“Mirëmëngjes me interes”

Opinione

“Mirëmëngjes me interes”

Nga: Nasho Bakalli Më: 24 janar 2022 Në ora: 23:00
Nasho Bakalli

Një pjesë e shtypit grek filloi përsëri të përhapë konsiderata të çuditëshme për marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë. Cili është shkaku? E kush mund të jetë tjetër, sot, përveç vizitës në Shqipëri të Rexhep Taip Erdoan, president i Republikës të Turqisë, vizitë kjo e lajmëruar qysh dy muaj më parë.   

 Gazeta Protothema.gr në një shkrim të gjatë të saj ankohet, pasi përmend një sërë nderesh që Greqia i ka bërë Shqipërisë!?, se një prej virtuteve të qeverisë të Shqipërisë mirënjohja ndaj Greqisë - na qënka shëndruar në mosmirënjohje. Dhe, ky akt i pabesë paska ndodhur pikërisht në çastin kur presidenti Erdoan u dorëzoi çelësat e shtëpive të reja - të ndërtuara me financimin direkt të Turqisë - 550 familjeve të qytetit të Laçit të dëmtuara ato rëndë nga tërmeti i vitit 2019. Por - argumenton artikulli i Protothema.gr - nëse bëjmë krahasimin e kësaj vepre humanitare të Turqisë me shqiptarët që jetojnë në Greqi, prej mëse 30 vite, dhe shumat në para që ata dërgojnë në Shqipëri, krahasimi del në favor të Greqisë.

Pikrisht këtë përfundim, sipas Protothema-s, qeveria shqiptare e nënvleftëson, dhe andaj shteti shqiptar është mosmirënjohës. Për këtë gjë do të flas deri në fund të shkrimit.   

Gjer në një farë vendi argumentimi që bën Protothema.gr është i drejtë. Por miku ynë gazetar, me sa unë kuptoj, nuk paska qënë as edhe një herë në Shqipëri me qëllim që të shihte në vend pasojat tragjike të Tërmetit… . Pastaj. Pritja korrekte e një presidenti është detyrim protokollar i atij shteti që e pranon atë për vizitë, dhe korrektesa mbushet me më shumë ngrohtësi, gjithmonë protokollare,  kur lejon që në tokën shqiptare të bëhen ndërtime humanitare, dhuratë, në shërbim të popullsisë të dëmtuar nga fenomene natyrore të jashtëzakonshme, dhe që nuk vinë as edhe pak kundër interesave humanitare të shteteve fqinjë, me të cilët gjendemi  në marrëdhënie tejet paqësore, si dhe janë në akord të plotë edhe me parimet ndërkombëtare.

Që qarqe të caktuara greke nuk harrojnë të veprojnë kundër integritetit politik të Shqipërisë, ky është një fakt. Protestimi i tyre si "rrufeja në qiell të hapur” nuk ka si të kuptohet për mirë, sado që të përpiqemi. Qeveria greke i kupton jo pak qëllimet e tyre, po nuk bën zë!  

Pra, për të mos u zgjatur, mirënjohja - që po shduket si padashje prej fytyrave të vendeve të qytetruara ajo prapëseprapë më tepër takohet në Shqipëri se sa gjetkë, ndoshta, nga që ne nuk kemi përparuar shumë thellë brenda qytetrimit europian. Nëse në Shqipëri nuk të bën njeri mik po nuk pati interes të paktën, pasi të bën mik, shqiptari nuk të le për interes.

Si të le miku në mes katër rrugëve?

Që të shpegohem më mirë se çfarë roli luan qytetrimi në

humbjen e mirënjohjes do ti kujtoj automobilin këndonjësit të nderuar. Posa doli, dhe po perfeksionohet çdo ditë ky mjet i hatashëm komunikimi rrugor, nuk i mbeti vend kalit, dhe bashkë me kalin iku, natyrisht, edhe shpirti kalorsiak ose mirënjohës.

        Sot oshëtima e makinerive, tymi, dhe zhurma e sirenave na kanë ndotur edhe neve, jo vetëm mjedisin, dhe na kanë kthyer në makina, na kanë shpëlarë nga ndjenjat humanitare; na kanë bërë materialistë.  

         Sot industria e internetit prodhon aq shumë fake news saqë stresi dhe era e ndyrë e  tyre i shpëlajnë jo vetëm njerëzit po edhe shtetet, sistemet politike qeverisëse, prej ndjenjave humanitare; i bëjnë ato mosmirënjohës. A të lenë sot? applikacionet… të kesh shpirt kalorsiak sikurse kishin burrat e kohëve të shkuara? A të le sot? gara e shfrenuar e armatimeve që të mendosh për mirënjohjen kur komplekset industriale ushtarake përpiqen, duke shfrytëzuar edhe ajrin, të shtien në duart e tyre çdo të mirë materiale njerëzore; mundësisht edhe ndihmat e fondet financiare për urinë, etjen, sëmundjet, tërmetet… Makineritë e sofistikuara po sundojnë botën, dhe, ato kanë nevojë për kapital jo për moral. Edhe miqësitë mes shteteve, sikurse ato personale, janë të ngritura mbi interesin material. Edhe Greqia po të gjejë nesër qytetarë të huaj më të “majmë” se shqiptarët u ve këtyre “Fshesën”, i kthen të tërë në Shqipëri brenda ditës. Gjithësesi. Me grekët jemi dy popuj miq të vjetër, aq të vjetër sa asnjëri nuk di të thotë qyshkur.

Nasho Bakalli.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat