Shqiptarë, kujt ia kërkoni dorëheqjen?

Opinione

Shqiptarë, kujt ia kërkoni dorëheqjen?

Nga: Ilir Levonja Më: 4 gusht 2022 Në ora: 08:14
Ilir Levonja

Shumë nga shqiptarët sot habiten me reagimet e vonuara të Kryeministrit, ministrit përkatës apo ministreshës për turizmin etj. Ashtu si shumë të tjerë mërziten me reagimet brutale të disa analistëve nën hijen e qeverisë. Kjo për ngjarjen e hidhur në plazhin e Potamit Himarë. Madje kjo dhimbje njerëzore nxorri në pah edhe faktin se sa i pa fuqishëm është shteti karshi atyre që dominojnë turizmin në bregdet.

Shkurt mos u habisni, janë pjellë e kulturës sonë të përmbledhur në një postulat, për inat të sime vjehrre po shkoj me mullixhinë e fshatit. U rraskapitët një javë me shashkat e qeverisë se, ka qënë apo nuk ka qënë spiun i sigurimit ish Presidenti Ilir Meta.

Madje është e neveritshme kur shikon një tërësi gjoja intelektualësh të cilët se kanë për gjë të varrosin gjithë kulturën e tyre për postulatin e  mësipërm, atë inatin me vjehrrën. Ndodhi kjo fatkeqësi që të harroni sigurimsin Ilir Meta. Kushedi se çfarë do ndodhi nesër që të harrohet edhe fatkeqësia e një familje emigrantësh të cilët humbën dritën e syve, vajzën, bash në pushimet në vendin amë. Emigrantët tashmë nuk i kanë dhënë vendit të tyre vetëm suport ekonomik, por edhe frymën. Megjithatë vendi nuk denjon t'u ofroj as të drejtën e votës. Eshtë një kaos social që sado përpiqesh t'i japësh emër, këdo që takon të thotë, ikni, mos e ktheni kokën se këtu ka vdekur gjithçka. Dhe a e dini pse ndodh kjo, e para nga vet ju. Dhe e dyta nga që çdo shtetar që vjen aty e konsideron shoqërinë shqiptare, si anëtarësinë e partisë. 

Dhe fyerja më ulët që u bëhet, është fakti se kur shikon në internet që ankohet për skafet ta zëmë Erjon Braçe, është kulmi. Nuk e di se kujt i ankohet një ish zëvendës kryministër. Se ka dy shpjegime..., e bën për t'u mashtruar. Ose nga budallallëku. Kur nuk di se çfarë ndodh në bregdet bash në kulmin e sezonit një qeveritar i lartë, ju të tjerët rroni në mëshirën e Zotit.

Tek dorëheqja është një kulturë e vdekur. Dhe kur e qëllon të ndodhi, të tallin. Ashtu sikur shikon analistin tek mbron vrasësin etj. Harruat që para pak kohësh, dolën plot emra analistësh apo gazetarësh studiosh që paguheshin nga ujësjellësi i Tiranës si këshilltarë. Kurse ai profesori pensionist pyet, përse e kam kaq të ulët pagën? Po ja këta gjakpirës janë shkaku. Jeni dhe ju me mendësinë stoike që vdisni ta mbani në pushtet një qeveritar mbi 20 vjet e sipër. Keni alergji nga rrotacioni. Takova shumë socialistë të mirë dhe më thoshin të njëjtin refren, ka mbaruar gjithçka. Vjen ky i gjati jonë, vet vjen, vet flet, vet ikën. Ne jemi mumje. Megjithatë votën nuk ia jap as Ilir Metës, as Sali Berishës etj. Për ironi të fatit, ia dha votën Ilir Metës në 2013, kur Edi Rama ua kërkoi publikisht. Madje bën koalicion të gjerë frontal se mundën ''kriminelin'' Berisha. O popull, nuk japin dorëheqje këta. Kanë gjetur. Dorëheqja zë fill si kulturë kur ndryshoni ju. Kur të hiqni ju, kur qeverisni ju, jo këta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat