Pse mjekët merren me politikë?

Opinione

Pse mjekët merren me politikë?

Nga: Dedë Palokaj Më: 12 nëntor 2021 Në ora: 15:53
Dedë Palokaj

Duke përcjellur debatin televiziv Përparim Rama dhe Arben Vitia në emission “Rubikon”, me linden mendime dhe pyetje të shumta. Thuhet se nëse nuk merresh me politikë, politika merret me ty. Pse kaq shumë mjekë insistojnë të bëhen pjesë e partive politike? Madje bartin edhe funksione publike të larta që nuk kanë kurrfarë lidhje me profesionin e tyre si mjek? Ky është një fenomen ende i pashpjegueshëm po ndodh vitet e fundit. Sot mjaft mjekë po e lënë anësh bluzën e bardhë të mjekut, në të cilën kanë investuar më shumë se dy dekada dhe kanë veshur kostumin e politikanit. Pse kemi angazhim kaq të madh të specialistëve mjekësor në partitë politike? Për tu treguar human duke u bërë mire të tjerëve, për narcizoizëm, për pushtet, për para, apo për shërimin e shoqërisë? Pse mjekët në të gjitha vendet e BE-së janë të përjashtuar nga politika kurse te ne ndodh e kundërta? A fiton politika aq shumë sa që e bën të parëndësishme edhe humbjen që pëson shëndetësia dhe pacientët në këtë rast.

Në SHBA, braktisja e thirrjes mjekësore dhe marrja me politikë konsiderohet si diçka negative, si humbje e madhe e respektit publik, e besimit kolektiv dhe humbje e respektit që kanë pacientët dhe të afërmit e tyre ndaj mjekëve. Të dhënat nga anketa vjetore të kryera nga “Agjencia Gallup” tregojnë se mjekët gëzojnë më shtatë herë më tepër besim publik se sa politikanët dhe anëtarët e Kongresit Amerikan. Pikërisht për shkak të kësaj humbjeje, për mjekët që zgjedhin mjekësinë si profesion, ikja e tyre në politikë, veçanërisht në Amerikë, në mënyrë metaforike paraqet një lloj vetëvrasje morale.

Politikan i keq mund të bëhet çdokush, por mjek i mirë nuk mundet çdokush. Njerëzit kanë krejtësisht perceptim dhe mendim tjetër për mjekët, nga ata presin t'i shërojnë kur janë të sëmurë për çka edhe i paguajnë shërbimet e tyre. Në brendësinë e tyre ndjehen të zhgënjyer kur mjeku i tyre u paraqitet si politikan me premtime se do tua zgjedh problemet me kanalizimin, me ujin, me ndërtimin e shkollave, rrugëve, me punësimin, problemet ekonomike etj. Në betimin e Hipokratit shkruan se mjekët mbi të gjitha duhet ti përmbahen obligimit: “Shëndeti i pacientit tim do të jetë brenga ime më e madhe”.

Betimi i Hipokratit

“Në çastin kur po hyj në radhët e anëtarëve të profesionit mjekësor premtoj solemnisht se jetën time do ta vë në shërbim të humanitetit. Ndaj mësuesve do ta ruaj mirënjohjen dhe respektin e duhur. Profesionin tim do ta ushtroj me ndërgjegje e me dinjitet. Shëndeti i pacientit tim do të jetë brenga ime më e madhe. Do t’i respektoj e do t’i ruaj fshehtësitë e atij që do të më rrëfehet. Do ta ruaj me të gjitha forcat e mia nderin e traditës fisnike të profesionit të mjekësisë. Kolegët e mi do t’i konsideroj si vëllezër të mi. Në ushtrimin e profesionit ndaj të sëmurit tek unë nuk do të ndikojë përkatësia e besimit, e nacionalitetit, e racës, e politikës, apo përkatësia klasore. Që nga fillimi do ta ruaj jetën e njeriut në mënyrë absolute. As në kushtet e kërcënimit nuk do të lejoj të keqpërdoren njohuritë e mia mjekësore që do të ishin në kundërshtim me ligjet e humanitetit. Këtë premtim po e jap në mënyrë solemne e të lirë, duke u mbështetur në nderin tim personal.”

Disa sociolog mendojnë se angazhimi i mjekëve në politik është si rezultat i papjekurisë së një shoqërie që ende është e influencuar nga e kaluara, nga tradita socialiste e kujdesit shëndetësor. Në shtetet me traditë demokratike, politika rekruton kryesisht njerëz kompetentë të cilët me punën e tyre janë dëshmuar dhe afirmuar në qarqet përkatëse shkencore dhe opinioni i njeh si politolog, juristë, ekonomistë, filozof, avokat, bankier, shkrimtar apo gazetarë.

Shtohet pyetja: A duhet votuar për kryetarë të Prishtinës, arkitektin dhe profesionistin e njohur, fituesin e shumë çmimeve ndërkombëtare për arkitekturë në botë, Përparim Ramën, apo amatorin për urbanizëm - mjekun e mjekësisë së përgjithme, Arben Vitin, për ta zgjedhur kaosin e qytetit të Prishtinës? Cilin duhet ta votojmë: profesionistin apo amatorin?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat