Kush e ka radhën pas Ukrainës?!

Opinione

Kush e ka radhën pas Ukrainës?!

Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më 24 janar 2022 Në ora: 14:17
Ilustrim

Rusia ka grumbulluar mbi 100 mijë trupa ushtarake në kufi me Ukrainën. Pasi nxiti dhe sponsorizoi konfliktin në lindje të saj, Moska tani pas 8 vitesh mendon se i ka ardhur momenti të përdorë sërishmi forcën për t'iu imponuar nga pikëpamja gjeopolitike SHBA-ve dhe Evropës. Në fakt Kremlini llogarit në përçarjen e faktorit evropian, por shfrytëzon edhe ndonjë dobësi të administratës amerikane. Dhe ka investuar jo pak për këtë përçarje. Duke filluar te Gerhard Schroeder e duke shkuar deri te Joseph Borrell e Miroslav Lajçak. Për këto qëndrime të vendeve euro-atlantike ka njerëz që qortojnë Perëndimin. Ndërkohë që janë rusët e Vladimir Putin ata që po përdorin metodat e Hitlerit e të Stalinit për destabilizimin e Evropës Lindore dhe të të gjithë kontinetit evropian.

Bisedimet midis sekretarit Blinken dhe shefit te diplomacisë ruse, Lavrov, kanë përfunduar pa sukses, pra, pa marrëveshje midis palëve. Gjeneva duket se ka marrë pamjen e Konferencës së Mynihut të vitit 1938. Që do të thotë se Vladimir Putin është pas këtij takimi i gatshëm të veprojë me forca ushtarake në Ukrainë, njësoj si Hitleri mbi Çekinë. Dikush beson se ky do të jetë thjesht një inkursion ushtarak, që do të sjellë ndryshimin e qeverisë në Kiev, për të sjellë politikanët e vijës ruse. Dikush tjetër e trajton si pushtim të Ukrainës. Sigurisht që presidenti rus do të donte një Ukrainë vasale dhe jo të pushtuar. Por çfarë do të ndodhë në fakt? Këtë do ta mësojmë në pak ditë ose në pak javë.

E sigurt është se Rusia dhe presidenti i saj llogarisin në destabilizimin e Ukrainës. Kjo do të shërbejë jo vetëm për të vendosur kontrollin rus në këtë vend, por edhe "për ta harruar" Krimenë! Madje Krimeja mund të jetë objektivi kryesor i një marrëveshjeje midis Fuqive të Mëdha në këmbim të rikthimit të paqes së përkohshme. Them të përkohshme, sepse një paqe e tillë u vendos në vitin 2008, kur Moska ndërhyri në Abkhazi e Osetinë e Jugut, pjesë të Gjeorgjisë. Dhe paqja e asaj kohe zgjati vetëm gjashtë vite, deri në fillim-pranverën e vitit 2014, kur u sulmua dhe aneksua Krimeja. Tani përkohshmëria kaloi dhe po nis një furtunë e re.

A do ta fitojë Perëndimi kësaj radhe një paqe të përkohshme si dy herët e tjera? Vështirë është për ta thënë. Sepse Rusia duket se i ka turbulluar ujërat e paqes përgjithmonë. Megjithatë NATO, SHBA dhe Evropa nuk janë të gatshme të hyjnë në luftë për shkak të Ukrainës. Këtë gjë e dinë në Kremlin. Ndonëse me vonesë, e mësuan edhe në Kiev. Dhe e gjitha po ndodh për shkak të përçarjeve në faktorët perëndimorë. Francezët dhe gjermanët thuajse kanë shpallur neutralitetin, ndërkohë që aleatët e tyre në lindje e madje edhe në veri të Evropës, deri në Suedi e Finlandë, po dridhen përpara ariut rus. Ndoshta nuk kanë asnjë mundësi të reagojnë. Por duket se po jetojnë ëndrrën e gomarit, të cilin ujku e kafshonte nga mbrapa dhe ai thoshte "inshalla jam në ëndërr"!

Ukraina është stacioni i radhës. Kush do ta ketë fatin e saj nesër ose pasnesër? Sigurisht Moldavia. Por në rrezik është e gjithë lindja, vendet baltike e sidomos Ballkani. Lavrov i kërkoi Blinken që NATO të tërhiqet edhe nga Rumania e Bullgaria. Ky është një parakusht për shtrirjen e influencës ruse në Ballkan. Kremlini ka kërkuar gjithashtu që NATO të garantojë se nuk do ta përfshijë Serbinë në radhët e saj. Kjo do të thotë se Moska ka për qëllim ta shtrijë ndikimin e saj në perëndim të Ballkanit. Pra objektivi i Moskës është Adriatiku, njësoj siç ishte në fillimin e shekullit XX. Asgjë nuk është si më parë dhe asgjë nuk është e sigurt. Ndërkaq asgjë nuk ka ndryshuar nga gjeopolitika e para një shekullit.

Për këto arsye Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët në Ballkan do të duhet të pozicionohen qartë dhe prerë. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë një deklaratë me të cilën ajo shprehet solidare me Ukrainën. Por është pak. Shqipëria dhe Kosova duhet të shprehin gatishmëri që të ndihmojnë Aleancën Atlantike me gjithçka munden në konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës. Përcaktimi i sotëm është paralajmërim për ndarjen përfundimtare të vijës së demarkacionit. Ukraina është paralajmërim sidomos për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, si dhe për Malin e Zi, të cilat janë të ekspozuara para modelit rus në Ukrainë, por që e përdor Beogradi në Ballkan.

Taktika e asnjanësisë e më shumë se një shekulli për Shqipërinë na ka provuar se nuk na shërben për prosperitet dhe zhvillim. Asnjanësia na ka lënë në fushëbetejën e Fuqive të Mëdha si objekt gjahu. Tashmë Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe te ne po ndërtohet një bazë ushtarake e kësaj Aleance. Ndërsa në Kosovë thuajse është ndërtuar baza amerikane e Bonstillit. Në këto kushte është tashmë i përcaktuar vendi i të dy shteteve në fjalë, por edhe i shqiptarëve në gjeopolitikën e sotme. Megjithatë në rastin e këtij konflikti të përsëritur midis Rusisë dhe Ukrainës ka nevojë që politika, parlamentet, qeveritë, partitë dhe shoqëria shqiptare të solidarizohen fuqishëm në përkrahje të së drejtës së Ukrainës për mbrojtjen e sovranitetit të saj dhe të lirive që i takojnë në vendimmarrje e në raportet ndërkombëtare.

Rikthimi i Rusisë në Ukrainë është fundi i epokës së bashkekzistencës paqësore midis Lindjes dhe Perëndimit. Ofensiva ruse në Ukrainë është jo vetëm paralajmërim, por edhe trokitje e fortë në dyert e qytetërimit evropian. Rënia e Ukrainës është rënia e Evropës dhe Ballkani do të jetë preja e radhës për ujqërit siberianë. Gjithkush që ka një rol për ta luajtur, është koha të veprojë sot. Nesër mund të jetë vonë, madje shumë vonë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat