nuk e jap!

Edhe prej gazit që sot dëgjova prej këtij mjeku, më ra ndërmend edhe një gjë, që shpesh e kemi dëgjuar sidomos nga Serbia, duke thënë se “Djepi i Serbisë është Kosova”!

Eh, thashë vet me veti këtu po pajtohem që mi heq djepat se masandej Serbia s’ka ku mi qit serbët e vet, thuaja se vetëm në Kosovë paska djepa, bile edhe të Serbisë, kurse në Serbi nuk paska djepa?

Po nëse bëjmë një analizë më të detajuar dhe marrim për fakt vetëm luftën e fundit, pse serbët i dogjën djepat në Kosove, bashke me fëmijët tanë në te.

Këtu diçka nuk është në rregull!

Ky mjek po kërkon mi heq djepat, Serbia i dogji ato kur thotë se djepi i tyre është në Kosovë!

Ec e bjeri në fije kësaj pune!

A mi heq djepat a mi mbajt si deri më tash!?

Dikush po merret edhe me shaka, se djepi po ja u shlyen trupin popullit, dhe nuk po dinë çka me vepru!

E si po u shlyjka truri në djep, a din ndokush me tregu, dhe si po u dëmtojka trupi po ashtu në djep, këtë fakt vërtet nuk po mundem me besu!

Tani mjeku tha se është edhe dhunë ndaj fëmijës, që të lidhet me “katër këmbët” si kafshët dhe të vihet në gjumë me zor!

Ligjërisht ndoshta ka të drejtë mjeku, por cili prind ushtron dhunë deri sa e vendos fëmijët e vetë në djep për gjumë, nuk besoj se ka ndër ne, sepse djepi ka qenë trashëgimia jonë e të rriturit të gjeneratave të ndryshme dhe në periudha të ndryshme.

Andaj mendoj se djepi është një traditë dhe trashëgimi kombëtare dhe kurrsesi një armë!

A përdoret sot si përpara apo jo është temë tjetër dhe standardet e jetës në rrethana të caktuara kanë ndryshuar ndër vite.

Paramendojeni që sot, një çift i ri, blen një krevat për fëmijë që ka formën e një kafazi, për mos me u rrëzuar fëmija, sepse të tillët janë ata!

A mund ta quajmë shkelje e të drejtës së fëmijës me mbyllë në “kafaz“- krevat fëmijësh, një veprim të tillë, sigurisht se jo!

Sot i nderuari mjek, djepat nuk janë më në masë të madhe duke u përdor si përpara disa viteve, andaj ky vlerësim i juaji lidhur me djepin është jashtëzakonisht i ekzagjeruar dhe i pa vend, sidomos kur e krahasoni me një armë, rrezikshmërinë e tij, dhe që doni ta merrni një iniciativë për ndalimin e djepit në Kosovë, edhe me ligj!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat