Pse Kosova është në qendër të vëmendjes së faktorëve ndërkombëtarë, sidomos atyre të BE-së..?

Opinione

Pse Kosova është në qendër të vëmendjes së faktorëve ndërkombëtarë, sidomos atyre të BE-së..?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 15 qershor 2022 Në ora: 16:21
Rexhep Elezaj

Vizitat e njëpasnjëshme në Kosovë të funksionarëve të lartë të BE-së, si vizita e sotme e presidentit të KE, z. Charles Michel, përfshirë vizitën historike të kancelarit gjerman, z. Olaf Scholz para pak ditësh në Kosovë, ashtu sikur edhe vizitat e ministrave të jashtëm të disa vendeve, si ai i Greqisë, Bullgarisë, i Austrisë, ajo e presidentit të Malit zë Zi, M. Gjukanoviç, por njëherë edhe vizitat e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Kurti, kryeparlamentarit G. Konjufca në disa shtete të Evropës perëndimore, të Ballkanit, në SHBA, etj, janë pa dyshim, sinjal i qartë se në kontinentin e Evropës pas agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë, janë duke ndodhur ndryshime rrënjësore politike, ushtarake dhe gjeostrategjike.

Pa hyrë në analizë të shkaqeve që çuan në fillimin e luftës në Ukrainë, ajo që neve si shqiptarë dhe si Kosovë na intereson më së shumti, është fakti, se pse vendi ynë, si një shtet i vogël me peshë minore në ndryshimet gjeostrategjike që po ndodhin muajt e fundit në Evropë dhe botë, mori një vëmendje kaq të madhe nga ana e BE-së, cila mbase nuk është pritur në Kosovë, dhe, që si të tillë nuk ka pasur që nga pavarësia e Kosovës me 2008.

Pra, nuk ka pasur kaq shumë vizita të niveleve kaq të larta në Kosovë, që domosdo para spektrit politik në Kosovë shtron disa çështje kyçe për analizë dhe trajtim të nevojshëm politik, diplomatik dhe ushtarak.

Së pari; ajo që lenë të kuptohet nga gjitha këto vizita, edhe nga ato të ndërsjella, sipas mendimit tonë, rezulton se faktorët udhëheqës të BE-së, pas luftës në Ukrainë, do i kenë kuptuar gabimet e bëra kundrejt rajonit të Ballkanit perëndimor, në veçanti ndaj Kosovës, duke mos bërë gati asgjë që edhe 5 vendet anëtare të saj (Qiproja, Greqia, Spanja, Rumania, Çekia) ta njohin pavarësinë e Kosovës, ashtu siç kishin vepruar 22 vendet tjera të BE-së.

Së dyti; ata duhet ta kenë kuptuar se mos-liberalizimi i vizave vetëm për Kosovën, ka qenë një vendim diskriminues, i pajustifikuar, i padrejtë dhe shumë i dëmshëm për perspektivën evropiane të saj, si një hap për anëtarësim e mëvonshëm të Kosovës në BE, pra duke mos u marrë me kohë me fatin e 2 milion shqiptarëve të dalë nga një luftë e tmerrshme, krejtësisht për shkaqe banale, siç ishin ato të kushtëzuara nga Franca dhe Holanda, etj..!?

Së treti; BE-ja duhet ta ketë kuptuar se lënia anash e çështjes së Kosovës për kaq shumë vite si dhe ledhatimi aq i madh që ia bënë Serbisë, pa e ndëshkuar fare për krimet dhe gjenocidin që ajo i kishte kryer në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë në vitet e 90-ta, madje duke bërë investime kapitale në Serbi, siç është Gjermania dhe disa vende tjera perëndimore, kurse në anën tjetër Kosovën e mbanin të izoluar si “dele të zezë” të Ballkanit, duke shkuar aq afër në përqafim të Serbisë, sa gati e patën barazuar viktimën (shqiptarët) me xhelatin (serbët), mbase duke tentuar që Serbisë t’ia aneksojnë edhe veriun e Kosovës..!?

Së katërti; dhe kjo është më kryesorja, është fakt i gjallë se faktorët vendimmarrës brenda BE-së, pothuajse nuk bënë asgjë që ta detyrojnë Serbinë ta njoh pavarësinë e Kosovës, gjë e cila sot është duke iu kthyer si bumerang, sepse asnjëherë për 14 vitet shkuara nuk i thanë hapur regjimit kriminal të Serbisë, këtë që ia tha me 10 të këtij muaji kancelari gjerman, Olaf Scholz, “se marrëveshja gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë..”, deklaratë kjo e cila regjimin fashist të Beogradit e ka përmbysur me kokë poshtë, duke shkaktuar termet shpirtëror, fetar, politik dhe ushtarak në Serbi.

Ngase, po ta kishte pasur BE-ja këtë qëndrim të prerë ndaj Serbisë qyshkur 22 vende anëtare të saj e pranuan pavarësinë e Kosovës, jam i bindur, se çështja e njohjes nga së shtetit të Kosovës nga regjimi i Beogradit do të ishte çështje e përfunduar qysh para dhjetë viteve e më shumë.

Si përfundim, e them me bindje të thellë, se, po qese krerët shtetëror të Kosovës nuk dinë ose nuk kanë njohuri të duhura politike, veçanërisht në aspektin diplomatik, që këto vizita si dhe interesimin e shtuar të BE-së ndaj rajonit të Ballkanit perëndimor, sidomos ndaj vendit tonë, duke i kthyer në favor të Kosovës rrethanat dhe rirreshtimet e reja politike dhe gjeostrategjike brenda vetë BE-së, por dhe ato në raportet shqiptaro-amerikane, jam i sigurt se ky shans historik kurrë më nuk do t’iu vije në dorë shqiptarëve si komb, por dhe si dy shtete të pavarura në Evropë.

Pra, koha është për veprime të mençura si dhe angazhime intensive politike, diplomatike dhe strategjike, derisa ende nuk është bërë vonë..!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat