Anija që po fundoset

Opinione

Anija që po fundoset

Merxhan Jakupi Nga Merxhan Jakupi Më 21 qershor 2022 Në ora: 13:11
Aleksandar Vuçiq

Sipas filozofit grek, Aristotelit, ekzistojnë dy lloje miqësish: miqësi e interesit dhe ajo e shpirtit. Vizita e paralajmëruar e dy diplomatëve, ministrit të jashtëm rus dhe kancelarit gjerman, për Beogradin kishin konotacione të ndryshme. Vizita e ministrit të jashtëm rus, Lavrov, për shumicën e serbëve do të ishte e përzemërt, ndërsa për Vuçiqin, madje, do të ishte një vizitë e mikut të shpirtit. Ndërkaq, vizita e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, për shumicën e serbëve do të ishte e ftohtë, jo miqësore apo e një miqësie interesash. Për Vuçiqin, Scholz nuk do të ishte një mik i shpirtit, por vetëm një i interesit. Ai, ministrin e jashtëm rus e kishte në shpirt, ndërsa kancelarin gjerman, në kokë, shkruan javorja serbe, NIN.

Për fat, apo mjerisht, kush si e kupton, u anulua vizita e Lavrovit. Vuçiq, në konferencë shtypi tha se nuk e kupton shkakun se pse fqinjët u gëzuan për lajmin se Lavrov nuk do të vijë në Beograd. Ai përdori një maksimë fyese për disa vende të BE-së, siç janë Bullgaria dhe Rumania, që linte të kuptohet se është fjala për popuj bastardë. Madje habitet për fokusimin e madh të medieve në BE dhe Ballkan, për mos ardhjen e diplomatit rus. Që të jetë absurdi edhe më i madh, Vuçiq tha se "Serbia do të vazhdojë me politikën e saj neutrale".

Pretendimet ruse per destabilizimin e BE-së

Sipas disa analistëve serbë, bllokimi i vijës ajrore në zonat e shteteve fqinje për fluturim të avionit rus, ishte një veprim i përkohshëm. Derisa për një numër të analistëve mosardhja e Lavrovit në Beograd ishte një flakaresh për Kremlinin, për presidenti serb, Vuçiq, ishte një lehtësim. Siç dihet, Beogradi ishte në një siklet të madh, ngase pas vizitës së Lavrovit, përflitej se kancelari gjerman, gjatë turrit të tij nëpër vendet e Ballkanit, s'do të kthente në Beograd. Vizita e Lavrovit nuk ishte protokollare, ndërsa në atë kontekst Kremlini ishte i izoluar nga shtetet e Evropës, pos nga Serbia si aleate e vetme. Në anën tjetër, diplomacia ruse deshi të tregojë se ende ka miq në Evropë.

Diplomacia ruse, pos bisedimeve për transaksionet ekonomike të energjetikës, ku Serbia është e varur nga energjia ruse, do të lejonte eksportin e gazit dhe naftës tek aleati i vet, me çmime shumë të lira. Në këtë kontekst, do të vazhdonin bisedat edhe me liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik. Diplomatët rusë në Serbi dhe Bosnjë e ndjejnë veten si në Moskë dhe Petersburg.

Analisti serb, Boshko Jakshiq, ka thënë se Putini është në luftë me Ukrainën, por diplomacia ruse po e shfrytëzon këtë për destabilizimin dhe përçarjen e BE-së, ndërsa për këtë shfrytëzon poligonin e Serbisë dhe Republikës Serbe. Vizita e Lavrovit ishte planifikuar nga Putini. Beogradi nuk mundej dhe s'guxonte ta refuzojë këtë vizitë. Po ashtu, vizita e ministrit të jashtëm serb, Nikolla Selakoviq, ishte imponuar nga Kremlini.

Elita politike serbe vasale e Putinit

Analisti serb, Jakshiq pranon se në dy dekadat e fundit, Serbia është shndërruar në një provincë të Federatës ruse. Elita politike është bërë vasal dhe marionetë e Putinit. Por, Beogradi nuk mund të vazhdojë më tej të qëndrojë ulët në dy karrige. Vuçiq tashmë po sheh se anija ruse po fundoset, ndërsa "të çmendurit po vallëzojnë". Ai po do tash që të shkëputet nga "nëna Rusi", por kjo tash nuk është gjithaq e lehtë. Ndonjë kthesë eventuale në raport me Rusinë, do të kishte pasoja të rënda. Sipas agjencive të huaja, mund të ndodhë që në qeverinë e Beogradit të vijnë rusofilët, një qeveri kukull që do të provonte të marshojë drejt Kievit.

Duke kritikuar politikën proruse të Beogradit, një eurodeputet kishte deklaruar për B12, se elita proruse në Serbi duhet të përgatitet për një Rusi tjetër. Është e vetmja Serbia, madje kandidate për BE, që mbështet regjimin fashist të Putinit. Duhet kujtuar se në të ardhmen do të vinë forca të reja demokratike që do ta rrëzojnë regjimin despotik dhe autoritar të Putinit. Pas shkuarjes së Putinit, Rusia do të demokratizohet dhe do t'i kthehet Evropës. Beogradi nuk mund dhe nuk duhet të vazhdojë ende me këtë politikë drejtuar në dy qendra, edhe me Brukselin edhe me Kremlinin. Për këtë nuk ka bërë dhe s'do të bëjë presion Brukseli, siç pëlqen të thotë Vuçiqi ultranacionalist.

Gjithë fati i popullit serb varet nga lideri i tij, presidenti Vuçiq, që qeveris vendin. Ai e ka marrë gjithë pushtetin në duart e veta dhe vendos për gjithçka, kishte thënë një aktivist i një subjekti të ri në Serbi, me emrin "Maramo". Ky subjekt i ri politik, që ka dalë nga qendrat kryesore të vendit, si Beogradi, Novi-Sadi etj., ka një koncept të ri politik, kryekëput proevropian. Kjo parti ka fituar në zgjedhjet e fundit 10 për qind të votave në nivel të vendit. Ajo pretendon ta ndryshojë orientimin politik të këtij vendi. Doktrina dhe platforma e saj politike është kryesisht qytetare, madje thonë se ajo është inspiruar nga lideri i partisë "Ura" e Dritan Abazoviqit. Një kategori intelektualësh dhe opozitarësh thonë se vendi ka nevojë për një lider si Abazoviqi. Serbia ka nevojë për një lider pragmatik dhe transparent, shkruajnë disa portale të pavarura në Serbi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat