Mërgimi, plagë që kullon

Opinione

Mërgimi, plagë që kullon

Nga: Miftar Zagragja Më: 3 shkurt 2022 Në ora: 11:07
Miftar Zagragja

Historia e popullit shqiptar paraqet një dramë shumaktëshe, së cilës i dihet fillimi, por nuk i dihet mbarimi.Njëri ndër aktet e kësaj drame është edhe kurbeti.Shpërngulja e shqiptarëve, nga trojet e tyre stërgjyshore, filloi edhe para vdekjes së Gjergj Kastriotit –Skënderbeut. Por, shpërngulja më masive ndodhi pas vdekjes së tij. Tragjikja filloi me rastin e vendosjes e arbëreshëve në djerrinat e Italisë, në Sicili dhe Kalabri.

Njerëzit e shpërngulur me vete morën doket, zakonet,gjuhën, traditën kombëtare.Mërgimi i shqiptarëve ka pasur karakter të përjetshëm për të mërguarit, ku ata i janë nënshtruar sistemit juridik të vendit, ku janë vendosur dhe kanë gëzuar të drejta komunikimi të pakta me të afërmit e vendit prej nga kanë mërguar, përkatësisht i janë nënshtruar asimilimit të tyre prej ditës së parë të mërgimit.Mërgimi, përgjithësisht, sikurse edhe mërgimi i shqiptarëve nga viset e tyre në ish-Jugosllavi mund të studiohet rrënjësisht, po qe se gjurmohen dhe përcaktohen motivet e mërgimit të atyre që braktisin viset e vendin e tyre dhe vendosen përherë në vend tjetër të një shteti të huaj.Shkaqet e motivet e mërgimit të shqiptarëve kanë qenë të lidhura, në rend të parë, me faktorët e jashtëm. Këto u shkaktuan nga përligjja e pabarasisë dhe e shtypjes kombëtare të tyre.

Qëllimet e shtetit sundues dhe masat e rënda e të padurueshme të pushtetmbajtësve ndaj shqiptarëve u shndërruan në motive mërgimi të tyre, të ikjes së shqiptarëve nga diskriminimi, padrejtësia, dhuna, terrori etj.

Mërgimi i shqiptarëve aktualisht është ndër rrjedhimet më të rënda. Viktimë e tij u bënë edhe fëmijët,nxënësit, studentët, që mërguan së bashku me prindërit nga vendi i të parëve të tyre. Motivi i pasigurisë individuale dhe kombëtare të prindërve, të nxënësve dhe të vetë tyre u tregua vazhdimisht.Njerëzit që vendosin të largohen nga atdheu,pararësisht nga çfarë motivesh, bëjnë gabimin më të madh ndaj vetes dhe mëkatin më të madh ndaj fëmijëve, nipërve që nuk do t`ua falin kurrë, pse ata duke u djegur nga malli për atdhe nga njëra anë e duke mos pasur mundësi t`u ndihmojnë nga ana tjetër do të vuajnë tërë jetën.

Me vete, njerëzit e shpërngulur, morën: vdekjet,plagët, vajet, këngët, mallin për atdheun e të parëve.Tema e mërgimit është ndër më të shpeshtat në mbarë letërsinë shqiptare.Populli shqiptar pareshtur për zgjidhjen e problemeve e shihte përmes mërgimit, ku në tregjet e botës shqiptarët do të mund të shitnin fuqinë e tyre për kafshatë goje. Varfëria,këtë zgjidhje, e kishte kultivuar gjeneratë pas gjenerate dhe secila nga ato ishte munduar t`i bëjë ballë në mënyrë të vet.Shtegtimi a derdhja e popullatës autoktone shqiptare do të vazhdojë nëpër shekuj, herë më me intensitet e herë më ngadalëshëm, po pashkëputshëm.Mërgimin shqiptar e kanë karakterizuar tri motive: ai ushtarak, ekonomik dhe politik.Mërgimet, shpërnguljet, internimet kanë shkaktuar ndryshime të mëdha e të natyrave të ndryshme në atdheun e shqiptarëve, siç ishin ato të natyrës politike që lidhen me ndryshimet gjeografike të territorit, që do të thotë me zvogëlimin e relievit dhe po ashtu edhe me zvogëlimin e numrit të popullsisë në regjionin e caktuar. Fjalë të urta për kurbetin:“Fjala në vend të huaj bahet gur”, “Guri i rëndë në vend të tij”, “Kur të jesh në dhe të huaj, dita të duket një muaj.”, “Balta – m`e ëmbël se mjalta”, etj.Në historinë e popullit tonë mërgimi ishte dhe mbeti ndër plagët më të rënda individuale,kolektive dhe kombëtare.Mërgimi,si plagë e rëndë shoqërore, politike,ekonomike, social-kulturore dhe psikologjike e ka përcjellë popullin shqiptar gjatë tërë historisë së zhvillimit të tij,madje do të thoshin duke filluar prej pellazgëve, ilirëve,dardanëve e deri në ditët e sotme.

Shkaqet që kanë shkaktuar shpërnguljen e shqiptarëve janë ndër më të ndryshmet. Por, ndrydhjet,shtypjet, përndjekjet, presionet politike, sigurimi i kafshatës së bukës,si duket janë nxitësit kryesorë që e kanë ushqyer, shkaktuar dhe shpejtuar mërgimin - përkatësisht shpërnguljen e shqiptarëve nga vendbanimet dhe trojet e stërlashta të të parëve.

Mërgata shqiptare gjendet e shkapërderdhur në të katër anët e botës, ku aty-këtu ndjehet prania e saj më e madhe e që me veprimtarinë që bën ruan virtytet më të larta kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat